Ekonomi

Kalon buxheti në Kuvend. Prioritet Shëndetësia, por financimi sa vitin e kaluar

Fond i veçantë për Covid-19

Ministrja e Financave Anila Denaj ka prezantuar sot (të mërkurën) buxhetin e 2021-it në Konferencën e Kryetarëve ku është përcaktuar edhe kalendari deri në 3 dhjetor.

Ministrja Denaj ka theksuar se Buxheti i 2021 është buxheti i shëndetësisë, arsimit dhe rindërtimit, por financimi për shëndetësinë , mbetet i njëjtë me planin për vititn e kaluar, 2,9%.

“Shëndetësia, financimi do të mbetet në nivelet 2.9% e PBB mesatarisht kjo edhe për vitin 2021-2022, ku përveç rritjes së pagave, do të ketë dhe do të jenë shpenzimet dhe investimet në infrastrukturë dhe shërbim ku mbulimi universal i popullsisë me shërbim shëndetësor duke parashikuar 6.4 milionë numër vizitash në periudhën 2021-2023, mbështetur në treguesit e sëmundshmërisë. Ofrimi i shërbimit të kontrollit për mesatarisht 475 mijë pacientë në vit, trajtimi me recetë rimbursimi i mesatarisht 400 mijë pacientëve në vit, përgjatë periudhës trevjeçare, rritja e numrit të pacientëve që përfitojnë nga paketat e kardiokirurgjisë dhe kardiologjisë, numri i pacientëve përfitues nga shërbimi i dializës për vitin 2020 është 1,346 pacientë, e çdo vit shtohen rreth 150 pacientë.”- tha Ministrja Denaj gjatë prezantimit.  

Por qeveria sipas buxhetit të prezantuar nga Denaj ka menduar një fond më vete për përballimin e situatës shëndetësore të pandemisë prej 6 mld lek, ku përfshihen edhe shpenzimet për vaksinën.

“Për vitin 2021, kostoja totale e prioriteteve për përballimin e pandemisë COVID-19 do të financohet nga buxheti është rreth 6 miliardë lekë, ku përfshihet dhe kosto e parashikuar për vaksinën Anti-COVID dhe do të garantojë një menaxhim sa më të mirë dhe efikas të pandemisë COVID 19 (Sigurisht tek kjo shumë nuk parashikohet shuma e rritjes së pagave që unë e përmenda pak më parë)”.

Ministrja informoi mbi prioritetet e buxhetit të vitit të ardhshëm, ku kryefjala ishte rimëkëmbja ekonomike, që sipas saj, vjen si vullnet i palëkundur i Qeverisë, për të përballuar me sukses dy fatkeqësitë natyrore që kanë goditur vendin tonë mënyrë të njëpasnjëshme gjatë fundit të vitit 2019 dhe fillimvitit 2020: tërmeti i 26 Nëntorit dhe pandemia e shkaktuar nga COVID-19.

 “Pritshmëria jonë mbi rritjen ekonomike në fund të vitit 2020 është parashikuar në nivelin -6.1%. Për vitin 2021 parashikohet qe ekonomia shqiptare do të rikthehet në trendin normal të rritjes së qëndrueshme ekonomike, ku parashikohet një rritje prej 5.5%. Niveli i lartë i rritjes ekonomike i parashikuar për 2021 do të përkthehet në më shumë punësim dhe njëkohësisht në ri-marrjen e punësimit dhe rënie të nivelit të papunësisë në 12.2% në 2021 krahasuar me 13.9% që pritet në fund të vitit 2020. Në këtë kontekst, projektbuxheti 2021 do të vijojë të mbështesë nxitjen e krijimit të vendeve të reja të punës me politika incentivuese fiskale si dhe me skema më efektive të punësimit dhe aftësimit profesional.”- është shprehur ministrja Denaj gjatë prezantimit të projektligjit të buxhetit.

Për arsimin ajo përmendi që buxheti i vitit të ardhshëm parashikon dhënien e teksteve shkollore falas për klasa 1-7, si dhe në vitin 2021 për klasat e 8-ta dhe 9-ta; kompensimin, në masën 100 % fëmijëve që vijnë nga familje që i përkasin shtresave vulnerabël apo minoriteteve, sigurimi i transportit të 30-32 mijë nxënësve për ndjekjen e arsimit parashkollor , etj.  Ajo foli edhe për Paktin për Universitetet që sipas saj, do të realizohet përmes financimit me përparësi për ringritjen dhe përmirësimin e infrastrukturës  dhe investimeve në kampuset universitare, si dhe Fondi i mbështetjes  studentore, për të mbuluar shpenzimet për bursat e studentëve nga  shtresat sociale në nevojë, si dhe studentëve ekselencës dhe përjashtimi apo reduktimi i tarifave vjetore të shkollimit për studentët e ekselencës apo studentët e kategorive sociale.

Buxheti i 2020-ës do të miratohet në fillim të dhjetorit, që sipas kreut të parlamentit, Gramoz Ruçi është brenda afateve ligjore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë