Shendet

Efektet pas humbjes së nuhatjes nga Covid-19: Nga ndryshimi në peshë, te problemet në shtrat

U desh pak kohë për t’u njohur zyrtarisht, por humbja e nuhatjes përfundimisht u bë e njohur si një nga karakteristikat përcaktuese të COVID-19. Tani është pranuar gjerësisht se COVID-19 ka një efekt unik në receptorët e nuhatjes dhe rreth 10% e atyre që infektohen raportojnë probleme me nuhatjen dhe shijen edhe gjashtë muaj më vonë. Por efektet e kësaj mund të jenë të thella.
Organizata jofitimprurëse AbScent, e cila ka krijuar një grup mbështetës online për njerëzit me probleme të nuhatjes pasi kanë kaluar infeksionin, ka krijuar një pamje të ndikimeve më afatgjata të këtij fenomeni tek 9000 pjesëmarrësve në grup.
“Me pëlqimin e pjesëmarrësve, ne filluam të analizojmë përgjigjet e tyre. Ne drejtuam çdo temë që zbuluam pranë grupit dhe i kërkuam atyre të jepnin përvojat e tyre në lidhje me nuhatjen,” shkruajnë zëdhënësit e organizatës.
Anosmia është humbje totale e nuhatjes. Parosmia është ngatërrimi i aromave. Gjëja e parë që u vu re nga grupi i studiuesve, ishte se sa e paparashikueshme dhe çorientuese mund të ishte përvoja e humbjes së nuhatjes. Disa pjesëmarrës e kanë cilësuar të barabartë me fikjen e dritave.
“Kur fiken dritat në errësirë nuk mund të shohim asgjë, kështu ndodhi dhe me nuhatjen. Dukej sikur nuk kisha hundë më,” shkruan një nga pjesëmarrësit.
Për disa të tjerë gjërat ishin edhe më të komplikuara. Ekspertët shëndetësorë kanë shkruar se në pak kohë anosmia mund të ndryshojë në parosmia. Sipas disa pjesëmarrësve, ushqimi i tyre kishte aromë të mirë një ditë dhe një dit tjetër aromë të keqe. Siç mund të pritej, njerëzit kishin probleme me ushqimin veçanërisht kur aromat normale i nuhasnin ndryshe. Disa raportonin se po kalonin një luftë të madhe, duke raportuar kequshqyerjen dhe humbjen e rëndë të peshës.

Nga ana tjetër kishte pjesëmarrës që kishin shtuar në peshë për faktin se konsumonin shumë ushqime duke menduar që nuk po marrin sasinë e duhur të ushqimit, për shkak se nuk i ndjejnë aromën.
Por mesa duket nuhatja nuk ka dhënë impakt vetëm për kequshqyerjen. Ekspertët e organizatës tregojnë se efekti i ndryshimeve shqisore paraqitej edhe në marrëdhëniet intime. Kishte shumë postime ku njerëzit përshkruanin se ishin të vetmuar dhe nuk ishin më në gjendje të nuhasnin partnerin ose fëmijët e tyre. “Ju nuk e kuptoni sa e rëndësishme është nuhatja deri në momentin që ju zhduket. Aroma natyrale e bashkëshortit tim që më bënte ta doja, tani më bën për të vjellë,” shkruan një pjesëmarrëse.
Marrëdhëniet e disa njerëzve me veten dhe botën kishin ndryshuar. Disa pjesëmarrës që nuk kishin fare nuhatje raportuan se ndiheshin të shkëputur nga vetja dhe bota. Studiuesit konstatuan se për disa njerëz këto ndryshime shqisore për fat të mirë ishin të përkohshme, por ata shtojnë se pas Covid-19 duket se do të kemi pandeminë e ndryshimit të shqisave.
Burimi: The Conversation/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë