Gazeta Si – Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Fran Prendi, dyshohet se është ekzekutuar lidhur me një konflikt që ka pasur disa ditë më parë për një borxh financiar prej 15 mijë euro.
Sipas burimeve paraprake, ky borxh besohet se ka rrjedhur si pasojë e lojërave në kazino dhe llotove sportive që viktima ka kryer.
Kjo është pista kryesore e hetimit, që policia e Tiranës është përqëndruar për momentin. Ndërsa pista e dytë është ajo e vrasjes për shkak të detyrës që ka pasur babai i tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Dinamika e atentatit
Ndërkohë, atentatorëve iu janë dashur vetëm pak sekonda për të ekzekutuar objektivin e tyre. Sipas videos që tregon momentin e atentatit, e gjithë skena zgjati jo më shumë se 7 sekonda nga momenti që makina e autorëve ndalon pranë asaj të Prendit dhe deri tek ekzekutimin e tij.
Siç duket, pasi ka lënë ambientet e lokalit ku po qëndronte, Prendi i është drejtuar mjetit të tij “Mercedes-Benz G-Class”.
Sapo ka mbyllur derën e shoferit, në kamera shfaqet makina “Audi” e autorëve që besohet se zbriti nga zona e Freskut.
Pasi janë afruar paralel, ata kanë qëlluar me armë drejt mjetit të Prendit. Ndërkohë pas makinës së 28-vjeçarit, ka qenë një mjet tjetër që ka lëvizur me shpejtësi mbrapsht sapo shoferi ka parë të shtënat. E nga aty autorët lëvizin me shpejtësi më pas në drejtim për nga qendra.
Ata e kanë çuar mjetin në Farkë, aty ku e kanë djegur tërësisht. Policisë iu desh ta kontrollonin dy herë për të gjetur aty armën e krimit, një pistoletë, e cila ishte plotësisht e djegur.
Babai i viktimës dhe arma e krimit
Babai i viktimës, ish-gjyqtari Fran Prendi, në dëshminë e tij ka thënë që ishte në dijeni që djali i tij kishte konflikte me të tjerë, por jo derisa të përfundonte në atentat.
Ndërkohë policia pas një kontrolli të dytë që ka kryer në makinën e djegur, ka gjetur dhe armën e krimit një pistoletë, e cila ishte plotësisht e djegur, edhe pse numri i shasisë së mjetit të autorëve ende nuk është rikuperuar ende. Hetuesit do bëjnë verifikime edhe në pjesën e motorit sa i takon numrit të shasisë.
Makina luksoze që përdorte viktima nuk ishte në emër të tij, por të një vajze. Klaudio Prendi u ekzekutua me armë zjarri në zonën e Porcelanit në Tiranë, rreth orës 01:00 të së martës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.