Gazeta Si – Lorenc Lala, 49 vjeç, është ekstraduar këtë të enjte, 5 mars 2026, nga Britania e Madhe, pasi akuzohet si anëtar i grupit të Laert Haxhiut dhe porositës i vrasjes së Albi Bashaliut. Autoritetet e Londrës kanë sjellë në pranga të kërkuarin, duke ia dorëzuar drejtësisë shqiptare në Rinas.
I njohur edhe me dy identitete të tjera, si Kristian Lala dhe Ilir Lamberti, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Ebasanit në tetor të 2023, që i ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
Lala akuzohej për veprën penale “vrasje për gjakmarrje”, “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “grup i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
49 vjeçari nga Lushnja, dyshohet se ka bashkëpunuar me Laert Haxhiun, Artan Tafanin, bashkëpunëtor i drejtësisë, Lulzim Spahija, Enriko Xhahysa dhe Bledar Berberi, për të vrarë Albi Bashaliun, ngjarje e ndodhur në muajin dhjetor të vitit 2021, në fshatin Gjocaj të Peqinit.
Lorenc Lala dyshohet të ketë siguruar armët e përdorura në krim, si dhe ka siguruar mjetet e transportit të grupit kriminal dhe largimin e tyre nga vendi i ngjarjes.
Albi Bashaliu u ekzekutua më 27 dhjetor të vitit 2021. 35-vjeçari u vra me armë në fshatin Gjoçaj të Peqinit sapo kishte zbritur nga makina e tij për të shkuar në një kafe. Pasi e ekzekutuan, autorët i dogjën Vashaliut edhe makinën.
Ai kishte precedentë penalë pasi 4 vite më parë kishte qëlluar me armë në drejtim të 2 personave në Peqin.
Ngjarja u dyshua për hakmarrje, pasi po në qershor të atij viti, vëllai i viktimës, Leonard Bashaliu vrau Ylber Xhahysën.
Bashaliu u konfliktua për motive banale me Ylber Xhahysën për gërvishtjen e makinës 5 vite më parë dhe ky konflikt çoi në atë ngjarje të rëndë kriminale.
Artan Tafani, bashkëpunëtori i drejtësisë dhe “ushtar” i bandës së Laert Haxhiut, ka rrëfyer se e qëlloi katër herë në trup viktimën, duke e lënë të vdekur në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje