Dosje

Ekuador, 30 të arrestuar për pastrim parash dhe trafik droge të lidhur me mafien shqiptare. Dritan Gjika ‘koka’ e grupit (video)

Gazeta Si - Një megaoperacion anti-drogë është zhvilluar në Ekuador dhe Spanjë, ku janë arrestuar 30 persona me kombësi ekuadoriane, spanjolle, argjentinase, kolumbiane dhe kineze për trafik droge dhe pastrim parash prej të paktën 30 milion dollarësh.

Sipas hetimeve, të arrestuarit, dyshohet se janë lidhur me një organizatë të trafikut të drogës, e drejtuar nga një shtetas shqiptar, i quajtur Dritan Gjika nga Shkodra, për të cilin nuk raportohet të jetë arrestuar.

Gjika, rezulton i lidhur me biznesmenin ekuadorian Ruben Cherres, i ekzekutuar vitin e kaluar dhe i konsideruar një prej bosëve të kokainës atje.

Cherres ishte gjithashtu i përfshirë në korrupsion në kompanitë publike, drejtuesi i dukshëm i të cilave ishte miku i tij Danilo Carrera, kunati i presidentit të atëhershëm Guillermo Lasso.

Në shkurt 2023 media ekuadoriane zbuloi dhe skemën si funksionin banda shqiptare në krye të tyre Dritan Gjika, në bashkëpunim me Ruben Cherres dhe sesi kishin ushtruar ndikim për të marrë poste të larta në ministri.

Ky operacion i quajtur “Pampa” dhe “Gran Fénix 13”, është kryer edhe në Spanjë në koordinim me policinë e këtij vendi. Që nga agimi, sipas të dhënave paraprake janë kryer 32 bastisje pronash.

Në mesin e të arrestuarve 18 persona u prangosën në Ekuador dhe 11 në Spanjë, me kombësi ekuadoriane, spanjolle, argjentinase, kolumbiane dhe kineze, për lidhjen e tyre të dyshuar me operacionet për të transportuar kokainën e prodhuar në Kolumbi në Evropë përmes portit të Ekuadorit.

Njësitë e policisë së Guayaquil nga rrethet Ceibos, Modelo, Samborondón, Daule dhe Durán morën pjesë në këtë operacion.

Organizata ishte përgjegjëse për vendosjen e porosive në laboratorët e prodhimit të kokainës në Kolumbi, deri në koordinimin e shitjes në Evropë.

Për këtë, organizata pati bashkëpunimin e disa personave që ndihmuan në koordinimin e transportit deri në kufirin me Ekuadorin, konkretisht në provincën e Carchi.

Prej aty supozohet se ngarkesa e paligjshme vazhdoi rrugën e saj në rrugë tokësore për në qendrat e saj të operimit në provincat e Cotopaxi, Los Ríos dhe Guayas, ku u grumbulluan sasi të mëdha substancash të paligjshme.

Sipas hetimeve, organizata trafikoi kontejnerë me mallra të ligjshme (banane) për të transportuar drogën në Belgjikë, Holandë, Turqi dhe Shqipëri.

Policia beson se organizata kishte informacion të privilegjuar për dokumentet detare të tregtisë së jashtme, gjë që e lehtësonte procesin.

Policia ka bërë me dije se deri më tani në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar: 2 ton 377 kg kokainë; 450.000 euro; 10 armë zjarri; Sekuestrohen 25 automjete; 22 pasuri të sekuestruara; 27 terminale celulare.

Hetuesit në këtë rast besojnë se kompanitë në Ekuador janë përdorur për të pastruar para të paligjshme. Policia ka arritur të gjurmojë lëvizjen e parave në sistemin financiar kombëtar.

Besohet se organizata përdori disa persona fizikë dhe juridikë për të blerë pasuri të ndryshme personale dhe të paluajtshme për të pastruar një total prej 30,000,000 dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë