Shendet

Alimehmeti: Fryma e shenjtë nuk i mbron dot spitalet dhe personelin shëndetësor

Duke marrë shkas nga vdekjet e njëpasnjëshme të mjekëve nga Covid-19, eksperti i shëndetit publik, Ilir Alimehmeti shprehet se duhen ruajtur sa më parë qendrat shëndetësore dhe spitalet.
“Që në fillim fare kemi thënë se të parat që duhen ruajtur si sytë e ballit janë spitalet dhe qendrat shëndetësore, sepse ato janë vatra nga ku mund të ndodhë përhapja më e fortë. Dhe mos të harrojmë që spitali në veçanti QSUT i ka krahët shumë të gjëra, pra rrezja e problematikave që mund të shkaktojë një spital ku shkon e gjithë Shqipëria janë të mëdha,”shkruan në një postim në rrjetin social “Facebook” eksperti.
Sipas tij është e drejtë të thuhet që duhet të evitohen grumbullimet, por më së shumti ato në spitale pasi përbëjnë një rrezik të madh.
Alimehmeti shkruan se tashmë nuk ka probleme me tamponët dhe kapacitetet janë më të larta kështu që duhet patjetër që  testohen mjekët dhe pacientët më shumë.
“Ka nevojë sa më shpejt për:
– Testime çdo javë me teste të shpejta të të gjithë personelit shëndetësor!
– Testim të çdo pacienti që vjen në spital për trajtime jourgjente dhe shtrim nëse rezulton negativ!
– Testim të çdo pacienti që vjen në spital me urgjencë, shtrim i tij, por të konsiderohet si pozitiv deri në daljen e përgjigjes së testit!,” përcakton Alimehmeti.
Eksperti shpjegon se që nga fillimi e deri më tani nuk ka ndryshuar asgjë. Sipas tij veprimet mbeten të njëjta dhe fryma e shenjtë nuk i mbron spitalet dhe as personelin shëndetësor.

“QSUT-ja, spitali më i madh në vend, nuk ka nevojë për më shumë se 300-350 testime në ditë!
A e bëjmë dot? Nëse nuk e bëjmë dot, të paktën:
A mund të mbyllim parkingun konçensionar në territorin e QSUT-së, që të paktën të mos futet kuç e maç në zonën e spitalit?  Apo as kaq nuk e bëjmë dot?,” shton eksperti Alimehmeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë