Nga Gazeta Si- Jason ishte një burrë që kishte nevojë për një pallto gëzofi. Por jo për një veshje dosido. Meqë në Greqinë e lashtë, ai ishte një hero me gjak hyjnor që rridhte në venat e tij princërore, ai po kërkonte të gjente gëzofin e artë. Dhe pas vitesh kërkimesh dhe dyluftimesh, mbërriti në Kolkis për të marrë çmimin e tij të preferuar.
Aty u përball me sfida të forta, si për shembull lërimi i një fushe me disa dema që nxirrnin zjarr nga hundët. Jasoni i kaloi me heroizëm të gjitha sfidat. Por njëra ishte shumë e fortë. Ai nuk po mundej të kalonte para një dragoi që nuk flinte asnjëherë. Në një moment u njoh dhe ra në dashuri me një magjistare të quajtur Medea.
Medea i dha Jasonit një ilaç magjik për ta droguar dragoin, dhe të dy arritën të shtien në dorë pallton plot shkëlqim për të jetuar të lumtur. Veçse jo për shumë kohë. Kur çifti i ri u gjend në Korint i varfër dhe i papërfillur nga akush, mbaroi edhe muaji i mjaltit midis tyre. Jasoni mendoi se si një hero që ishte duhej të martohej me një princeshë.
Ndaj e braktisi Medean dhe dy fëmijët e tyre të vegjël. Medea e përbuzur u tërbua nga inati. Ajo donte me çdo kusht ta lëndonte Jasonin për dhimbjen që i shkaktoi. Por si? Jasoni ishte duke takuar një princeshë në një kështjellë të mbrojtur, duke pirë verë dhe ngrënë rrush.
Në atë çast, Medea bëri diçka monstruoze. Në një valë të egër zemërimi për tradhtinë që kishte përjetuar, ajo i vrau fëmijët e saj. Ajo i donte shumë fëmijët e saj, por më shumë rëndësi për të kishte ndëshkimi i ish-bashkëshortit. Kjo histori mitologjike, njihet në psikoterapi si Efekti Medea.
Ka dy mënyra për ta analizuar Efektin Medea. E para është kur ndeshemi me historitë e tmerrshme të një nëne që vret fëmijët e saj, pasi ata i pengonin planet e tjera të jetës. Këto ngjarje shfaqen herë pas here në lajme dhe shkaktojnë një valë të madhe zemërimi dhe indinjate në opinionin publik.
Për shembull Susan Smith i mbyti dy fëmijët e saj në makinë, sepse ishte dashuruar marrëzisht pas një burri që nuk donte fëmijë. Karl Jung, teorizoi dikur se arsyeja pse ne i shohim këto histori si kaq shumë më shqetësuese se rastet e tjera të vrasjes së fëmijëve, është se ato e përmbysin plotësisht arketipin e “Nënës”.
Për Jungun, një nënë supozohet të jetë mishërimi i kujdesit dhe dashurisë. Ajo është baza e mbështetjes për çdo fëmijë. Por kur një nënë e braktis atë rol, përmes neglizhencës apo krimit të vrasjes, ne tërbohemi për mizorinë dhe përmbysjen e rolit tradicional për t’u shndërruar në një “Nënë të Tmerrshme”.
Ndërsa historitë e vrasjes së fëmijëve nga nënat e tyre janë të tmerrshme, versioni më i zakonshëm i Efektit Medea, është kur një nënë e dëmton një fëmijë për të “ndëshkuar” partnerin apo bashkëshortin e dikurshëm. Kjo është një sjellje tipike, kur një nënë lufton me dhëmbë e thonj në gjykatë, për t’i hequr babait çdo formë kujdestarie mbi fëmijët. Në rastet kur babai është prind i kujdesshëm, një qasje e tillë e dëmton fëmijën enkas për ta lënduar babanë e tij. Ky version i Efektit Medea, njihet si “Sindroma e Tëhuajëzimit Prindëror”.
Të mësosh fëmijët ta urrejnë babanë e tyre
Në vitet 1980, psikologu i fëmijëve Richard Gardner shpiku termin “tëhuajëzim prindëror” për t’iu referuar një strategjie indoktrinomi, në të cilën njëri prind e portretizon prindin tjetër si një njeri të keq. Me kalimin e kohës, marrëdhënia e fëmijës me prindin tjetër prishet, dhe ata mësojnë t’i shmangin apo edhe t’i urrejnë.
Në rastin e Efektit Medea, nëna e fyen babanë, por tëhuajëzimi prindëror mund të ndodhë në shumë mënyra. Tre janë shembuj kryesorë të strategjive të tilla:
Rrëfimet e rreme. Në disa raste, njëri prind do të sajojë histori, apo do të ekzagjerojë enkas situatat për ta përshkruar tjetrin në një mënyrë negative. Kjo mund të përfshijë akuza të paprovuara e të pabazuara për neglizhencë, abuzim apo sjellje të tjera të dëmshme.
Sjellja sabotuese. Një prind mund të nënçmojë ose kritikojë gjithçka që bën prindi tjetër përpara fëmijëve të tyre, duke shpresuar që fëmijët të mësojnë të mos i respektojnë ata. Për shembull, një baba mund të përbaltë karakterin e një nëne me fjali të tipit “Oh, mami jot nuk do ta bënte dot kurrë këtë!” ose “Nuk mund të presësh më mirë se kaq nga nëna jote!”.
Një komunikim i kufizuar. Në një mjedis familjar, një prind mund të këmbëngulë të marrë disa role të rëndësishme në aspektin emocional. Një nënë mund të pretendojë se “vetëm ajo” mund të ushqejë një fëmijë të sëmurë. Ndërkohë një baba mund t’i refuzojë një nëne të drejtën për ta çuar fëmijën në disa aktivitete sportive.
Në një çift të divorcuar, njëri prind mund ta kufizojë kohën e bisedës në telefon që kalon fëmija me prindin tjetër. Ata mund të thonë se fëmija mund të takojë prindin “vetëm” në një mjedis të caktuar, për një kohë të caktuar dhe nën një mbikëqyrje specifike.
Dëmi afatgjatë
Të gjitha këto sjellje, mund t’i shkaktojnë fëmijës dëme të rrënjosura thellë dhe trauma të përjetshme. Psikiatri Robert M.Gordon, ka botuar një studim me titull “Kompleksi Medea dhe Sindroma e Tëhuajëzimit Prindëror”, bazuar në përvojat e tij me procedurat e divorcit, si një psikolog i caktuar nga gjykata për kujdestarinë e fëmijëve.
Ai thekson ndër të tjera: “Kjo sjellje nuk është vetëm mizore ndaj prindit që denigrohet, por i shkakton fëmijës një dëm që do e vuajë gjatë gjithë jetës. Është një abuzim i pastër psikologjik me të… Një shpëlarje truri dhe një tjetërsim i tillë, zakonisht shkakton një problem të përhershëm me krijimin dhe ruajtjen e raporteve intime të shëndetshme”.
Studimi i Gordon, është plot me raste studimore rreth një dëmi të tillë. Sot, tjetërsimi prindëror është i dokumentuar mirë dhe ka rezultuar shumë i dëmshëm për fëmijët. Për Gardner, taktikat e tjetërsimit prindëror burojnë nga pafuqia e njerëzve që bartin Kompleksin Medea.
Siç u shpreh ai në vitet 1980: ”Për shkak se këto nëna janë të divorcuara dhe nuk mund të hakmerren drejtpërdrejt me burrat e tyre, hakmerren duke u përpjekur t’i privojnë ish-bashkëshortët e tyre nga aseti i tyre më i çmuar në këtë botë, fëmijët”.
Dhe si Gardener ashtu edhe Gordon, supozojnë se taktikat e tjetërsimit prindëror ishin arma kryesore rezervë e nënave. Gordon thotë:”Unë besoj se shpëlarja e trurit nga një nënë, është më e fuqishme se ajo e një babai, pasi lidhja e fëmijës me nënën është zakonisht më e thellë”.
Edhe nëse nuk pajtohemi me role të tilla gjinore dhe arketipe jungiane, ne mund të vlerësojmë dëmin e madh që tjetërsimi prindëror mund të ketë tek fëmijët. Siç ndodh shpeshherë në psikoterapi, kur kemi një emër për diçka, është mirë të vaksinohemi kundër saj. Duke ditur që disa prindër mund dhe i dëmtojnë fëmijët e tyre, le t’i sensibilizojmë të gjithë për këtë fenomen.
Burimi: Big Think. Përshtati në shqip: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.