Shendet

Elbasani, Durrësi, Korça dhe Lezha kanë më shumë persona me diabet

Diabeti po përhapet gjithnjë e më tepër te shqiptarët. Këtë vërejnë ekspertë të shëndetit në vendin tonë në një raport të publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik.

Në raport nënvizohet se diabeti (sëmundje kronike e shkaktuar nga nivelet e larta të glukozës në gjak) po rritet me shpejtësi në popullatën shqiptare, si rrjedhojë e stilit të jetesës, kequshqyerjes dhe mungesës së aktivitetit fizik.

Në vitin 2018, në Shqipëri janë të regjistruar 78.459 pacientë me diabet, ndërkohë që krahasuar me vitin 2010, rasti i atyre që vuajnë nga diabeti është dyfishuar.

Sipas studimit, rastet më të shumta regjistrohen në rajonin e Elbasanit (349/10.000 banorë), e ndjekur nga rajonet e Durrësit, Korçës dhe Lezhës (përkatësisht 307.7, 302.2 dhe 302.1 për 10.000 banorë).

Prevalenca më e ulët është regjistruar në rajonin e Beratit dhe Kukësit (përkatësisht 144.6 dhe 154.4 për 10.000 banorë).

Por ndërkohë që sëmundja po përhapet me shpejtësi, niveli i standardizuar i vdekshmërisë nga diabeti ka ardhur në ulje gjatë 10-vjeçarit të fundit.

Gjithsesi, ndikimi i diabetit në prekjen e pacientëve nga sëmundje të tjera dhe në shëndet është mjaft i lartë.

Sëmundja krahas vdekshmërisë ka ndikim të lartë edhe në kostot sociale dhe ekonomike ndaj individëve, familjeve dhe komuniteteve që vuajnë pasojat e saj.

Diabeti ndodh kur trupi nuk është në gjendje të rregullojë nivelet e tepërta të glukozës. Nëse lihet i padiagnostikuar ose nën kontroll të dobët mund të rezultojë në komplikime serioze, duke përfshirë verbimin, daljen jashtë funksionit të veshkave dhe gjymtimin e këmbëve, si dhe rrit rreziqet e sëmundjeve kardiovaskulare.

Ekspertët theksojnë se për këtë arsye është i nevojshëm kontrolli dhe parandalimi i diabetit.

Ata nënvizojnë se barra e sëmundshmërisë nga diabeti përbën shqetësim për Shqipërinë, me një rritje potenciale të mëtejshme në dekadat e ardhshme, nëse nuk merren masat e duhura.

Edhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) publikoi disa muaj më parë një studim të titulliar “Një vështrim për shëndetin në Europë”, ku raportoi se 9 % e të rriturve në Shqipëri janë me diabet, një shifër kjo e lartë krahasuar me shumë vende të rajonit dhe Europës.

Nivele më të larta të diabetit kishte Turqia, Gjermania, Portugalia dhe Maqedonia e Veriut.

Rreth 32.3 milion të rritur u diagnostikuan me diabet në Bashkimin Evropian në 2019, nga rreth 16.8 milion në 2000. Një shtesë prej 24.2 milion njerëz në Evropë u vlerësua se kishin diabet, por ishin të padiagnostikuar në 2019.

Edhe në vendin tone, diabeti është i nëndiagnostikuar dhe nivelet e tij janë shumë më të larta se raportimet zyrtare.

OECD raporton se numri i meshkujve me diabet të diagnostikuar është rritur me shpejtësi që nga viti 2000 në të gjithë Europën. Nga 7.3 milion të prekur në vitin 2000 ato arritën në 16.7 milion në 2019. Numri i grave me diabet është rritur gjithashtu dukshëm, duke arritur në 15.6 milionë në vitin 2019 në krahasim me 9.5 milion në vitin 2000. Megjithatë, burrat janë më të prirur për të zhvilluar diabet për shkak të faktorëve biologjikë. Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë