Ekskluzive

Ekskluzive / Fotografia që fundosi ‘atletikën’ shqiptare!

Gjykata sportive ‘Spor Resolutsion’, në të cilën kishte përfunduar në fillim të këtij viti çështja e shumëpërfolur e akuzave për mashtrim me rezultatin e garës së Izmir Smajljat, presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës dhe trajnerit të tij Gjergj Ruli, dhe sekretarit të përgjithshëm të federatës, Nikolin Dionisi, doli në përfundim të çështjes edhe pas apelimit se sportisti është i pafajshëm. U përjashtuan ndërkohë të dy zyrtarët e lartë të Federatës Shqiptare të Atletikës.

"Gazeta Si" ka arritur të sigurojë dosjen e plotë të kësaj çështjeje, që shkatërroi organin drejtues të këtij sporti në vendin tonë.

Sipas saj, në pikën 11 të vendimit thuhet se më 10 janar të vitit 2023 sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Atletikës, z.Nikolin Dionisi, ka pranuar gabimin e bërë prej tij dhe si rrjedhojë (në një formë të gjykimit të shkurtuar), ai është dënuar me 4 vite pezullim nga të gjitha aktivitetet e atletikës, sipas kërkesës fillestare të bërë nga Njësia e Integritetit të Atletikës.

Fotoja e famshme qe fundosi atletiken. Gazeta Si, 25 prill 2023

Fotografia…
Gjithçka lidhet me garën e 2 viteve më parë në aktivitetin e quajtur “Dita e Kërcimeve”, më 8 maj 2021, kur Izmir Smajlaj vendosi një rekord të ri kombëtar me kërcimin 8.16 m, duke përmirësuar veten e tij, pasi në vend askush nuk i afrohej. Në rezultatin e dërguar Federatës Botërore në procesverbal është vendosur edhe një shifër e shpejtësisë së erës, një njësi që matet me një pajisje të posaçme, që vendi ynë nuk e ka poseduar asnjëherë. Në të vetmet gara që është përdorur, është huazuar nga vendet fqinje.

Një manovër e nxituar që ka rënë në sy të Federatës Botërore, pasi kjo shpejtësi e erës ishte vetëm në rezultatin e Izmirit dhe jo të sportistëve të tjerë. Fakt që solli dyshime të mëdha dhe nga aty nisi hetimi.

Më pas, në dosje thuhet se presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës i ka dërguar një foto sekretarit, ku duket Izmiri në pistën e kërcimit dhe në sfond një mates ere. Një foto që në fakt është dërguar edhe në Federatën Botërore gabimisht, duke filluar një kalvar i gjatë aludimesh për mashtrim.

Në të vërtetë, fotoja që disponohet ekskluzivisht nga Gazeta SI (e konsultuar edhe nga specialistët), ka shumë elementë që nuk lidhen me ditën e garës dhe nuk ka se si të ishte shkrepur, për të justifikuar proceverbalin. Si fillim, matësi i ilustruar në foto nuk është matës profesional ere për gara atletike. Bëhet fjalë për një matës Wohler FA 410, që përdoret për nevoja private shtëpiake, ose për biznese të ndryshme, por jo sportive profesionale të çertifikuara nga IAAF (Federata Botërore e Atletikës).

Matësi i erës. Gazeta Si, 25 prill 2023

Së dyti, pozicioni ku është vendosur dhe ku ndodhet Izmiri në atë foto, nuk është i duhuri, pasi është shumë larg pedanës së kërcimit dhe së treti, veshja e Izmirit nuk përkon me pamjet e veshjes së garës.
Këtë gjë e ka pohuar edhe vetë presidenti Gjergj Ruli, që siç shkruhet në dosje, ka mohuar shkrepjen e asaj fotoje për t’ia dërguar Federatës Botërore, madje ka sqaruar se matësi ishte i një mikut të tij thjesht për ta testuar, madje i montuar edhe jo mirë.

Njësia e Integritetit të Atetletikës ka filluar hetimet dhe në Kampionatin Botëror në Oregon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka detyruar zotin Ruli që të dorëzojë për klonim të dy telefonat e tij, nën kërcënimin që nëse nuk e bënte këtë, do të konsiderohej fajtor.

Nga zbërthimi i telefonave nuk është gjetur asgjë që të lidhë komunikimin e presidentit me sekretarin e përgjithshëm në lidhje me këtë foto të krijuar pas gare, për t’ia dërguar Federatës Botërore si provë për matësin e erës.

Pavarësisht kësaj, në përfundim të të gjithë gjykimit, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës është dënuar për mungesë sinqeriteti dhe mungesë marrje të masave ndaj sekretarit të përgjithshëm Nikolin Dionisi për gabimin e bërë, me 5 vite pezullim. Është vërtetuar ndërkohë që aleti Izmir Smajlaj nuk ka pasur asnjë lidhje me këtë ngjarje dhe as dijeni për gjithçka ka ndodhur.

“Banditët” e kryegjyqtarit të garës
Kryegjyqtari i asaj gare të diskutueshme ishte z.Filip Nito, i cili është marrë në pyetje nga agjentët e Njësisë së Integritetit të Atletikës më 28 mars të vitit 2022. Mes të tjerave ai ka përmendur fjalën “bandit”. Një term i përdorur rëndom në vendin tonë, por që në veshët e agjentëve të Integritetit ka marrë një konotacion negativ, që e kanë lidhur me drejtuesit e Federatës.

Deklarata e gjyqtarit Filip Nito. Gazeta Si, 25 prill 2023

Kjo e ka ndërlikuar më tej situatën, duke u dashur një tjetër përkthim dhe noterizim për të shpjeguar po nga z.Nito se ky term i përdorur, “bandit” lidhet me dashakeqësit që kanë ndikuar në inicimin e këtij hetimi të pakuptimtë dhe jo në drejtim të drejtuesve të Federatës Shqiptare të Atletikës.

Zgjedhjet e reja
Tashmë çdo gjë ka përfunduar shumë shpejt si pakuptuar, duke rrënuar Federatën Shqiptare të Atletikës ende të shastisur dhe habitur nga një hetim që doli nga hiçi për t’u bërë “shembull” ndërkombëtarisht dhe për të larguar dy drejtuesit, që prej më shumë se një dekade e kanë drejtuar këtë federate. Dhe ajo ka prodhuar kampionë Europe në disiplina dhe mosha të ndryshme.

Sot FSHA po përgatitet për Asamblenë e Jashtëzakonshme Zgjedhore, që është caktuar të zhvillohet më 19 maj, për të zgjedhur organet e reja drejtuese, nga presidenti e më pas sekretari dhe Komitetit Ekzekutiv, në mënyrë që të zhbllokohet ky ngërç që ka prekur mënyrën organizative të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë