Si munden yjet botërore të dalin në skenë, para miliona njerëzve dhe të duken totalisht të vendosur dhe aspak në ankth apo me emocione? Si për Beyonce ashtu edhe për Adele, sekreti ka qenë krijimi i një egoje tjetër. Beyonce ishte Sasha Fierce ’bindëse dhe e fuqishme, e cila i lejoi asaj të performonte me vetëbesim dhe sensualitet të veçantë.
"Zakonisht kur rregulloj akordet, kur vishem, fillon nervozizmi. Atëherë shfaqet Sasha Fierce dhe sjellja ime dhe mënyra se si flas dhe gjithçka është ndryshe," tha ajo në një intervistë në 2008. Ishte një strategji që ajo vazhdoi të përdorë deri në vitin 2010, kur ndjeu se ishte pjekur aq sa duhet për të shmangur ngarkesën psikologjike.
Frymëzuar nga një takim me Beyonce, Adele ndoqi këshillat e saj, duke treguar në 2011 për krijimin e ‘Sasha Carter’.
Personazhi ishte një kombinim i personalitetit të Beyonces, Sasha Fierce dhe yllit të muzikës Carter. Adele tha që strategjia e ndihmoi atë të jepte më të mirën për çdo shfaqje gjatë vitit të saj më të keq.
Edhe pse mishërimi i një personazhi të trilluar mund të duket si një mashtrim nga yjet e popit, hulumtimet e reja tregojnë se mund të ketë disa përfitime të vërteta psikologjike për strategjinë. Adoptimi i një egoje tjetër është një formë ekstreme e 'vetëpërmbajtjes', e cila përfshin bërjen e një hapi mbrapa nga ndjenjat tona të menjëhershme.
"Vetëdistancimi na jep pak hapësirë shtesë për të menduar në mënyrë racionale për situatën," thotë Rachel White, pedagog psikologjie në Kolegjin "Hamilton" në Nju Jork.
Ai thotë se kjo na lejon të zotërojmë ndjenjat e padëshiruara si ankthi dhe të forcojmë vetëkontrollin tonë.
Ethan Kross, profesor i psikologjisë në Universitetin e Miçiganit, ka udhëhequr pjesën më të madhe të këtij studimi gjatë dekadës së kaluar, duke treguar se edhe ndryshimet e vogla mund të ndihmojnë njerëzit të fitojnë kontrollin e emocioneve të tyre.
Në një studim, pjesëmarrësve i'u kërkua të mendojnë për një ngjarje sfiduese në të ardhmen, siç është një provim i rëndësishëm, në një nga dy mënyra të ndryshme. Grupit në gjendjen e "zhytur" i'u tha ta shikonin nga afër, sikur të ishin në mes të situatës, ndërsa atyre që ishin në gjendje "të distancuar" u kërkohej ta shikonin nga larg sikur të ishin disa njerëz që po shohin të tjerët që bëjnë provim.
Dallimet ishin të pritshme, me ata që morën pikëpamje të distancuar ndjeheshin shumë më pak të shqetësuar krahasuar me grupin e "zhytur".
Vetëdistancimi inkurajoi gjithashtu ndjenja më të mëdha të besimit, ndjenjën se ata mund të përballonin pa asnjë shqetësim situatën dhe të arrinin qëllimin e tyre.
Në eksperimente të tjera, pjesëmarrësve i'u kërkua të jepnin një fjalim të vogël në publik. Paraprakisht, ata u këshilluan të mendojnë përmes emocioneve të tyre në lidhje me sfidën duke përdorur vetën e tretë "David ndjehet …"sikur të ishin një entitet më vete, sesa "Unë ndjehem".
Kjo këshillë ishte krijuar për të inkurajuar personin që të shohë situatën nga një këndvështrim i jashtëm. Edhe një herë, krijimi i distancimit psikologjik ndihmoi pjesëmarrësit të zotërojnë ankthin e tyre, duke zvogëluar ndjenjat e emocionit dhe shtoi ndjenja të një besimi më të madh të cilat u reflektuan në cilësinë e prezantimit, sipas gjykimit të vëzhguesve të pavarur që u kërkuan të vlerësonin performancën e tyre.
Vetëdistancimi duket se u mundëson njerëzve që të korrin këto efekte pozitive dhe kjo ka bërë që disa studiues të pyesin nëse mund të përmirësojë gjithashtu elemente të vetëkontrollit si vendosmëria, duke u siguruar që të vazhdojmë të përqendrohemi në qëllimet tona edhe përballë shpërqendrimit.
Duke rritur sensin e vetëkontrollit, vetëdistancimi gjithashtu mund të përmirësojë sjelljen e njerëzve. Mund të rrisë qëllimet e njerëzve për të ushtruar, për shembull dhe i ndihmon ata t'i rezistojnë tundimit të ushqimit.
"Disa strategji të vetëkontrollit deri më tani kanë përmirësuar me sukses rezultatet e ngrënies," thotë Celina Furman, pedagoge e psikologjisë sociale në Universitetin e Minesota.
Duke punuar me Kross, Furman u kërkoi pjesëmarrësve të praktikojnë distancimin e vetvetes pasi ata u përballën me zgjedhjen e llojeve të ndryshme të ushqimit, frutave në krahasim me karamelet, për shembull. Kur pjesëmarrësit kishin praktikuar distancimin e vetvetes (duke pyetur "çfarë dëshiron David?", në vend të "çfarë dua?") ata kishin më shumë të ngjarë të zgjidhnin opsionin më të shëndetshëm.
Edhe pse studime të mëtejshme do të jenë të nevojshme për të testuar përfitimet afatgjata të qasjes, Furman mendon se mund të përfshihet në një sërë skemash të ndryshme të humbjes së peshës.
Mund të përfshihet në aplikacione të ndryshme për shembull, me njoftime që ju shtyjnë të mendoni në vetën e tretë ndërsa porosisni ushqimin tuaj.
"Efekti Batman"
Mundësia që vetëdistancimi mund të rrisë fuqinë e vullnetit është veçanërisht e dobishme për psikologët e fëmijëve, duke pasur parasysh që vetëdisiplinimi mendohet të jetë aq i rëndësishëm për performancën akademike sa IQ.
Disa vjet më parë, profesori i psikologjisë, Rachel White, mori një grup fëmijësh të moshës 6-vjeçare dhe u dha atyre një provë përqendrimi në një kompjuter, në të cilin një seri imazhesh do të kalonin dhe ata duhej të shtypnin "hapësirë" sa herë që shihnin një foto me djathë.
Detyra ishte krijuar për të qenë mjaft e mërzitshme, por fëmijëve u thuhej se ishte "një aktivitet shumë i rëndësishëm" dhe se ata do të ishin një "ndihmës i mirë" nëse do të punonin në detyrë për aq kohë sa të ishte e mundur, duke rritur motivimin e tyre për të vazhduar. Si një hutim i mundshëm, studiuesit gjithashtu i lanë ata me një iPad, me një lojë shumë më argëtuese të krijuar për t’i joshur ato.
Paraprakisht, fëmijëve u thuhej se ndonjëherë mund të ishte e dobishme të mendonin për ndjenjat e tyre, nëse detyra bëhej shumë e mërzitshme. Disa u thanë të mendojnë "A jam duke punuar shumë?" ndërsa të tjerët u inkurajuan të mendojnë në vetën e tretë "A po punon Hannah shumë?".
Një grupi të tretë i'u dha mundësia të ndryshojnë personalitetin plotësisht duke marrë rolin e heroit të tyre të preferuar, siç janë Batman ose Dora the Explorer. Ata u dhanë madje rroba për t'u veshur si ato dhe kur u mërzitën, atyre ju thanë që të konsiderojnë sjelljen e tyre sikur të ishin personazhi aktual, duke pyetur, për shembull, "A po punon Dora?
Studiuesit kishin dyshuar se alteregoja do të ishte forma më ekstreme e vetdistancimit dhe rezultatet treguan pikërisht atë. Ndërsa fëmijët që mendojnë në vetën e tretë harxhuan rreth 10% më shumë kohë për detyrën që ata që mendojnë në vetën e parë, ishin fëmijët me alteregon e tyre ato që rezistuan më shumë në lojën e tyre. Në përgjithësi, ata shpenzuan 13% më shumë kohë sesa ata që mendojnë në vetën e tretë dhe 23% më shumë se ata që mendojnë për sjelljen e tyre në vetën e parë.
White gjithashtu ka zbuluar se adoptimi i një egoje tjetër mund të ndihmojë gjithashtu fëmijët të përqëndrohen në një lojë komplekse me letra, në të cilën ata duhej të ndiqnin rregulla komplekse që vazhdonin të ndryshonin.
Edhe një herë, "efekti Batman" dukej se kishte rritur vendosmërinë dhe përqendrimin e tyre, duke përmirësuar performancën e tyre.
Ndërsa këto ishin eksperimente laboratorike,
White shpreson se ky ushtrim i vogël mund të lehtësojë shumë situata që kërkojnë vetëkontroll. Testi i këmbënguljes, në fund të fundit, ishte tashmë shumë afër llojit të vendimeve me të cilat mund të përballen fëmijët kur bëjnë detyrat e shtëpisë me tundimin e mundshëm të TV ose celularit.
"Të pretendosh të jesh dikush që është më kompetent dhe të kthehesh në atë personazh në situata të ndryshme, mund t'ju ndihmoje të kapërceni zhgënjimet kur kuptoni se nuk i'a dolët dot." thotë White.
Nëse dëshironi ta provoni, White sugjeron të zgjedhni një person të ndryshëm për lloje të ndryshme qëllimesh, mbase një anëtar i mençur i familjes tuaj për një dilemë personale, ose një shef pune për një problem profesional. Pavarësisht nëse po e vendosim veten në këpucët e një miku, një figure fetare ose vetë Beyonce, një imagjinatë e vogël mund të na afrojë të gjithëve pak më pranë personit që dëshirojmë të bëhemi.
Burimi:BBC\Përktheu:Gazeta "Si"
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.