Sport

Eklent Kaçi shkëlqen në Las Vegas, për herë të dytë kampion bote në bilardo

Gazeta Si – Bilardisti shqiptar, Eklent Kaçi, është shpallur kampion bote në Las Vegas, në disiplinën e 10-shit. Ai ka mundur 10-7 në finale numrin 1 të botës, spanjollin Francisco Sanchez Ruiz. Një fitore që e shpall Kaçin kampion bote për herë të dytë në këtë disiplinë.

Bilardisti kurbinas e shijoi edhe më shumë fitoren këtë herë, pasi ajo erdhi me përmbysje dhe për më tepër favorit ishte kundërshtari i tij. Spanjolli ndërkohë humbi shansin e madh për të qenë kampion në 3 disiplina të ndryshme në një vit.

Kaçi u gjend në disavantazh me pikë, 5-1, por më pas arriti të kthehnte gjithçka në favor të tij, duke merituar titullin kampion bote. Këtë sukses e kishte arritur edhe në 2021-shin, kurse vitin e kaluar zuri vendin e tretë.

Sportisti shqiptar eliminoi në çerekfinale amerikanin Shane Van Boening dhe në gjysmëfinale gjermanin Joshua Filler. Kaçi ka përfituar nga ky triumf shpërblimin prej 60 mijë dollarësh.

Kaçi dhe kundershtari i tij spanjoll ne finale. Gazeta Si, 5 mars 2023

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë