Përveç vrasjes së Pëllumb Eminit, që i kushtoi më pas masakrimin e së ëmës nga hasmi, gazeta “Si” mëson se krimi tjetër që e mbajti në burg Lulzim Cakën ishte tentativa për të vrarë ish-shefin e Beratit, Ilir Ngresi dhe ish-shefin e Kuçovës, Gani Malushi. Për krimin e parë Lul Caka u dënua me 20 vjet burgim, për të dytin që ishte vrasje e mbetur në tentativë për shkak të cilësive të veçanta, Caka u dënua me 25 vite burgim.
Dy vjet të tjera “i tmerrshmi i Beratit” i mori nga gjykata dhe për akuzën e armëmbajtjes pa leje. Në përfundim duke bashkuar të gjitha dënimet për të, gjykatat shqiptare e dënuan me 25 vite heqje lirie, për çështje që Lulzim Caka u kundërshtonte autorësinë.
Gazeta “Si” ka arritur të zbulojë se për ekzekutimin e Pëllumb Eminit që ishte vëllai i Mile Camit (i vdekur në burg, i dënuar për vrasjen e nënës së Cakës), Lulzim Caka iu tha gjyqtarëve se nuk e njihte dhe nuk e kishte njohur kurrë viktimën. Ndërsa për sulmin ndaj policisë, Caka refuzoi sërish të ishte autor me justifikimin se në mars 1998 kishte qenë duke udhëtuar me motor së bashku me shokun e tij, Xhevahir Çela. ‘Po udhëtoja në drejtim të Urës Vajgurore, - rrëfeu “i tmerrshmi i Beratit”, dhe policia hapi zjarr duke na qëlluar”. Por, siç dihet, zakonisht njerëzit e krimit përherë vetëdeklarohen të pafajshëm. Kjo çështje për shkaqe sigurie nuk u gjykua asnjëherë në Shkallën e Parë të Beratit, por në Gjykatën e Fierit, sikundër ka ndodhur edhe në ngjarje të mëvonshme të Tropojës që u transferuan në Tiranë për t’u shqyrtuar.
Në fakt, ngjarja e fundit e sulmit ndaj policisë përshkruhet në dokumentet që gazeta “Si” disponon, me dy dëshmi , të dy ish-zyrtarëve të policisë që ishin në aksion dhe që sot të dy janë dëshmorë të policisë. Ilir Ngresi u vra dy vjet më pas në qytetin e tij të lindjes në Vlorë sipas një plani të organizuar nga Kastriot Jaupaj që është shoku i Lulzim Cakës. Gani Malushi u vra për hakmarrje në qytetin e Durrësit nga Agim Peposhi.
Çfarë thuhet në dosjen që gazeta “SI” disponon?
Më 18 mars 1999, Policia e Beratit së bashku me forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë organizuan postblloqe në të gjithë qytetin për të arrestuar personat për të cilët kishte informacione që lëviznin të armatosur. Gazeta “Si” ka mësuar se njëri nga këto postblloqe u ngrit në afërsi të një pike karburanti që ishte në pronësi të shtetasit Nadir Shehu, që gjendej në fshatin Pobrat. Në mesditë drejt postbllokut po udhëtonte një motor, të panjohur nga distanca, por që më pas forcat e vendosura aty u njoftuan në radio se dy të panjohurit ishin Lulzim Caka dhe shoku i tij, Xhevahir Çela. Menjëherë policia ka bërë shenjë që ata të ndalojnë, por ata menjëherë kanë reaguar. Policia është kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe aty ka mbetur i vrarë Xhevahir Çela. Personi tjetër, pasi motori është rrëzuar, është hedhur në kanal dhe ka filluar të qëllojë në drejtim të policisë derisa e kanë lënë forcat, pasi ka mbetur i plagosur. Ai e ka hedhur automatikun në tokë dhe aty është kapur nga policia.
Çfarë rrëfyen policët që ishin në postbllok?
Gazeta “Si” ka arritur të zbulojë se rrëfimi i komisarit Ilir Ngresi, në atë kohë shef i Komisariatit Berat dhe sot dëshmor i policisë është më prekësi. Pasi tregon se ishin vendosur në postblloqe për të kapur njerëzit e armatosur, komisari tregon se po ushtronin operacion për kapjen e të kërkuarve dhe atyre që qarkullonin me armë “ai filloi të shajë dhe të qëllojë në drejtimin tim dhe mua më ka shpëtuar vetëm rastësia”. Njëri nga shokët thirri “të vrau shef, mos u ngri”, deklaroi menjëherë pas ngjarjes komisari, që përshkruante se atë dhe të pandehurin i ndante vetëm rruga automobilistike. Kjo më bëri që unë mos ta harroj atë fytyrë, edhe pse më herët e kisha parë, pasi isha shef komisariati. Gentian Musabelliu, inspektor dhe në detyrë në atë posbllok thotë në dokumente “për t’u shpëtuar goditjeve u pozicionuam”. Duke u afruar zëri që ishte hedhur në kanal thirri “mos u afroni, do t’ju vras” dhe vazhdonte qëllonte në drejtimin tonë duke u përgjigjur vetëm me të shtëna. Në kohën kur zjarri pushoi unë lëviza bashkë me Ilir Ngresin dhe kur iu afruam i vendosëm armën te koka, ai ngriti duart lart dhe tha “jam Lul Caka”. Oficeri tjetër i policisë Julian Kuci kujton se përpara se njerëzit që ishin në motor të qëllonin në drejtim të policisë kishte bërtitur “mos u afroni o masakarenj”.
Rrëfimi i Arben Frashërit, ish-shef i policisë kriminale që gazeta “Si” disponon
Ne ishim në një postbllok më para atij ku ndodhi vatra e zjarrit. Lulzim Caka kaloi i armatosur bashkë me shokun e tij dhe ne bëmë thirrje të ndalonin. Ata u larguan dhe ne njoftuam postbllokun tjetër.
Policia sekuestroi dhjetëra gëzhoja automatiku dhe një maskë dhe kapele që lexonte ‘Reebook’.
Akuza e vrasjes së Pëllumb Eminit
Gazeta “Si” ka arritur të zbulojë se në datën 21 korrik 1997 Lulzim Caka gjendej në lavazhin Sadiku në afërsi të Lushnjës. Aty ka shkuar të lajë makinën viktima Pëllumb Emini, ku edhe ka nisur sherri se kush do ta lante i pari makinën. Në grindje e sipër viktima e qëllon me pëllëmbë Lul Cakën dhe ai kthehet i qetë në makinën e tij, ku ka marrë armën. Të dy djemtë edhe Pëllumbi, i cili ndërkohë ka nxjerrë pistoletën dhe Lul Caka kanë filluar të qëllojnë mbi njëri-tjetrin. I vetmi që është lënduar nga ky sherr është një kalimtar i rastit që është plagosur. Por nuk është mbyllur me kaq. Pëllumb Emini arrin të largohet në këmbë duke e lënë makinën në lavazh dhe pak minuta më vonë kthehet me një makinë tjetër dhe nën shoqërinë e një shoku. Por pa zbritur ende mirë nga makina e dytë ku siç duket deshi të vinte pikat mbi “i”, Lulzim Caka e pret me një breshëri të dytë, duke e lënë të vdekur në vend. Gazeta “Si” mëson se për këtë krim në dosje ekziston edhe dëshmia e një dëshmitari okular, i larguar nga Shqipëria që tregon për policinë “fierakun e vrau një djalë me flokët e gjatë që quhej Luli nga Berati”. Një tjetër dëshmitar rrëfen madje se atij i kishin kërkuar të shikonte nëse ai që kishte qëlluar a kishte vdekur apo jo. “Shkova e pashë që kishte mbaruar dhe ia thashë, pastaj ai iku”, thotë dëshmitari.
Lavazhieri
Gazeta “Si” sjell dëshminë e një tjetër dëshmitari, i cili tregon se sa lehtë vriteshe në ato vite, qoftë edhe për larjen e makinës. Ai është A. Kiptiu që ditën e “far west” ishte punëtor i lavazhit. “Isha punëtor atë ditë, nga ora 9:00 apo 10:00 erdhi i pandehuri me një ‘benz’ të bardhë dhe viktima me një ‘benz’ të zi. Filluan të grindeshin me njëri-tjetrin se kujt do ia laja i pari makinën. Viktima e kapi për fyti dhe i grisi këmishën. Aty hyri një A. S, i cili deshi t’i ndajë. U shtuan edhe dy të tjerë që i thoshin Lulit nga Berati të mos qëllonte. U fsheha në një ndërtesë që po ndërtohej afër lavazhit, sepse ai bërtiti largohuni se do ta vras. Ika në shtëpi, të nesërmen erdhi një shoku im dhe më tha Luli nga Berati e vrau fierakun.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.