Ekonomi

Ekspertët: Buxheti i 2021 është buxheti i PPP, i parealizueshëm

Buxheti  i shtetit për vitin 2021 është i parealizueshëm, sipas ekspertëve, dhe ai i largohet fokusit të prioriteteve duke rritur peshën e investimeve me Partneritetin Publik Privat. Ndërkohë kreu i opozitës Lulzim Basha shkon edhe më tej duke e quajtur këtë buxhet të pavlefshëm.

LEXO EDHE:
Kalon buxheti në Kuvend. Prioritet Shëndetësia, por financimi sa vitin e kaluar

Zef Preçi, Drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike

Sipas ekspertit Zef Preçi, "Buxheti 2021 përsërit historinë e viteve leketorale". "Ai synon të ruajë angazhimin për të mbrojtur dhe mbështetur bizneset e oligarkëve. Mbi 50% e buxhetit është PPP duke thelluar investimet përmes këtij mekanizmi që për buxhetin e shqiptarëve është e rrezikshme. Buxheti i vitit të ardhshëm i është larguar shumë prioriteteve zhvillimore si arsimi dhe shëndetësia. Për këto zëra buxheti është zvogëluar", thotë eksperti Preçi për Gazetën “Si”.

Për të, ky buxhet është tejet optimist duke i çelur rrugën rritjes së tejskashme të borxhit që mandej do të justifikohet me katastrofat natyrore si tërmeti dhe pandemia.

Nuk është buxhet realist fare, mendon Preçi, duke theksuar se vazhdon të bartë problematikën strukturore që karakterizon ekonominë shqiptare.

“Kur lexon buxhetin vëren që janë shtyrë pagesat e para të PPP-ve duke reflektuar zhurmën e debateve mbi iceneratorët. Fokusi tek PPP-të tregon një arrogancë të kësaj qeverie që këmbëngul në mbështetjen e oligarkëve pavarësisht kritikave të vazhdueshme të organizmave ndërkombëtare financiare si FMN dhe Banka Botërore. Ky buxhet është i pazbatueshëm në kuptimin e prioriteteve duke e shpënë fokusin në periferi. Po zhbëhet roli rregullator i institucioneve të pavarura të shtetit. Ky buxhet ka tendencën për të rritur sigurinë në favor të lobeve të bizneseve të oligarkëve, modeli Aeroporti i Vlorës ku vërehet që vlera e dhënë nga buxheti i shtetit është më e madhe se sa vlera e investimit duke ia faturuar riskun buxhetit të shtetit”, shpjegon eksperti Zef Preçi.

Të njëjtën gjë mendon edhe eksperti Mateo Spaho, i cili thotë se buxheti ka lidhje me të ardhura që nuk do të realizohen dot dhe ka lidhje me shpenzime që mund të realizohen por që do të thellojnë edhe më tej situatën e deficitit dhe të borxhit publik.

Ai konsideron shqetësues faktin që koncesionet, në vend që të uleshin do të rriten dhe fatura e pagesës së tyre do të rritet.

Spaho sqaron se rritja e pagës minimale mund të konsiderohet një ‘taksë’ për privatin pasi në shtet nuk ka njeri me pagë minimale dhe vetëm bizneset private do të rrisin këto paga.

Mateo Spaho, ekspert në fushën e ekonomisë

Ai mendon se ulja e taksave të premtuara që me shumë gjasa sipas tij mund të realizohet, do të jetë afatshkurtër sepse ekziston mundësia që pas fitimit të zgjedhjeve në maj ose qershor qeveria ta vendosë sërish tatimin mbi fitimin te biznesi i vogël dhe të rivendosë taksat që përkohësisht ka hequr.

“Pra, më duket më shumë një buxhet elektoral në këtë sens që premton se do të derdhë shumë para, dhe do t’i derdhë deri në muajin e pestë të vitit sepse pastaj nëse zgjedhjet do të fitohen nga qeveria aktuale, do të jenë të detyruar që sërish të rrisin nivelin e taksave, të ulin nivelin e shpenzimeve dhe të mos mbajnë ato premtime ose ti mbajnë vetëm për një periudhë pesë mujore”, shprehet Mateo Spaho.

Kurse kreu i opozitës Lulëzim Basha në konferencën e radhës për shtyp ka deklaruar se “kjo është periudha më e keqe për të bërë buxhet elektoral sepse jemi në recension ekonomik.”

Lulzim Basha, kreu i PD-së

Ky është buxheti më i papërgjegjshëm në 30 vite, ka thënë ai, gjatë daljes për mediet, gënjeshtra më e madhe në 30 vite.

“Tablo më e qartë e Edi Ramës që edhe në muajt e fundit të pushtetit zgjat dorën në xhepat e shqiptarëve për të vjedhë paratë e tyre për koncesione PPP. Vetëm inceneratorët do të marrin vitin që vjen 6 herë më shumë se planifikimi për indeksimin e pensioneve. 3 herë më e lartë se shuma e dedikuar për familjet në nevojë dhe në ndihmë ekonomike.Kurrë nuk ka qenë më e qartë zgjedhja e një qeverie sesa të zbatojë planin tonë me 5 pika", thotë Basha.

Koncesionet/PPP aktive me mbështetje financiare nga Buxheti i Shtetit

Qeveria ka planifikuar të paguajë sipas buxhetit për 2021, 14.46  miliardë lekë ose 120 mln për pagesat për 13 kontrata koncesionare që janë aktive.

Në krahasim me 2020-n, kur kontratat që mbetën pezull ose u reduktuan për shkak të dy goditjeve që përjetoi vendi; tërmetit dhe pandemisë (l 7.9 miliardë lekë), sipas buxhetit 2021, do të bëhen vitin e ardhshëm.

Pagesat për koncesionet në vitin 2021 qeveria i ka parashikuar në buxhet sa gati 16% të totalit të shpenzimeve kapitale të planifikuara.

Pagesa më e lartë është për koncesionin e rrugës së Arbrit, që po ndërtohet dhe shuma arrin 4.1 miliardë lekë.

Mandej janë katër koncesionet e shëndetësisë, check-up, sterilizimi, dializa dhe ai i laboratorëve që sëbashku do të marrin 4.6 miliardë lekë, ose 37 milionë euro, sa një e treta e gjithë pagesave për koncesionet në 2021. Ndër to, më i shtrenjti vërehet se është sterilizimi, për të cilin në buxhet janë parashikuar 1.7 miliardë lekë. Kurse koncesioni i laboratorëve do të marrë 1.28 miliardë lekë  në 2021. Check up dhe dializa do të marrin përkatësisht  876 mln lekë dhe 779 mln lekë.

Projektbuxheti i 2021 që u miratua dy ditë më parë në një mbledhje të posaçme qeverie parashikon 2.2 miliardë lekë për inceneratorët; respektivisht 1.38 miliardë lekë për “Ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e vevddepozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike, Tiranë”, (nga 980 milionë lekë në vitin 2020), për “Ndërtimin, operimin dhe transferimin e inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Fier” 752 mln lekë në, (nga 192 mln lekë të planifikuara për 2020).

Qeveria ka planifikuar që të nisë punimet edhe për rrugën Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat me respektivisht 65 milionë lekë dhe 394 milionë lekë. Tëq dy koncensione mjaft të debatuara.

Shërbimi i skanimit në dogana është planifikuar me 1.58 mld lekë, nga 1.14 mld lekë vitin 2020.

Ashtu si në buxhetin paraardhës, Ministria e Financave thekson se kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat koncesionare/PPP është sa 5% i të ardhurave tatimore të pritshme të vitit të mëparshëm ose 19.71 miliardë lekë dhe nuk do  të tejkalohet.

Një tjetër koncesion i ri që pritet të fillojë ai për përmirëismin e infrastrukturës arsimore të Bashkisë Tiranë, për të cilat parashikohen në buxhet 685 milionë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë