Nga Gazeta Si - Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar të shtunën në mbrëmje në Elbasan.
Me një makinë tip “BMW X6” pa targa, dyshohet se mbrëmjen e të shtunës do të kryhej një atentat me armë zjarri në Elbasan.
Në një njoftim për mediat, policia tha se në makinën e cila ishte fshehur në një magazinë, kishte gjetur 3 armë zjarri kallashnikovë, dy në sediljen e pasme dhe një në bagazh siç duket në foto.
Gjithashtu në mjet u gjetën dhe 2 bidona me benzinë, që dyshohet se do të përdoreshin për djegien e makinës së krimit pas ngjarjes.
Ndërkohë, gjatë kontrolleve pranë vendit ku ishte lënë makina, në këtë çantë marsup u gjet edhe një pistoletë.
Policia e Elbasanit bëri me dije se bazuar në disa informacione në rrugë operative, kishte rënë në dijeni se po përgatitej një ngjarje kriminale, duke shtuar patrullimet gjatë mbrëmjes në qytet.
Si rezultat i këtyre patrullimeve thotë Policia, autorët që dyshohet të kenë qenë të paktën 3 persona, janë tërhequr nga plani i tyre, duke fshehur makinën në lagjen “Emin Matraxhiu”, ose ndryshe në zonën e njohur si ish-Konservimi.
Në Drejtorinë e Elbasanit u shoqëruan disa persona të cilët u morën në pyetje, teksa grupi i hetimit po gjurmon të gjitha kamerat e sigurisë në zonë, në mënyrë që të siguroj pamje të personave që kanë lënë makinën.
Mjeti është gjetur në lagjen ku ka banesën një personazh i njohur i botës së krimit në Elbasan, Erion Alibej. Ky i fundit, ndodhet i arrestuar me vendim të Gjykatës së Posaçme dhe po hetohet nga SPAK për vrasjen e Regis Runajt dhe Emiljano Ramazanit.
Megjithatë, policia ka disa pista të cilat po i verifikon dhe ende nuk konfirmon se kush ka qenë objektiv i këtij atentati të parandaluar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.