Tragjedia e 26 nëntorit vazhdon të nxjerrë në pah frymën e jashtëzakonshme të solidaritetit nga shumë shtete, individë dhe organizata. Forcat speciale të Kosovës, grupet e shpëtimit, forcatnga vendet partnere si Italia, Franca dhe gjithë vendet e Ballkanit e deri nga Izraeli, u bënë bashkë për t’i ardhur në ndihmë të mbeturve nën rrënoja, të plagosurve, traumatizuarve dhe atyre nën qiell e pa çati, pas tërmetit vrastar.
Se fundmi, Ambasada amerikane në Shqipëri, në faqen e saj në Facebook shkruan se USAID ka nisur për në Shqipëri ekipe emergjencash nga Departamenti Zjarrfikës dhe Shpëtues i kontesë Fairfax dhe Departamenti Zjarrfikës i kontesë së Los Angeles.
“Si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për rimëkëmbjen pas tërmetit, USAID ka nisur dje për në Shqipëri ekipe emergjencash nga Departamenti Zjarrfikës dhe Shpëtues i kontesë Fairfax dhe Departamenti Zjarrfikës i kontesë së Los Angeles. Këta ekspertë do të ndihmojnë në koordinimin e ekipeve ndërkombëtare në vlerësimin e dëmeve, për të përcaktuar nëse ndërtesat dhe infrastruktura kritike në zonat e prekura janë të sigurta”.
Po ashtu, Ipeshkët italianë kane dhuruar 500 mijë euro për të prekurit nga tërmeti. Një shumë prej 500 mijë eurosh është dhuruar nga Kryesia e Konferencës së Ipeshkvijve italianë, për viktimat e tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë në 26 nëntor.
Donacioni do të bëhet përmes “Caritas Italia”, i cili do t’i raportojë Shërbimit për Ndërhyrje Bamirëse në favor të Botës së Tretë.
Po ashtu, Dhoma e tregtisë së Serbisë ka aktivizuar shumicën e dhomave simotra të rajonit dhe deri tani 10 mijë biznese vetëm në Serbi, kanë premtuar të japin donacione.
Millica Antic, me kolegët janë një nga grumbulluesit e fondeve për Shqipërinë. Përvec gjërave të ndryshme organizata ku ajo punon ka inicuar në Serbi fushatë donacionesh në internet.
“Unë besoj se ka shumë njerëz me zemër të mire. Natyrisht gjithmonë ka edhe njerëz të keqij dhe komente të këqija, por ne besojmë ne jemi të orientuar drejt atyre që e kuptojnë se tragjedia është e njëjtë pavarësisht se ku ndodh ajo”, tha Millica Antic nga Organizata “Gradjanske Iniciative”.
Përveç Luginës së Preshevës, edhe në Beograd janë aktivizuar disa pika grumbullimi ndihmash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




