Gazeta Si – Në tryezën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marko Rubio, mes shumë dosjeve me rëndësi botërore, tani ndodhet edhe një letër nga Shqipëria.
Letra ka autorësinë e opozitës shqiptare, e përfaqësuar nga Partia Demokratike. GazetaSi.al u informua nga burime zyrtare që janë në dijeni të përmbajtjes së kësaj letre, se opozita po synon të tërheqë vëmendjen amerikane për zgjedhjet e 11 majit.
“Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka shkelur çdo normë në raport me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, korrupsionin dhe praninë e krimit të organizuar në politikën dhe ekonominë e vendit”, – tha për GazetaSi.al një burim familjar me letrën që opozita i ka dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit.
I njëjti burim shpjegoi se në letër nuk përfshihet çështja e shpalljes “non grata” të liderit të PD, Sali Berisha.
Opozita e konsideron atë si një çështje të kapërcyer politikisht dhe një mbetje nga administrata e kaluar, që nuk dëmton marrëdhëniet me SHBA, përderisa strategu i fushatës së presidentit Trump pranoi të bëjë të njëjtën gjë edhe për zotin Berisha.
Megjithatë, letra drejtuar Sekretarit Marco Rubio, nuk lë pa përmendur qendrimin se drejtësia në Shqipëri po përdoret si armë politike kundër opozitës.
GazetaSi.al është informuar se pas marrjes së letrës nga Sekretari i Shtetit Marko Rubio, janë disa kongresmenë dhe senatorë që do ta shtyjnë përpara çështjen, në mënyrë që administrata amerikane të ketë një përgjigje dhe një qendrim për zgjedhjet në Shqipëri.
Diçka e ngjashme ndodhi edhe përpara zgjedhjeve të vitit 2017, por në një formë tjetër dhe për një çështje tjetër.
Në vend që të merrte ajo autorësinë, siç ka ndodhur tani me letrën për Marko Rubion, 6 senatorë republikanë i kërkuan Sekretarit të atëhershëm të Shtetit të investigonte sesi po përdoreshin fondet dhe misionet diplomatike amerikane në Shqipëri dhe Maqedoni.
Ata ngritën shqetësimin për përdorimin e fondeve amerikane në Shqipëri nën ndikimin e George Soros për të ndikuar drejtësinë dhe për ta vendosur atë nën kontrollin e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë administratës së parë të Presidentit Trump nuk pati një investigim të tillë, kështu që mbetet për t’u parë se cili do të jetë reagimi tani i Sekretarit të Shtetit Marko Rubio për shqetësimet e ngritura nga Partia Demokratike për zhvillimin e zgjedhjeve të 11 Majit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.