Politike

Ekspertët: Drafti i PS për shitblerjen e votës, aspak serioz. Depolitizoni KQZ-në

Komisioni i Reformës Zgjedhore ka kërkuar mendim nga ekspertë dhe organizma të pavarur për reformën zgjedhore. Mes organizmave që u është kërkuar mendim është edhe Instituti i Studimeve Politike.

Ky institut ka dalë me një përfundim paraprak vlerësues për draftin e përgatitur nga socialistët, ku qortohet si joserioze zgjidhja që ofrohet për shit-blerjen e votës me burim financiar paratë e krimit të organizuar.

“Zgjidhja që ofrohet nga drafti i propozuar është jo vetëm krejtësisht e parëndësishme, por edhe joserioze në gjuhë e zgjedhje. Konkretisht, sipas nenit 7 mjafton një deklaratë e kryetarëve të partive politike (nuk përfshihet të paktën formalisht as kandidati i pavarur, kandidati për deputet, kandidati për bashki, etj, por vetëm institucioni i kryetarit të partisë!!) dhe çështja konsiderohet e mbyllur”, vlerëson ISP.

ISP thotë se termat e përzgjedhur në këtë pjesë të draftit jo vetëm që lënë në dorë dhe dëshirë të kryetarëve të partive luftën ndaj këtij fenomeni, por nuk plotësojnë as elementët për t’u përfshirë në një reformë elektorale.

“Përveçse përdorimi i termave pompozë dhe pa domethënie si “angazhimi solemn”, propozimit i mungojnë të gjithë elementët që mund ta përfshijnë atë në një “reformë elektorale”. Një trajtim serioz i kësaj problematike mund të çonte në zgjidhje të tjera shumë më efektive dhe të kishte integrim të masave të propozuara me legjislacionin mbi dekriminalizimit të miratuar më 2015”, thuhet në vërejtjen e ISP-së.

Instituti sugjeron aplikimin e gjobave të majme ndaj subjekteve politike dhe përjashtimin nga administrata publike e personave të përfshirë në shit-blerjen e votës, duke përfshirë këtu edhe vetë komisionerët.

“Për shembull, penalizimi me 10-15-fishin e shumës financiare të një partie politike/subjekti politik që gjatë legjislaturës provohet se ka përfituar donacione nga burime kriminale ose të paligjshme. E dyta, mund të llogaritej përjashtimi nga administrata publike dhe sektori publik, etj, për një periudhë 4-5 vjeçare të çdo individi që përfshihet në praktikën e trafikimit të votës, përfshirë komisionerët. E treta mund të ishte penalizimi me 10 për qind të financimit në zgjedhjet e radhës të partive/kandidatëve që në zgjedhjet paraprake janë provuar se kanë përfituar fonde nga burime kriminale. Dhe së fundi, penalizimi i të gjithë drejtuesve të degës partiake, stafit elektoral, etj, përfitues financimi nga burime kriminale, për emërim në poste drejtuese në administratën publike dhe sektorin shtetëror”, këshillon ISP.

Lidhur me ndryshimet e propozuara për çështjet e përdorimit të burimeve shtetërore në fushata elektorale, ISP vlerëson se drafti nuk trajton problemet thelbesore dhe as nuk ofron zgjidhje funksionale. Oferta e ndërhyrjeve që përmbledh drafti lidhur me burimet shtetërore në fushatë elektorale është minore, e paplotë, deklarative dhe nuk sjell garanci përmirësimi në fushatat e ardhshme elektorale, vlerësohet nga stafi i ISP.

ISP vlerëson si diskriminues edhe nenin që përcakton marrjen e mandatit dhe respektimin e kuotave gjinore. Sipas draftit të PS-së, mandati i ndërprerë i kalon fillimisht kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse mbi bazën e parimit gjinor dhe kur kjo listë konsumohet, mandati i kalon kandidatit të gjinisë përkatëse të partisë politike të koalicionit me herësin më të lartë.

“Kjo është i tepruar, madje përbën cenim të parimit kushtetutes që lidh votën me përfaqësimin politik dhe krijon disproporcionalitet midis të zgjedhurve dhe zgjedhësve. Qytetari zgjedh kandidatin, ose partinë, ai nuk zgjedh gjininë, ndaj kalimi i mandatit partive të tjera politike në koalicion nuk ka kuptim, është diskriminim, nuk gjen modele referuese perëndimore dhe krijon bazë për kontestim politik”, vëren ISP.

Ndërkohë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit tërheq vëmendjen se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të marrin parasysh jo vetëm rekomandimet e fundit të OSBE/ODIHR, por edhe ato të paraqitur në zgjedhje të mëparshme.

“Rekomandimet në katër raportet e mëparshme janë të shumta edhe pse mund të ketë ndonjë përsëritje, apo formulime të ndryshme. 94 Rekomandime prej të cilave 31 Prioritare të pashqyrtuara nuk mund të mos krijojnë shqetësim aq me tepër kur synohet që Reforma Zgjedhore të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur”, vëren KShH.

Komiteti kërkon që me përparësi të shqyrtohet rekomandimi për depolitizimin e administratës zgjedhore.

“Depolitizimi i të gjithave organeve të administrimit zgjedhor, përfshi këtu edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të ishte një garanci në drejtim të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vendin tonë.

Zbatimi i këtij Rekomandimi nuk është i lehtë sepse do të reflektojë nryshimin e një numri relativisht të shumtë të dispozitave të Kodit Zgjedhor. Veç kësaj, ky nuk është thjesht një problem teknik. Këto ndryshime janë në fakt një përmbysje me kahje pozitive që duhet të garantojnë si besimin e zgjedhjeve edhe të subjekteve zgjedhorë. Kriteret se cili mund të ishte kandidat për në KQZ, KZAZ, KQV dhe grupet të numërimit të votave, mund të caktohen më shpejt dhe më lehtë, por procedura e zgjedhjes së tyre (modalitet, mekanizmi, certifikimi dhe trajnimi) do të kërkonin kohë. Do të duhej të percaktohej varianti më i mirë dhe më i përshtatshëm që do të mundësonte konsensusin”, këshillon Komiteti Shqiptar i Helsinkit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë