Gazeta Si - Gjykata e Elbasanit ka dënuar me burgim të përjetshëm Koço Buzo, ish-efektivi i policisë që ekzekutoi me kallashnikov gruan e tij Liljana Buzo në muajin maj 2021 në Elbasan në sy të fëmijëve.
Buzo e vrau gruan me breshëri automatiku 54-vjeçaren, pasi kjo e fundi donte t’i jepte fund martesës së tyre.
Ngjarja e rëndë ndodhi në mesditën e 6 majit 2021 në afërsi të Gjykatës së Elbasanit, pas seancës gjyqësore për procesin e divorcit mes tyre.
LEXO EDHE:
Ishin në proces divorci, ish-polici vret gruan pranë Gjykatës së Elbasanit
58-vjeçari nuk ishte paraqitur në seancë dhe po priste me një thikë dhe kallashnikov në dorë jashtë Gjykatës së Elbasanit.
Bashkëshorti i saj Koço Buzo e goditi fillimisht me thikë dhe më pas e qëlloi 7 herë me kallashnikov pas shpine, duke e lënë të vdekur në vend.
Plumbat kapën edhe dy kalimtarë të rastësishëm, njëri prej tyre me profesion avokat, të dy jashtë rrezikut për jetën.
Koço Buzo, armën e mbante në një çantë sportive dhe sipas informacioneve policore, ishte nisur për të hyrë drejt e në sallën e gjyqit, ku dhe kishte planifikuar të kryente vrasjen e gruas, pikërisht brenda ambienteve të gjykatës.
Në fakt, vrasja e gruas nga bashkëshorti ish-efektiv policie në Elbasan, ka qenë një krim i paralajmëruar. Që prej vitit 2020, viktima Liljana Buzo kishte denoncuar të shoqin Koço Buzo për dhunë e kërcënime të vazhdueshme.
Presioni verbal i ish-policit kishte arritur deri aty sa kishte kërcënuar të shoqen me vrasje, ndërkohë që viktima sa herë që keqtrajtohej, largohej nga banesa, teksa fshihte edhe shenjat e dhunës që të mos i shikonin fëmijët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.