Stilisti ikonik, Yves Saint Laurent do përkujtohet me një ekspozitë të veçantë në Paris, në një ngjarje që shënon 60 vjet nga shfaqja e parë e stilistit në pasarelë dhe e përfshin figurën e tij mes të mëdhenjve të historisë kulturore franceze.
“Unë jam krejtësisht eklektik”, tha dikur stilisti, dhe kjo vërtetohet nga sa lehtësisht veshjet e tij përshtaten në muzetë që mbulojnë epoka dhe stile shumë të ndryshme.
Në Galerinë “Apollo” të Luvrit, krahas kurorave dhe xhevahireve të mbretërve dhe mbretëreshave franceze, “xhaketa e Versajës”, e mbuluar me gjethe ari dhe kristale duket si në shtëpi.
Luvri është një nga gjashtë muzetë që marrin pjesë në këtë bashkëpunim nik për të shënuar 60 vjet nga sfilata e parë e stilistit, kur ai ishte 26 vjeç. Nuk është hera e parë që Saint Laurent, i cili vdiq në vitin 2008, prezantohet me krijimet e tij në institucione të artit. Që në vitin 1983, pothuajse dy dekada pas shfaqjes së tij të parë, ai u bë stilisti i parë i gjallë që prezantoi punën e tij në një institucion të madh arti në Muzeun Metropolitan në Nju Jork.
“Shtëpia ka bërë tashmë kaq shumë përvjetorë. Doja të bëja diçka ndryshe”, tha Madison Cox, presidente e Fondacionit Pierre Berge-Yves Saint Laurent.
Ekspozita përfshin fustanet që ai bëri për “Ballin Proust”, një nga ngjarjet më dekadente shoqërore të Francës në shekullin e kaluar, organizuar nga familja Rothschild për të shënuar 100-vjetorin e lindjes së autorit. Ato fustane tani janë të ekspozuara së bashku me kryeveprat e Belle Epoque nga Monet, Degas dhe Renoir në katin e fundit të Muzeut “Orsay”.
Yves Saint Laurent pati shfaqjen e parë më 29 janar 1962, pasi la postin ambicioz në Christian Dior. Tanimë, 60 vjet pas shfaqjes debutuese, nga 29 janari deri më 15 maj 2022 Parisi i kushton atij YVES SAINT LAURENT AUX MUSÉE, një homazh i madh me 6 ekspozita të njëkohshme: ajo kryesore do të vendoset në Yves Saint Laurent, Muzeu i Parisit ndërsa 5 të tjerat do të vendosen në Qendrën Pompidou, Muzeu Kombëtar i Artit Modern, Muzeu kombëtar Picasso-Paris, Musée d’Orsay dhe Musée du Louvre.

Ekspozitat tregojnë se si krijimtaria e stilistit ka qenë gjithmonë e ndërthurur me magjepsjen e tij për artin.
Moda sipas Yves Saint Laurent
Sot moda e Yves Saint Laurent është marrë dhe ripunuar, përditësuar: aftësia e tij e madhe për të parashikuar e ka bërë atë të pavdekshëm. Nëse mendoni se diçka sot është “origjinale”, përpara se të përdorni këtë përkufizim, ju këshillojmë të shikoni sfilatat e tij të modës: sipas të gjitha gjasave, Yves Saint Laurent e kishte menduar dhe krijuar tashmë, falë aftësisë së lindur për të lexuar si dhe për të dëgjuar aromën e brezave të ardhshëm.
Krijimtaria e tij buron nga dikotomia dhe kjo e ka lejuar atë të insinuojë veten në strukturën shoqërore të kohës, duke arritur deri në ditët e sotme. Edhe koleksioni i tij më skandaloz (ai i 29 janarit 1971) është kthyer në një pikë referimi në botën bashkëkohore me tepricat e formave dhe ngjyrave, të treguara përmes pamjeve të para vintage që nuk janë parë kurrë në pasarelë. Pas atij dështimi qëndronte shoqja dhe muza Paloma Picasso, vajza e artistit të njohur kubist.
Ndikimi i Yves Saint Laurent ishte aq vendimtar sa në vitin 1983 Instituti i Kostumeve të Muzeut Metropolitan të Artit i kushtoi atij një retrospektivë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



