Rend dhe Ligj

Vritet ekstremisti grek dyshohet si i rekrutuar

Policia e Shtetit dhe Forcat RENEA kanë njoftuar se 35-vjeçari, Kostandinos Katsifas,  që hapi zjarr ndaj tyre ka mbetur i vrarë në Bularat të Gjirokastrës. Ai ka marrë plumba në kokë dhe në gjoks dhe për pasojë ka humbur jetën. Sipas burimeve zyrtare Kostandinos Katsifas ka qëlluar me armë zjarri në ajër e më pas mbi Policinë. Forcat RENEA janë vënë në ndjekje të tij dhe kanë mundur të zbulojnë vendodhjen e viktimës në faqen e malit mbi depon e ujit të fshatit Bularat. RENEA i kanë bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet,  por Katsifasifa nuk i është përgjigjur thirrjes së herëpashershme të policisë, por ka hapur zjarr me armë  që sipas policisë ka rrezikuar seriozisht jetën e efektivëve edhe për shkak të terrenit ku mundësia e mbrojtjes ishte e ulët.

Forcat RENEA janë kundërpërgjigjur dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit shtetasi greke ka mbetur i vdekur.

 Gjithçka nisi rreth orës rreth 10:00, kur Katsifas nisi të gjuante me armë zjarri në ajër, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës, të cilët ishin mbledhur në qendër për të festuar festën e Greqisë, e cila si çdo vit po organizohej edhe në këtë fshat.

Menjëherë në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat ishin të dislokuara në qendër të fshatit pasi do zhvillohej aktivitet me rastin e festës së Greqisë. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se shtetasi Kostandinos Katsifas pasi ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.

Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të tyre. Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri i riu ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.

Katsifas u fut në thellësi të fshatit ku forcat “Shqiponja” dhe shërbimet e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë vijuan krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij.

Hetimet për ngjarjet i kanë kaluar Krimeve të Rënda në Tiranë . Gazeta Si mësoi se në krye të tyre do të jetë prokurori Njazi Seferi. Sipas prokurorisë vepra penale do të hetohet si vrasje e mbetur në tentativë kundër një ose më shumë oficerëev të poilicisë së shtetit.

Viktima është një 35 vjeçar me prirje radikale dhe i divorcuar. Arma e përdorur ishte me dylbi dhe kishte veshur rroba kamuflazhi.

Katsifas duket se e kishte planifikuar më parë sulmin me armë ndaj policisë. Në Facebook, kuptohet se ai udhëtonte shpesh drejt Bularatit dhe bënte thirrje për ngritjen e minoritetit në luftë për atë që e quan “Vorio-Epir”.

Pavarësisht propagandës dhe aktivitetit ekstremist dhe radikal, Katsifas nuk duket të ketë pasur probleme me policinë apo me organet e tjera ligjzbatuese.

Prokuroria dyshon se Katsifa ishte i rekrutuar, por ende pa përgjigje se nga kush.

Në një status në Facebook, ai kishte paralajmëruar sulmin me armë në 28 tetor, me mesazhin “Grek ose vdekje”.

“Rama dhe Tsipras bëjnë plane pa  të zotët e shtëpisë. Për një gjë të jeni të sigurt. Rinia e Vorio Epirit nuk do të qëndrojë spektatore. Thirren të gjithë grekët e Vorio Epirit që në 28 Tetor të dërgojnë një mesazh në çdo anë. Grek ose vdekje!”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë