Rend dhe Ligj

Ekstradimi i Durim Bamit nga Dubai, Balla optimist: I kemi instrumentet për ta sjellë në Shqipëri

Gazeta Si - Ekstradimi nga Dubai i të shumëkërkuarit të drejtësisë, Durim Bami, është kthyer në qendër të vëmendjes nga autoritetet shqiptare.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka thënë se janë në kontakt me autoritetet policore të Emirateve të Bashkuara dhe se janë në fazën e vlerësimit të dokumentacionit të përgatitur nga SPAK për ekstradimin e Bamit.

“Kjo është diçka për të cilën ne jemi në kontakt me organet kompetente me të cilat kemi një komunikim të shkëlqyer. Dua ta them shumë qartë që jemi në fazën e vlerësimit të dokumentacionit të përgatitur nga Prokuroria e Posaçme, nga pala e Emirateve të Bashkuara. Mos harroni që edhe ata kanë ato procedurat e tyre gjyqësore”.

Sipas Ballës, “të gjitha provat e paraqitura nga pala shqiptare do të vlerësohen nga autoritetet gjyqësore të Emirateve të Bashkuara Arabe. Unë jam i bindur që kjo qasje se Emiratet, apo Dubai në mënyrë të veçantë është një oaz që mund t’i shpëtosh përballjes me drejtësinë jo vetëm shqiptare, por të shumë vendeve, edhe autoritetet e këtij vendi mik e kuptojnë qartë që në rastet si ai që ju përmendni i kemi të gjithë instrumentet për ta tejkaluar dhe për ta vendosur jo vetëm këtë person, por edhe të tjerë si ky para drejtësisë shqiptare.”

Një sqarim lidhur me fshehjen e eksponentëve kriminalë në Dubai, ka dhënë dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

“Marrëveshjet e ekstradimit që shteti shqiptar, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme që vendos me vendet evropiane dhe më gjëra kanë të bëjnë me të drejtën e shtetit shqiptar për të ekstraduar me qytetarët e vet. Për të gjithë personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar, drejtësia shqiptare nuk ka nevojë për marrëveshje ekstradimi, janë dhe prevalojnë vendimet gjyqësore të vendeve përkatëse”.

Durim Bami është ndaluar në Dubai pas masës së sigurisë të lëshuar nga SPAK, si i dyshuar në organizim atentatesh në Shqipëri.

45-vjeçari u arrestua në fillim të qershorit, disa javë pasi u shpall në kërkim nga SPAK, kur emri i tij doli në komunikimet e zbërthyera të aplikacionit SKY.

Nga bisedat e verifikuara nga SPAK, rezulton se ai ka krijuar kushtet për vrasjen e ish-deputetit Arben Ndoka, Hektor Xheçukës dhe Erigers Mihasit.

Një ditë më parë, ministria e Drejtësisë dërgoi në Emiratet e Bashkuara fajtet dhe provat penale të Bamit në Shqipëri, duke i hapur rrugë një procesi të mundshëm ekstradimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë