Ngjarje

Ekskluzive/ Zbardhet vendimi për Luan Dacin: SPAK doli jashtë kompetencave

Teksa gjyqtari i KPA Luan Daci është kthyer në detyrë dhe ka nisur relatimin e seancave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nën vetting, gjykata e posaçme kundër korrupsionit ka zbardhur vendimin, që rrëzoi SPAK.

Fraza më e rëndësishme lidhet me kompetencat e SPAK që sipas gjykatës së Apelit në rastin e gjyqtarit të KPA-së doli nga kompetencat, pasi në vend që të merrej me veprën e dyshuar, trajtoi proçedurat e emërimit të një anëtari drejt institucioneve të rivlerësimit. Kjo fjali ngjan se do tu japë përgjigjje edhe dy rasteve të tjera që ndodhen në duart e prokurorëve të posaçëm, të cilët po shqyrtojnë kallzime për komisionerë të institucioneve të rivlerësimit.

Por pavarësisht kësaj pritet që SPAK t’i drejtohet me rekurs Gjykatës së Lartë duke insistuar pezullimin nga detyra të gjyqtarit të vettingut, i cili ka dhënë mjaft vendime shkarkimi kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend.

Gazeta “Si” mëson ekskluzivisht se vendimi që ngjan sa doktrinar, aq edhe me fraza konfuze në gjuhën shqipe, shpjegon me rrënjë koncepte si ‘falsifikimi’ dhe ‘dokumenti’ , por njëkohësisht është edhe i pakuptueshëm dhe i paqartë kur flet konkretisht për rrethanat  dhe për një përgjigje të saktë, se çfarë emri mban fshehja nga Luan Daci e faktit që ai ishte përjashtuar nga drejtësia vite më parë.

Mes rreshtave kuptohet sidoqoftë se kjo përgjegjësi është vetëm morale dhe aspak penale.

Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi ekskluzivisht në dispozicion të gazetës “Si”  vendimin e tre gjyqtarëve të shkallës së dytë Dhimitër Lara, Nertina Kosova dhe Sokol Binaj. Në këtë vendim kuptohet qartë se mohimi nga Luan Daci i masës së largimit nga detyra plot 23 vjet më parë, nuk është vepër penale dhe për rrjedhim, thotë gjykata, i mungon kundërligjshmëria. Treshja e gjyqtarëve jep argumente ku si fillim thekson se dyshimi i SPAK nuk është i arsyeshëm mbi egzistencën e veprës penale dhe rrjedhimisht mbi autorin e saj. Megjithatë vendimi i formës së prerë është plot kontradikta dhe gati gati i pakuptueshëm kur vjen fjala tek dyshimi a ka falsifikuar apo jo gjyqtari i Apelit një dokument? SPAK këmbëngul se gjyqtari Daci dyshohet për falsifikim pasi në kërkesën e datës 3 shkurt 2017 ka shënuar

“ndaj meje nuk është marrë masë disiplinore e largimit nga puna ose ndonjë masë tjetër e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e aplikimit”.

“SPAK thotë se, Luan Daci ka paraqitur rrethana të pavërteta përkundrejt atyre që përfaqëson dokumenti i datës 24 dhjetor 1997  i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për largim nga detyra të gjyqtarit”

Por gjykata, në vendimin që gazeta “SI” zbardh si më poshtë shkruan në krye të herës se çfarë është dokumenti në vetvete që nga forma shkresore deri tek filmikja dhe fotografikja . “Kështu, dokumenti është përfaqësim, ai nuk është gjë tjetër veçse provë e materializuar që jep njohje mbi egzistencën e faktit, personit apo sendit” shpjegojnë më tej gjyqtarët e posaçëm. Duke zbërthyer kuptimin e falsifikimit gjyqtarët vazhdojnë “paqësisht është pranuar që falsifikimi është kryerja e qëllimshme e veprimeve të fshirjes, prishjes që shtrëmbëron  duke paraqitur në vetë dokumentin rrethana të pavërteta, si edhe kryerja e veprimeve për të përpiluar një dokument krejtësisht të ri të dokumentit original”

Gjyqtarët duke marrë me radhë veprimet e prokurorit të SPAK  shtojnë se sipas dyshimeve të akuzës, ky falsifikim është kryer në kërkesën e datës 3 shkurt 2017 të të hetuarit Luan Daci. Por sipas gjykatës në referim të dokumenteve që kërkoheshin për garën drejt institucioneve të rivlerësimit, Luan Daci nuk bëri gjë tjetër veçse shprehu interes për pozicionin dhe vendin vakant. “Për këtë dyshimi i falsifikimit duhet të ngrihet mbi shprehjen e interesit ashtu edhe mbi radhën e vendit vakant” arsyetohet më tej në vendimin që gazeta “Si” po zbardh. Deri këtu gjithçka ngjan e kuptueshme dhe nuk kërkon shumë profesionalizëm juristi.

Por, më tej fjalitë kthehen kaotike dhe pa asnjë kuptim në shqip. Nga një vëzhgim i gazetës “SI” mbi kuptimin e këtij verdikti fraza argumentuese e gjykatës ku deklaron arsyet se përse Daci nuk ka falsifikuar kur nuk tregoi që ishte larguar nga drejtësia me vendim të KLD-së, ngjan e pakuptueshme. Fjalia e zbardhur nga vendimi është si vijon:

“Pra nuk dallohet se janë kryer qëllimisht  as veprimet e fshirjes, zhdukjes  apo prishjes që shtrembëron duke paraqitur në dokument rrethana të pavërteta  si të  shprehjes së interesit ashtu dhe të radhës së vendeve vakante  dhe as  nuk është përpiluar krejtësisht i ri ky dokument me paraqitjen e rrethanave të pavërteta  të mungesës së shprehjes së interesit, e kështu i pafalsifikuar dokumenti e aq më tepër nga vetë i hetuari Luan Daci”

Argumenti vazhdon sërish i vështirë për tu kuptuar:

Më tej sepse prokurori dyshon se falsifikimi është kryer përkundrejt të vërtetës që përfaqëson dokumenti ‘vendim nr 6, datë  24.12.1997’ që ka larguar nga detyra e gjyqtarit z. Luan Daci, ky kolegj specifikon se  nga parashikimi se bashkëlidhur me kërkesën, kandidati dorëzon 2 kopje të dokumentave që mëposhtme dhe sepse në nenin 6 të këtij ligji parashikohet kriteri ‘ndaj tij të mos jetë marrë masa  disiplinore  e largimit nga puna..”fare qartë del në pah se dokumenti që përfaqëson dhe për këtë provon ’marrjen ose jo të masës disiplinore” është ai i organit përkatës, që në rastin konkret është Këshilli i Lartë i Drejtësisë”.

Gjykata e posaçme thekson dhe në këtë pikë është e qartë se asnjë normë ligjore nuk kërkon që fakti i masës disiplinore i largimit nga detyra  duhet të jetë në përmbajtje të kërkesës së kandidatit. Cka do të thotë se ky mos tregim, apo mos shënim apo mohim sipas gjykatës nuk është në gjendje dhe as ka prekur falsifikimin e dokumentit të dorëzuar dhe që ka formën e kërkesës për të garuar për një vend në KPA Ky mohim në vetvete me të njëjtën llogjikë sipas gjyqtarëve nuk ka prekur as përmbajtjen e dokumentit original që mban datën 24 dhjetor  1997  të KLD që flet për largimin nga detyra. Sipas gjykatës për dhënien e një mase duhet të plotësohet kushti i dyshimit të arsyeshëm që duhet të bjerë mbi faktin penal dhe jo mbi faktin jo penal. Më tej, gjykata mban rezerva edhe për prokurorin e SPAK

Konkretisht gjykata thekson se, “ nga çka shfaqet qartë, hetimet e prokurorit janë zhvilluar jo mbi ato të nevojshme që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale të falsifikimit të dokumentit nga zoti Luan Daci, por me hetimet që lidhen me pozicionin e anëtarit të institucionit të rivlerësimit’. Kjo do të thotë sipas gjykatës së posaçme se SPAK kreu hetime jashtë kompetencave të caktuara, siç është edhe emërimi i anëtarit të institucionit të rivlerësimit.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë