Është ekzekutuar me një plumb në kokë kryetifozi i Lacios, Fabricio Pishiteli, i njohur me nofkën “Diabolik”. Ai është kryetari i njërit prej grupimeve kryesore të tifozëve të Lacios, “Irriducibili”. Pishiteli është vrarë në Romë dhe dyshimet e para janë për larje hesapesh për pazare droge nga një bandë mafioze italo-shqiptare. Megjithatë, duhen pritur hetimet për të mësuar më shumë në lidhje me këtë ngjarje të rëndë.
Ka qenë një atentat i menduar dhe organizuar mirë nga vrasësi e kryetifozit lacial, i cili ishte i maskuar si një vrapues i rastit në atë zonë ku ka ndodhur ngjarja. Hetuesit po marrin në konsideratë të gjitha pistat, por dyshimet më të mëdha lidhen me llogaritë e drogës. Emri i Fabricio Pishitelit është i njohur për drejtësinë italiane, veçanërisht për sektorin anti-mafia. Ai është identifikuar më parë si kryetari i së ashtuquajturës “Batteria di Ponte Milvio”, një bandë famëkeqe italo-shqiptare nën urdhrat e “Diabolik” dhe me lidhje të forta me bosin e “Kamorras”, Mikele Seneze.
“Në ‘Ponte Milvio’ vepron një bandë e armatosur dhe shumë e rrezikshme, që ka në krye Fabricio Pishitelin, apo “Diabolik”. Një bandë me anëtarë shqiptarë brenda saj. Një bandë në shërbim të napoletanëve, mes të cilëve vëllezërve Espozito” - shkruhet në një njoftim të mëparshëm të policisë italiane në lidhje me bandën kriminale të udhëhequr nga kryetifozi i Lacios që tashmë është ekzekutuar. Në vitin 2013, “Diabolik” ishte arrestuar, pasi akuzohej për lidhje të forta me një rrjet trafiku droge mes Spanjës dhe Italisë. Në vitin 2016 atij i janë sekuestruar më shumë se 2 milionë euro, pas hetimeve të sektorit antimafia. Tani duhet pritur përfundimi i hetimeve për të mësuar, nëse shqiptarët kanë vërtet gisht në këtë vrasje, apo jo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.