Libra

Ekstremist i djathtë, mizogjin, pa humor? Niçe i keqkuptuar

Sue Prideaux/ The Guardian - Fridrih Niçe, Karl Marksi dhe Çarls Darvini janë mendimtarët e mëdhenj të shekullit të 19-të, idetë e të cilëve kanë ende sot ndikim të madh. Niçe ishte ikonoklasti i epërm i filozofisë, veçanërisht me thëniet  e tij “Zoti vdiq” dhe “Nuk ka fakte, vetëm interpretime”.Me shumë rëndësi, e megjithatë shoqërizimi i tij me koncepte si  Übermensch, morali i pronarit, morali i skllavit dhe ndoshta më i rrezikshmi, vullneti për pushtet, gjithaq kanë dhënë ndihmesë që ai të keqinterpretohet gjerësisht. Janë tre mite, në veçanti që kanë nevojë të zhbëhen: se politika e tij ishte e ekstremit të djathtë, se ishte mizogjin  dhe pa humor. Ky përvetësim i keq ka qenë i dëmshëm. Richard Spencer lider i së djathtës alternative amerikane, pretendon se  “iu hapën sytë nga Niçja” , ndërsa Jordan Peterson  citon gjerësisht prej tij.

Filozofi gjerman është adoptuar nga e djathta alternative, por ai e urrente antisemitizmin. Ai është përvetësuar dhe lexuar keq, mendon biografi i tij

Por le ta nisim me nazistët. I  rritur në rajhun e Bismarkut, kishte tri gjëra që Niçe i urrente: shteti i madh, nacionalizmi dhe antisemitizmi. “Deutschland, Deutschland über alles, është fundi i filozofisë gjermane”, shkruante ai dhe “do shtija mbi të gjithë antisemitët.” E motra, Elizabeta, kishte pikëpamje kundërshtuese. Ajo u martua me një agjitator të njohur antisemit  (Niçja refuzoi t’i shkonte në dasmë ) dhe çifti shkoi drejt Paraguait për të zbuluar një Gjermani të re me kolonizatorë arianë të “racës së pastër”.  Nga koha kur kolonia dështoi, në vitin 1889, Niçja e kishte humbur arsyen. Elizabeta u kthye në Gjermani, për t’u kujdesur për të vëllanë, mblodhi të gjithë shkrimet e tij dhe themeloi Arkivin Niçe.


Kur vinte fjala tek stisja e lajmeve, Elizabeta ishte pioniere. Në vdekjen e të vëllait, më 1900-ën, Elizabeta nuk mendonte se maska e tij e vdekjes ishte mjaftueshëm madhështore, kështu që stisi një të dytë. Ajo bëri të njëjtën gjë me shkrimet e tij, duke rrëmuar në pronën e tij letrare, duke prerë e ngjitur sipas dëshirës. Ajo botoi një biografi pak të besueshme të tij dhe vonoi botimin e autobiografisë, “Ecce Homo”, derisa fshiu krejt të gjitha referencat plotësuese rreth saj.

Niçe ishte  gjithnjë shumë i kursyer me atë çka botonte, por pëlqente të luante me titujt e librave. Ai shkroi shumë më shumë tituj sesa libra. Një nga ata që skartoi ishte “Vullneti për Pushtet”. Ai përpilonte një listë me tituj të braktisur. Por Elizabeta mori fragmente aty-këtu dhe sajoi një libër të titulluar “Vullneti për Pushtet” dhe e botoi nën emrin e të vëllait. Ishte aq i suksesshëm sa pak vite më vonë, botoi edhe një,  më të zgjeruar.

A është njeriu gabim i Zotit apo Zoti gabim i njeriut?

Elizabeta jetoi deri më 1935-ën. Kjo i dha asaj thuajse 40 vjet që të përpunonte tekste dhe letra dhe t’i manipulonte pronën letrare. Arkiva e Niçes u bë një institucion i mbushur me të djathë ekstremë, nacionalizmi agresiv i të cilëve pajtohej me të sajin. Mes tyre ishte Osvald Spengler dhe  Alfred Bomler, që mbikëqyrën  djegien e librave në Berlin dhe përgatitën tekstet e Niçes për botime të reja, përfshi një tjetër “Vullneti për Pushtet” që sërish tha përshtypjen se teksti kishte autor vetë Niçen. Bomlerit iu bashkua si redaktor në Arkivin e Niçes, Martin  Hajdegeri . Të dy morën pikëpamjen e jashtëzakonshme se veprat e botuara të Niçes, zor se kishin rëndësi për shkak të filozofisë së vërtetë që qëndronte pas “Nachlass”, pronës së pabotuar letrare që Elizabeta tashmë e kishte manipuluar për qëllimet e saj. Kjo u lejoi atyre të vazhdonin ngjitjen e fragmenteve të shkëputur, për të vendosur idetë e tyre në gojën e Niçes.

Elizabeta e admironte shumë Musolinin. Më 1932-shin, ajo bindi Teatrin Kombëtar të Vajmarit të vendosin një dramë të shkruar prej tij. Hitleri u shfaq gjatë performancës dhe e i dhuroi një   ë buqetë të madhe lulesh. Një vit më vonë, tashmë kancelar i Gjermanisë, ai vizitoi Arkivin e Niçes, me  kamxhikun e tij të zakonshëm. Ai qëndroi për një orë e gjysmë. Kur doli, kamxhiku nuk ishte më. Në vend të tij kishte marrë bastunin e Niçes,  të cilin ia dha Elizabeta.

“Më i buti, i arsyeshmi burrë mundet, nëse ka edhe një mustaqe të madhe, të ulet siç është në hijen e tij dhe të ndihet i mbrojtur.”

Hitleri u magjeps nga ideja e vetes si lider filozof. Ishte e pamundur të faktoje nëse e kishte studiuar Niçen; gjerësisht besohet se nuk e kishte studiuar. Librat që mbijetuan nga biblioteka e tij gjatë kohës së burgimit më 1924-ën, kur shkroi “Mein Kampf”-in, nuk përfshijnë asnjë vepër të Niçes. Mund të qe e mundur se ishin pjesë e koleksionit të librave të kohës dhe kishin humbur prej asaj kohe, po biblioteka e tij më e vonë nuk kishte kopje të tilla, Filmit të  njohur të  vitit 1934, rreth  fushatës së Nurembergut, iu dha titulli niçean “Triumfi i Vullnetit”, por kur regjisorja, Leni Riefenstahl, e pyeti Hitlerin nëse pëlqente të lexonte Niçen, ai iu përgjigj: “Jo, nuk kam të bëjë shumë me Niçen. Nuk është ai udhërrëfyesi im.” Idetë e ndërlikuara në përmbajtje të librave nuk kishin dobi për të, por fraza të shkëputura si “bisha bionde” the Übermensch (asnjëra prej të dyjave nuk është koncept racor)  dhe “përtej së mirës dhe së keqes” mund të vendoseshin në keqpërdorim të pambarimtë.

Niçe me të motrën, Elizabetën. 

E megjithëse, propaganduesit nazistë dhe minjtë e frazave uzurpuan fjalët dhe kuptimin e Niçes, disa mes tyre e kuptuar absurditetin. Ernst Krik, një ideolog nazist, vërente me sarkazëm se përtej faktit se Niçe nuk ishte socialist,  as nacionalist dhe kundërshtonte mendimin racor, ai mund të kishte qenë një mendimtar udhëheqës nacional-socialist. Niçja  gjithashtu kishte një reputacion të pamerituar si mizogjin. i lindur më 1844-ën, ai ndoqi një nga shkollat më të mira në Europë kur Elizabeta u dërgua në institucionin  “Fräulein Paraski” për të mësuar si të zinte një bashkëshort, të drejtonte shtëpinë dhe të fliste mjaftueshëm frëngjisht për t’u konsideruar elegante, por jo “mos e thëntë zoti” të mësonte. E megjithatë, Niçe e trajtoi Elizabetën si të barabartë. Ai i dha asaj listën e leximeve të tij, e nxiti të mendonte për veten dhe të zgjeronte dijen e saj duke ndjekur leksione të hapura.

Leni Riefenstahl  drejton ekipin në “Triumfi i Vullnetit”,  në  Nuremberg,  1934.  Foto: Friedrich Rohrmann/EPA

Më  1874-ën, kur ishte profesor i filologjisë në universitetin e Bazelit, u zhvillua një votim për pranimin e grave në universitet. Niçe ishte një nga katër njerëzit që votuan pro. Më 1986-ën, ai udhëtoi drejt Italisë për t’iu bashkuar Malvida von Mejsenbugut,  një feministeje e cila bënte fushatë ethshëm për emancipimin e grave. Mejsenbug ishte dëbua nga Gjermania pasi kontrabandonte letra gjatë revolucionit të 1848-ës, pas të cilit u vendos mes të dëbuarve politik në veri të Londrës, duke punuar si tutore. Reputacioni i saj ishte aq i madh sa kur Garibaldi lundroi në lumin Tamiz, më 1864-ën, ai e ftoi të fliste rreth politikës me të, në jahtin e tij. Malvida u magjeps pas joshjes prej pirati karaibesh që kishte Garibaldi,  ndërsa ai përkulej mbi mbajtësen e karriges për t’iu qasur sa më pranë asaj, gjatë atij mëngjesi.

Niçe me të ëmën. 

Niçja dhe Mejsenbug kishin qëllim të themelonin një shkollë për shpirtrat e lirë në shpellat pranë Sorrentos. Shpirtrat e lirë do të përfshinin gra dhe asgjë nuk do të ishte e pamundur  në studimin e tyre rreth kulturës, filozofisë, estetikës, skepticizmit fetar dhe lirisë seksuale. Shkolla nuk u materializua kurrë,  por miqësia e të dyve zgjeroi rrethin feminist të Niçes, duke përfshirë edhe  Meta von Salis-Marschlins, një aktiviste për të drejtën e votës së grave, si edhe Resa von Schirnhofer.Nga 1880-a, gratë u lejuan në leksione universitare si  Hörerin, “dëgjuese”. Niçja i dha zemër së motrës, Salis-Marschlins-it dhe Schirnhofer –it që të aplikonin. Më 1887-ën, Salis-Marschlins  u bë e para grua që merrte një doktoratë në filozofi nga një universitet zviceran. Shembullin e saj e ndoqi edhe Schirnhofer. Të dyja fituan doktoraturat në filozofi.

Në “Shkenca e Gëzuar” ai vëren sesa e përbindshme është që grave të reja u thuhet se seksi është i turpshëm dhe i mëkatshëm.

Më 1882-shin, Niçe u dashurua në mënyrë dramatike me Lu Salomenë, e cila më vonë do të magjepste Rilken dhe Frojdin. Gjatë kësaj periudhe, ai shkroi rreth dilemës së grave. Në “Shkenca e Gëzuar” ai vëren sesa e përbindshme është që grave u thuhet se seksi është i turpshëm dhe i mëkatshëm, vetëm që të nxiten drejt martesës dhe të manovrohen nga  burrat, të cilët janë mësuar t’i adhurojnë si zot nga tmerri dhe detyrimi i seksit.  E si pritet të reagojnë ato? Kështu, vëzhgon ai, dikush ka lidhur një nyjë psikike të pashoqe.” 

Nuk e kisha idenë se Niçe mund të ishte hokatar derisa lexova letrat e tij. “Më i buti, i arsyeshmi burrë mundet, nëse ka një mustaqe të madhe, të ulet siç është në hijen e vet  dhe të ndihet i mbrojtur”, shkruante ai, duke qesëndisur veten. “Me mustaqen e madhe do të jepte përshtypjen se ishte ushtarak, gjaknxehtë dhe ndonjëherë i  dhunshëm dhe do të trajtohej sipas këtij tipari.”

I dënuar me shëndet të ligë dhe vështrim jo largpamës  për të përcjellë filozofinë e tij me fraza të shkurtra dhe aforistike, Niçe e njihte pushtetin e të shkaktuarit të të qeshurave, për të peshuar  kuptimin e mëtejshëm: A është njeriu gabim i Zotit apo Zoti gabim i njeriut?  “Njeriu nuk orvatet për lumturi, vetëm anglezi e bën këtë” – një ngacmim për Xheremi Bentamin dhe  Xhon Stjuart Millin. “Të pasurit zakonisht e zvogëlon pasjen”. “Kurrë mos i beso një mendimi që të vjen brenda shtëpisë.” Ai madje bën shaka me lexuesit e tij: “Lexuesit më të këqij janë ata që sillen sikur të ishin trupa plaçkitëse: marrin vetëm pak gjëra të cilat mund t’i përdorin, të pista dhe që  hutojnë kujtesën dhe fyejnë tërësinë.”

Niçja është një filozof i pazakontë për shkak se nuk na thotë ç’të mendojmë. Nuk ekziston diçka e tillë si Niçeizimi. Ai e përmbledh në një prej aforizmave të tij: “E shpërblen keq një mësues duke u bërë thjesht një nxënës.”  Me fjalë të tjera, lexomë por mendo përtej.Sa për mitet që janë ngritur rreth tij, fjala e fundit duhet t’i takojë patjetër vetë njeriut. “Jam i frikësuar”, shkruante ai, “nga mendimi se sesi njerëzit e pakualifikuar dhe të papërshtatshëm mund ta thërrasin autoritetin tim një ditë.  E megjithatë, kjo është tortura e çdo mësuesi... Ai e di se, sipas rrethanave dhe ndodhive, ai mund të bëhet një katastrofë po aq edhe bekim për njerëzimin.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë