Atletike

Ekskluzive/ Federata Shqiptare e Skive ‘ngrin’ Lara Colturin, përplasja që mund të sjellë ndarjen

Nga Gazeta Si – Përfundon dashuria e familjes Colturi me Shqipërinë. Bëhet fjalë për një dashuri të sapolindur dhe për t’u marrë shembull, sepse deri dje ishte thjeshtë një huazim i një fëmije që trajnohej nga nëna e saj, një emër shumë i madh i skijimit botëror dhe italian si Daniela Cecarelli. Ndërsa sot flasim për një nga talentet e së ardhmes që po pushton pistat ndërkombëtare nën flamurin kuqezi.

Pas një përmirësimi të ndjeshëm të rezultateve të vitit të shkuar ku dalëngadalë po integrohej në arenën e madhe botërore, jo vetëm europiane të skive alpine për femra, në këtë edicion Lara Colturi dhe e gjithë familja e saj, babai, nëna dhe menaxheri janë të tjerë njerëz pasi Lara, me dy podiume në dy prej ndalesave të Kupës së Botës është një emër shumë më i lakuar dhe i lakmuar, por jo për faktin se kërkon Italia ta rimarrë, por thjeshtë për dëshirën për ta kthyer talentin e vajzës në rezultate dhe rezultatet në makineri parash.

Pikërisht në këtë vit kaq të rëndësishëm ku paralelisht po zhvillohet Kupa e Botës, në fillim të muajit shkurt është Botërori dhe në janar të vitit të ardhshëm Lojërat Olimpike dimërore në Kortina të Italisë, në rishkrimin e kontratës së bashkëpunimit, familja Colturi me në krye nënën Danielën dhe menaxherin e saj, kanë kërkuar një autonomi të paprecedentë nga Federata Shqiptare e Skive.

Për ta kuptuar pak më mirë, sot sponsorat që Lara mban në xhupin e saj, kapuçin apo çdo aksesorë janë të sajat dhe përfiton vetëm ajo. Për këtë, federata duket të ketë mbyllur një sy dhe një vesh duke mirëkuptuar edhe shpenzimet e mëdha që ka ky sport për këtë familje dhe që ne si Shqipëri me gjithë përpjekjet, ndërhyrjet e kryetarit të bashkisë Erjon Veliaj, kryeministrit Edi Rama, të nxitura nga këmbëngulja e presidentit Elvis Toçi, kanë arritur ti sigurojnë kësaj familje që na përfaqëson dhe reklamon më së miri në një sport elitar botëror, rreth 100.000 euro, ndërkohë që sipas tyre shpenzimet shkojnë në gjysmë milioni euro në vit.

Dhe këtë tolerim me sa duket e kanë shfrytëzuar më tepër seç duhet familja e vajzës dhe menaxheri duke dërguar në federate një kontratë të re ku kërkon autonomi të plotë nga ata, pra të mos përzihen aspak se çfarë sponsorash do të sigurojnë e në çfarë forme dhe njëkohësisht duke u zhveshur nga angazhimet kontraktuale normale të përfaqësimit të një federate, të një shteti.

Me sa duket sot familja Colturi e ndjen veten se përfaqëson një shtet të panjohur në këtë arenë dhe sipas tyre, duke u nënkuptuar, pasi nuk e përmendim drejtpërdrejtë, përfaqësimi i një shteti që nuk njihet në fushën e skive nuk i ka ndihmuar për të siguruar kontrata që mund t’i siguronin nën flamurin Italian. Por në këtë rast ata harrojnë se nën flamurin italian do të jenë një mes dhjetra vajzave të kombëtares së Italisë të skive alpine dhe atje askush nuk mbyll syrin e as veshin, në asnjë moment, pasi sponsorat janë të federatës, jo sportistëve.

Ky propozim i pahijshëm ka sjellë një krisje të madhe në vazhdimësinë e bashkëpunimit dhe sot palët janë në përballje avokatësh dhe ligjesh apo rregullash, ku FSHS (Federata Shqiptare e Skive) i ka vendosur ultimatum për të pranuar kushtet normale, pra të një bashkëpunimi brenda rregullave të federatës sonë dhe federatës ndërkombëtare, përndryshe, Lara Colturi mund të zhvishet shumë shpejt nga flamuri kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë