Rend dhe Ligj

Ekzekutimi i Klaudio Prendit, dyshohet se djali i ish-gjyqtarit kishte konflikte për borxhin 15 mijë euro. Gjendet arma e krimit

Gazeta Si - Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Fran Prendi, dyshohet se është ekzekutuar lidhur me një konflikt që ka pasur disa ditë më parë për një borxh financiar prej 15 mijë euro.

Sipas burimeve paraprake, ky borxh besohet se ka rrjedhur si pasojë e lojërave në kazino dhe llotove sportive që viktima ka kryer.

Kjo është pista kryesore e hetimit, që policia e Tiranës është përqëndruar për momentin. Ndërsa pista e dytë është ajo e vrasjes për shkak të detyrës që ka pasur babai i tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Babai i viktimës, ish-gjyqtari Fran Prendi, në dëshminë e tij ka thënë që ishte në dijeni që djali i tij kishte konflikte me të tjerë, por jo derisa të përfundonte në atentat.

Ndërkohë policia pas një kontrolli të dytë që ka kryer në makinën e djegur, ka gjetur dhe armën e krimit një pistoletë, e cila ishte plotësisht e djegur, edhe pse numri i shasisë së mjetit të autorëve ende nuk është rikuperuar ende. Hetuesit do bëjnë verifikime edhe në pjesën e motorit sa i takon numrit të shasisë.

Makina luksoze që përdorte viktima nuk ishte në emër të tij, por të një vajze. Klaudio Prendi u ekzekutua me armë zjarri në zonën e Porcelanit në Tiranë, rreth orës 01:00 të së martës.

Ai u vra në momentin që la lokalin ku po qëndronte me miqtë dhe hipi në automjet. Autorët po e prisnin dhe e qëlluam me armë me silenciator pa zbritur nga makina e tyre. Më pas u larguan dhe e dogjën mjetin në zonën e Farkës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë