Ish-anëtari i bandës së Durrësit, Edmond Koçi, i cili u ekzekutua sot në Sukth në një atentat mafioz, ishte arrestuar në muajin shtator 2020 për armëmbajtje pa leje, por me kërkesë të prokurorisë u lirua.
I njohur ndryshe edhe si “Mond Çekiçi”, ai u vu në pranga në 24 shtator të vittit të shkuar, teksa ishte duke udhëtuar mbi një motor.
Policia i gjeti me vete një armë zjarri tip pistoletë prodhim austriak, të quajtur “Steyer” kalibër 9 milimetra.
Por, pavarësisht nga akuza e armëmbajtjes pa leje, ish-anëtari i bandës së Durrësit, nuk bëri asnjë ditë paraburgim dhe u lirua me argumentimin se ishte i infektuar nga Covid.
Vendimi u dha nga prokurorja Rabiana Halili, e cila dy ditë më pas dha dorëheqjen para Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Edmond Koçi, ish-anëtar i bandës së Durrësit, i njohur edhe si “Mond Çekiçi”, u ekzekutua ditën e sotme me armë zjarri në një atentat.
Ai është vrarë në makinën e tij mëngjesin e sotëm rreth orës 08:40, teksa ndodhej i ulur në vendin e pasagjerit.
Autorët e dyshuar të vrasjes, ishin të maskuar dhe kanë qëlluar drejt makinës duke e lënë të vdekur në vend 40-vjeçarin.
Mësohet se ai udhëtonte gjithmonë i shoqëruar me një person, për shkak të frikës së ndonjë hakmarrjeje të mundshme.
Makinës ku udhëtonte Koçi, i ka prerë rrugën një tjetër makinë dhe më pas një person ka shtënë me breshëri automatiku.
Mbi 10 shenja të plumbave janë në xhamin e krahut të makinës dhe mbi 3 plumba në xhamin e përparmë.
Ndërkohë në makinën e djegur në zonën e Sukthit është zbuluar edhe arma e krimit tip kallashnikov.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.