Ana e errët

Ekskluzive/ Dosja e Prokurorisë. Diamantet, makina dhe skafi që lidhin Saimir Tahirin me Habilajt

“Nuk më kujtohet personi që më paraqitët në foto, por edhe nëse ka ardhur mbase ka qenë i shoqëruar. Më kujtohet se kam shitur një byzylyk rreth 5 mijë euro në atë periudhë, por nuk jam i sigurt, nuk e përjashtoj që të kenë blerë nga një byzylyk për kokë apo të ketë ardhur më parë me ndonjë person që unë e njoh dhe që ma ka prezantuar dhe më pas të jetë kthyer në emër të personit që e ka prezantuar”.

Kjo është dëshmia e shtetasit italian, Donini Alessio Aroldo, administrator i vetëm i  shoqërisë me sende me vlerë dhënë më 23 nëntor 2017, pasi i kanë treguar fotografinë e Moisi Habilajt dhe e kanë pyetur nëse ka qenë ndonjë herë në dyqanin e tij. Aroldo i është përgjigjur gjithashtu edhe pyetjes nëse i kishte shitur ndonjë send me vlerë, në veçanti një byzylyk me diamante një personi me shtetësi të huaj  gjatë dhjetorit 2013, një fakt ky i dalë gjatë një bisede të përgjuar  mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelës për blerjen e dy byzylykëve, nënës dhe motrës së Saimir Tahirit. Donini Aroldo thotë në përgjigjen para oficerit të policisë gjyqësore “nuk e mbaj mend, mbase”. Por kësaj dëshmie të përcjellë nga autoritetet italiane me letërporosi, prokuroria i vendos përballë një detaj tjetër që i referohet dëshmisë së të bashkëpandehurit Antonio Riela. Ka qenë ai thotë Prokuroria që ka shoqëruar Moisi Habilajn dhe një tjetër shoqërues për të blerë bizhuteri me vlerë në dhjetor 2013. Nga ana tjetër shtohet më tej Moisiu e qetësonte duke i thënë se ishte i mbrojtur, sepse një person i rëndësishëm në Shqipëri e mbronte dhe e lejonte të transportonte këto sasi të mëdha të marijuanës. Moisiu ia tregoi emrin e personit të rëndësishëm, por nuk i kujtohej për momentin thuhet më tej.

Nga ana tjetër, shtetasi italian, Giancarlo Platina që është tregtar veshjesh në firmën Hugo Boss, i pyetur më 9 mars 2018 nëse e njihte apo jo Antonio Riela, ai i është përgjigjur “jo, por nuk e përjashtoj që ai mund të ketë hyrë në dyqanin tim si klient”. Pyetjes tjetër nëse e njihte Moisiu Habilajn, ai i ka dhënë këtë përgjigje: pa e përjashtuar mundësinë që ai të ketë hyrë në dyqanin tim si klient, meqenëse ka edhe shumë klientë me shtetësi shqiptare.

Nga ana e saj, Gjykata arsyeton se janë krahasuar dëshmi për dilemën nëse njihen apo jo Saimir Tahiri dhe Moisi Habilaj. Si Habilaj në Itali shpjegohet, por edhe Tahiri në Shqipëri kanë mohuar se e njohin njëri-tjetrin. Moisi Habilaj shprehet se janë kushërinj të largët, por nuk ka njohje, një fakt që është përforcuar nga Tahiri, i cili shton se ka lidhje farefisnore, por nuk kujtonte të kishte pasur ndonjëherë njohje personale apo marrëdhënie rastësore personale apo me persona të tjerë. Gjykata, e cila vendosi kalimin e dosjes në gjykim themeli, arsyeton në këtë pikë:

Hetimet e kryera në kuadër të këtij procedimi penal numër 134, (viti 2016) janë evidentuar jo vetëm njohje, por marrëdhënie besimi ndërmjet të pandehurit Saimir Tahiri dhe të pandehurit të proceduar më vete Moisi Habilaj, sikurse ndërmjet të pandehurit Saimir dhe vëllait të Moisiut, shtetasit Artan Habilaj. Kjo përderisa në vlerësim të gjyqtarit të seancës paraprake rezultojnë të provuara këto fakte.

  • Lënia e automjetit për t’u përdorur nga shitësi dhe jo vetëm njëherë, gjë që vëllezërve Habilaj ju ka krijuar lehtësira në qarkullim.
  • Mjeti lundrues Auris, i cili përdorej vetëm nga i pandehuri Saimir Tahiri si kapiten që në momentin e blerjes, figuruar në emër të shtetasit Orges Liperi pa u përdorur prej tij, i është besuar nga i pandehuri Saimir në vitin 2014 për ta dërguar për riparim jashtë vendit, pikërisht të pandehurit të proceduar  nga autoritetet italiane të drejtësisë, kreut të grupit Moisi Habilaj.
  • Në një rast tjetër në vitin 2016, riparimi i skafit në Itali i është besuar një tjetër personi, shtetasit Boge Budini, drejtor i Kufirit Durrës, por edhe shtetasit Roni Shqopa, që të dy lidhje të afërta besimi të familjes Tahiri. Referuar fakteve të mësuara nga deklarimet e vetë atyre, por edhe provave të tjera, Boge Budini ( rezulton të ketë kryer pushime të përbashkëta me familjen Tahiri).
  • Fëmijët e zëvendësministres Elona Gjebrea të pajisur me prokurë nga prindërit për të udhëtuar me prindërit e të pandehurit Tahiri si edhe vetë prindërit e të pandehurit kanë udhëtuar me vëllain e Moisi Habilajt drejt Greqisë me mjetin e drejtuar nga Artan Habilaj. Kjo pasi ishte bërë kontrata e shitblerjes së mjetit.
  • Artan Habilaj, pasi u kthye në Shqipëri ia ka dërguar sërish mjetin të pandehurit Saimir, pasi ishte prishur në Greqi mjeti lundrues AURIS.

Ndërkohë, Gjykata hedh dyshime edhe për disa lëvizje të Tahirit me mjetin Audi 003 edhe pas lidhjes së kontratës së shitjes me shtetasin Artan Habilaj, si edhe përdorimi i këtij mjeti dhe nga Moisi Habilaj më datë 24 shkurt 2014, në udhëtimin drejt Italisë në përgatitje të episodit të trafikimit të 289.700 kg kanabis. Më tej flitet edhe për një mjet të dytë lundrues  në posedim nga ish-ministri i regjistruar në Malin e zi me emrin Haxhi, në emër të Orest Sotës , emri i të cilit është fshirë nga regjistrimi teksa u arrestua në Shqipëri. Prokuroria e konsideron Orest Sotën si lidhje të afërt të Tahirit. Në dokumentet që Gazeta “Si” disponon thuhet se:

“Ky mjet lundrues është përdorur nga Saimir Tahiri si kapiten drejt Italisë, madje dhe në rastet kur në bord ka qenë shtetasi Orest Sota. Në këtë udhëtim që përkon pas shkarkimit të Tahirit si ministër i Brendshëm, bashkë me të ka qenë edhe bashkëshortja dhe fëmij,a si edhe Orest Sota dhe Evi Robo dhe Gentian Caka. Kjo rrethanë tregon një marrëdhënie të afërt të tyre pohon Prokuroria. Por, Evi Robo, një punonjës i Ministrisë rezulton të ketë kontakte telefonike me Moisi Habilajn dhe Florian Habilajn, komunikime që vazhdojnë nga 31 dhjetori 2015 dhe që mbyllen më 15 korrik 2017″.

Në këtë kuptim, Gjykata e konsideron ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin si ndihmës  dhe krijues të lehtësirave dhe mundësive që grupi kriminal i drejtuar nga Moisi Habilaj dhe me ndihmën e vartësve zyrtarë poicie, të mund të merreshin me kultivim e trafikim droge.

(Vijon…)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë