Rend dhe Ligj

Ekstradohet nga Holanda ‘ushtari’ i Laert Haxhiut, akuzohet për disa ngjarje kriminale

Gazeta Si – Një 30-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar nga Holanda drejt vendit tonë.

Policia njofton se u ekstradua Kristi Bixheku, i lindur në Lushnjë, i cili ishte pjesë e bandës së Laert Haxhiut.

Bixheku ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Elbasanit kisthe caktuar masën ‘arrest me burg’ , për veprat penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, “Sigurimi i kushteve material për të kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe”Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”

Në vitin 2022, 30-vjeçari në bashkëpunim me shtetas të tjerë vuri tritol në banesën e Bujar Turkut në Lushnjë, pas një konflikti për borxhin e pakthyer nga nipi i shënjestrës për pazaret e drogës.

Bixheku, është personi që së bashku me Laert Haxhiun, Erisiano Abedinin dhe bashkëpëuntorin e drejtësisë, Artan Tafani, kanë organizuar dhe vendosur një sasi tritoli në banesën e Bujar Turkut.

Laert Haxhiu u dënua me burgim të përjetshëm nga Apeli i Gjykatës së Posaçme, pasi u shpall fajtor për masakrën e Lushnjës, krim i ndodhur në 11 tetor të vitit 2017.

Nga breshëria e plumbave mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën dy të tjerë. Objektiv ishte nipi i Aldo Bares, i cili i shpëtoi plumbave.

Pas 8 vitesh në arrati, Laert Haxhiu u arrestua në maj të vitit 2023 nga policia e Janinës. Pas një sërë çështjesh gjyqësore me drejtësinë greke, u vendos që ai të ekstradohet në Shqipëri. Më 3 korrik të këtij viti ai iu dorëzua forcave special në pikën doganore të Kakavijës.

Më herët, në Gjykatën e Posaçme, ka kaluarë për gjykim dosja ndaj 9 anëtarëve të bandës së Laert Haxhiut. Ata akuzohen për disa vrasje, vendosje eksplozivi dhe grabitje me dhunë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë