Gazeta Si – Japonia dhe Spanja kualifkohen në Grupin E. Jashtë çdo parashikimi, Japonia ka mundur edhe Spanjën 2-1 dhe ka zënë vendin e parë, Gjermania bëri detyrën ndaj Kosta Rikës, duke fituar 4-2, por u ‘tradhtua’ nga iberikët. Në 1/8-at Japonia gjen Kroacinë, ndërsa Spanja Marokun.

Emocione deri në sekondën e fundit në dy ndeshjet e Grupit E, ku Gjermania ka marrë një goditje të madhe, duke u eliminuar që në këtë fazë. E kotë fitorja 4-2 ndaj Kosta Rikës, sepse në ndeshjen tjetër Japonia fitoi me Spanjën.
Gnabri kaloi gjermanët në avantazh me një goditje me kokë dhe më pas skuadra e Flik kontrolloi lojën. Në pjesën e dytë Kosta Rika e përmbysi situatën me dy gola, që do ta kualifikonin, por Kai Havertz, i aktivizuar si zëvendësues, në pak minuta e ktheu Gjermaninë në avantazh me 2 gola.
Musiala goditi dy herë shtyllën, kurse Fulkrug realizoi edhe golin e 4-t, që u konfirmua nga VAR-i, por ishte e kotë kjo fitore. Gjermania përjeton një tjetër dramë.
Spanja shënoi shumë shpejt me Alvaro Moratën dhe u duk se gjithçka do të ishte e lehtë për iberikët. Por jo, japonezët kanë befasuar sapo nisi pjesa e dytë, duke shënuar dy golat që i dhanë skuadrës aziatike vendin e parë në grup me 6 pikë.
Të besuarit e Enrikes, edhe pse kishin shumë kohë në dispozicion, nuk mundën as të barazonin. Madje një moment, kur Kosta Rika ishte në avantazh ndaj Gjermanisë, edhe Spanja ishte jashtë Botërorit. Për fatin e spanjollëve, gjermanët e përmbysën rezultatin, duke u bërë një nder iberikëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



