Gazeta Si – Është ekstraduar nga Gjermania në Shqipëri, Sulejman Kapllanaj, i cili në shkurt të këtij viti tentoi që të vriste dhëndrin e shtëpisë, Selami Brahimi në Shkodër, me të cilin kanë pasur konflikte prej vitesh.
“Nga Gjermania u ekstradua sot drejt Shqipërisë, shtetasi shqiptar, Sulejman Kapllani 68 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin e datës 11.02.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”. Shtetasi Sulejman Kapllani është lokalizuar dhe kapur në Gjermani, si rezultat i operacionit të përbashkët, të koduar “Koordinimi”, – thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërsa si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Romën, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë Glorildo Halili 29 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Torinos, Itali, me vendimin e datës 09.02.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Grupi kriminal”, të parashikuara nga Kodi Penal i Italisë.
Shtetasi Glorildo Halili është lokalizuar dhe kapur në Durrës, më datë 07.11.2023, gjatë operacionit policor të koduar “Vendndodhja”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




