Rend dhe Ligj

Ekstradohet nga Gjermania ish-efektivi i RENEA-s, 29-vjeçari pjesë e një grupi që trafikonin armë

Është ekstraduar nga Gjermania ish-efektivi i RENEA-s, A. P., i akuzuar nga GJKKO për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për posedim të armëve të zjarrit.

“Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve në Gjermani, u ekstradua shtetasi A. P., 29 vjeç. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Ish efektivi i RENEA-s është shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit ‘Revansh’.

Në dosjen e SPAK thuhet se ka dyshime se A. P. merrej me trafikimin e armëve, të cilat dyshoheshin se i merrni nga jashtë vendit dhe më pas i tregtonin tek persona me precedentë penale.

“Në periudhën e komunikimeve A.P. rezulton i punësuar në institucionin e Policisë së Shtetit dhe konkretisht në repartin Renea. Ky shtetas duke shfrytëzuar pozicionin e punës si punonjës policie krijon lehtësira për zhvillimin e këtij aktiviteti të paligjshëm të organizuar nga ai vetë dhe bashkëpunëtori i tij D. B”, thuhet në dosjen  SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë