Nga Gazeta Si- Eksperti i Arsimit Ndriçim Mehmeti ka komentuar vendimin më të fundit të Ministrisë së Arsimit për të drejtën e maturantëve për ankimim të provimeve të maturës shtetërore në rast se ata kanë pakënaqësi në korrigjim.
Mehmeti shpjegon se ajo që Ministria e Arsimit shet si “për herë të parë”, ka ndodhur 12 vite më parë dhe u vërtetua që gabimi në korrigjim ishte i papërfillshëm.
Ai mendon se kjo nismë do të minojë procesin e Maturës Shtetërore sepse po përpiqet të zgjidhë padrejtësitë me padrejtësi.
Për të Matura Shtetërore ka probleme madhore dhe duhet riformatuar me masa ekstreme.
Ministria thotë që për herë të parë maturantit i aplikohet e drejta për ankimim.
Gjatë prezantimit të raportit të maturës shtetërore 2022, Kushi tha se fillimisht, maturanti pasi është pajisur me fotokopjen e testit, ka të drejtë ta paraqesë kërkesën për rivlerësim testi te komisioni i shkollës, ku është regjistruar si maturant.
Fotokopjet e testeve do të shqyrtohen nga dy mësues lëndor. Rishqyrtimi do të bëhet vetëm në lidhje me pyetjet e ankimuara dhe është mësuesi ai që vendos nëse këto teste do ti kalojnë QSHA-së për rivlerësim.
Kompetencën e rivlerësimit përfundimtar të testeve e ka QSHA që rivendos barkodet e hequra pas daljes së rezultateve të para.
Eksperti Mehmeti ka folur për këtë proces dhe problematikat që ka matura shtetërore.
Zoti Mehmeti, si kryhet procesi i korrigjimit të provimeve të maturës aktualisht dhe si e shikoni këtë vendim të Ministrisë për ankimimin?
Pikë së pari duhet thënë se ky proces nuk po ndodh për herë të parë. Për herë të parë ky proces ka ndodhur në vitin 2009 dhe ka rezultuar se ndër 3800 (pak a shumë maturantë) që kërkuan rivlerësim, vetëm 268 prej tyre rezultuan se kishin të drejtë në pretendimin e tyre me një gabim 0.2-0.5 notë. Procesi i rivlerësimit administrohej tërësisht nga AKP (sot QSHA-Qendra e Shërbimeve Arsimore). Formula e re e propozuar për rivlerësim paraqet një problem të madh, për faktin se ankimimi i nxënësit do të shkojë tek mësuesit e shkollës, të cilët nuk kanë as kualifikim e as certifikim për vlerësimin e testeve të Maturës Shtetërore. Atëherë me çfarë të drejte do të vënë në dyshim vlerësimin e 3 vlerësuesve të pavarur nga njëri-tjetri, të cilët janë të certifikuar nga QSHA? Kush do të na garantojë se nuk do të ketë subjektivizëm, pasi testi që do të rivlerësohet, tashmë do të jetë i identifikuar me emër e mbiemër të nxënësit? Procesi i rivlerësimit mund ta komplikojë edhe më shumë besueshmërinë e MSH dhe më shumë gjasa do të krijojë premisa për favorizim të maturantëve mbi bazën e njohjeve dhe pse jo edhe të ryshfetit.

Për ju është një e drejtë e munguar apo bëhet për efekt elektoral (për maturantët që votojnë për herë të pare)?
A është kjo një e drejtë e munguar? Mundet, por mënyra se si është vendosur të korrigjohet një padrejtësi, mund të ndodh që një padrejtësi të rregullohet me një tjetër padrejtësi, duke mos na siguruar në fund të ditës që padrejtësia në fakt, nuk do të ndëshkohet dhe drejtësia nuk do të vihet në vend.
A humbet besimi tek sistemi i Maturës Shtetërore? A minohet procesi?
Me këtë “rregullim” të ri, MAS pranon se vërejtjet e maturantëve për korrigjim jo të drejtë dy apo tri vite më parë, nuk kanë qenë thjesht justifikim i tyre për rezultate të dobëta, por brenda tyre mund të ketë edhe të vërteta. Po ashtu MAS, nuk ka bërë, apo nuk na ka ofruar ndonjë studim se sa ka qenë shkalla e gabimit në korrigjim dhe në cilat lëndë janë identifikuar gabime të tilla. Me këtë veprim MAS humbet shumë në sytë e publikut dhe thellon edhe më tej mosbesimin e publikut tek Matura, saqë ka shumë prej tyre që mendojnë se ajo është kaq e korruptuar dhe e deformuar saqë duhet të hiqet fare.
A ka probleme aktualisht Matura Shtetërore? Si zgjidhen?
Matura e sotme ka probleme të keqadministrimit, të kurseve që kanë lulëzuar prej mësuesëve që bëjnë me nxënësit e tyre dhe më gjerë, me këshillimin e karrierës që është thuajse nul në shkollat tona dhe me faktin që punohet shumë pak me maturantët gjatë tri viteve dhe aq më pak në vitin e tretë.
Matura do riformatuar me masa të ashpra për administratorët deri në humbje të profesionit dhe lirisë, por edhe për nxënësit me përjashtime deri në një vit nga Matura Shtetërore. Po ashtu duhet të bëhemi gati për provime me kompjuter individual, ku rezultati të dalë menjëherë pas mbarimit të provimit, duke shuar çdo aludim, përfolje apo akuzë për abuzim me notën. Kjo do të rriste besimin dhe do të siguronte një proces transparent dhe të pakontestueshëm. Për këtë duhen investime në infrastrukturën digjitale, të cilat ne nuk do ti bëjmë sepse buxheti që ne shpenzojmë për arsimin është qesharak. Nuk mund të rregullohet një proces kaq i rëndësishëm siç është MSH, duke e arnuar. Duhet një paketë masash, për të cilat ka shumë pak njohuri tek drejtuesit e arsimit parauniversitar në MAS dhe në institucionet e varësisë. Kam shumë frikë se procesi i rivlerësimit mund të sjellë më shumë kaos se të rregullojë padrejtësitë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.