Një grup prej më shumë se 1000 studiuesish përfshirë miliarderin Elon Musk nënshkruan një letër të hapur duke u bërë thirrje laboratorëve të inteligjencës artificiale të ndalojnë menjëherë zhvillimin e sistemeve më të fuqishme se GPT-4 i sapolançuar i OpenAI për të paktën 6 muaj.
Nënshkruesit paralajmërojnë se këto modele të reja të avancuara të AI mund të paraqesin “rreziqe serioze për shoqërinë” nëse lejohen të zhvillohen pa masa mbrojtëse. Nëse kompanitë refuzojnë të ndalojnë zhvillimin, letra thotë se qeveritë do të duhet të vendosin një moratorium të detyrueshëm.
“Inteligjenca artificiale e avancuar mund të jetë një ndryshim i madh në historinë e jetës në Tokë dhe duhet të projektohet dhe menaxhohet me kujdes”, thuhet në letrën e lëshuar nga Instituti “Future of Life”, organizatë që financohet kryesisht nga Fondacioni Musk.
“Fatkeqësisht, ky nivel planifikimi dhe menaxhimi nuk po ndodh dhe në muajt e fundit laboratorët janë në një garë të pakontrollueshme për të zhvilluar ‘mendje’ dixhitale gjithnjë e më të fuqishme që askush, madje as krijuesit e tyre, nuk mund t’i kuptojë, parashikojë ose kontrollojë. Sistemet e fuqishme të AI duhet të zhvillohen vetëm pasi të kemi besim se efektet e tyre do të jenë pozitive dhe rreziqet e tyre do të jenë të menaxhueshme”, thuhet në letër.
Letra u publikua të mërkurën, në të njëjtën ditë me një raport nga Goldman Sachs se 300 milion vende pune rrezikohen nga AI.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.