Nga Gazeta Si – Çelet në Bibliotekën Kombëtare ekspozita me krijimtarinë e poetit Ali Podrimja.
Ekspozita në nderim të poetit kosovar vjen në kuadër të tetorit të librit si dhe të “Vitit Ali Podrimja”.
Vitin 2022 u shpall “Viti i Ali Podrimjes”, me rastin e 80-vjetorit të lindjes dhe 10-vjetorit të ndarjes nga jeta të poetit të njohur nga Kosova.
Ekspozita, e kuruar nga Etleva Domi, zv/drejtore e Bibliotekës Kombëtare, sjell kontributin shumëdimensional të Ali Podrimjes, si poet, përkthyes, redaktor, etj.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Domi u shpreh se “në vitin e 80-vjetorit të lindjes së tij, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, nëpërmjet një ekspozite modeste, sjell sot, në vëmendje të publikut, për herë të parë, të gjithë krijimtarinë e jashtëzakonshme të Podrimjes, prej botimeve të para e deri në botimet më të fundit të veprave të tij”.
Ekspozita paraqet rrugëtimin e krijimtarisë letrare të tij, që nis në vitin 1961 me botimin “Thirrje”, për të vijuar më pas me botime të shumta, ku Podrimja paraqitet në role të ndryshme, herë si autor poezish, esesh, prozash, herë si përgatitës veprash të ndryshme, si edhe jo pak herë edhe si redaktor.

Një vend të veçantë në të zënë edhe vepra e tij, përkthyer në disa gjuhë të huaja, si: frëngjisht, anglisht, gjermanisht etj., duke theksuar më tej se “libri, edhe në epokën digjitale, vijon të mbetet për të gjithë mjeti më i fuqishëm i dijes”.
Çeljen e kësaj ekspozite e përshëndetën edhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, si dhe studiuesi Behar Gjoka, të cilët vlerësuan një nga poetët më të veçantë të letërsisë shqipe.
Kjo ekspozitë vjen jo vetëm për të nderuar e kujtuar veprimtarinë letrare të poetit Ali Podrimja, por edhe për të sjellë në qendër të vëmendjes poezinë.
Ali Podrimja u lind më 28 gusht, 1942 në Gjakovë, Kosovë, në kohë lufte dhe pati një fëmijëri mjaft të vështirë.
Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare.
Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Thirrje” 1961, “Dhimbë e bukur” 1967, “Sampo” 1969, “Torzo” 1971, “Folja” 1973, “Credo” 1976, “Sampo 2” 1980, “Drejtpeshimi” 1981, “Lum Lumi” 1982, ”Fundi i Gëzuar” 1988, “Zari” 1990, “Në bisht të sorrës” 1994, “Buzëqeshje në kafaz” 1995, “Ishulli Albania”, “Pikë e zezë në blu” 2005.
Poeti Ali Podrimja, më 21 korrik të vitit 2012, u gjet pa shenja jete në qytetin Lodve të Francës, ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




