Lajme

“Edukata” e gjobave u kushton shoferëve 4.5 mln euro në vit

Një nga pikat më transparente të policisë është publikimi i statistikave mbi ndalimet e shoferëve sa herë ata kryejnë shkelje të Kodit Rrugor. Megjithëse edhe kjo nuk mund të quhet transparencë e plotë, përderisa policia veç shifrave, nuk jep asnjë të dhënë mbi faktin se nga bumi i   aksioneve rrugore gjithashtu qindra milionë lekë shkojnë në arkën e shtetit. Pa përjashtuar gatishmërinë e policisë për të edukuar qytetarët për të respektuar rregullat, në fakt nuk ndodh e njëjta gjë me postblloqet që ngrihen për shkaqe të tjera, siç ka ndodhur shpesh në akse të brendshme, përmes të cilave synohet evidentimi i të fortëve me armë pa leje.

Njoftimi më i fundit

Zyra e shtypit e Policisë së Shtetit në njoftimin më të fundit deklaroi për mediat se gjatë 48 orëve të fundit u arrestuan 31 drejtues mjetesh dhe u pezulluan 186 patenta. Në vazhdën e këtij aksioni në rrugë që përfshin çdo drejtues të qarkullimit rrugor sa herë që merr detyrën  (si një nga mënyrat efikase për të treguar mbushjen e arkës) vetëm për këto 48 orë policët u janë “turrur” dhe u kanë vendosur gjoba administrative 4624 shtetasve. Thënë ndryshe dhe përkthyer në para vetëm për 48 orë,  Policia Rrugore i ka dërguar buxhetit të shtetit më tepër se 60 milionë lekë (të vjetra). Policia e Shtetit thotë zyrtarisht se plani operacional “Tispol” u krye me qëllim disiplinimin e trafikut rrugor dhe parandalimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor që bëhen burim i ngjarjeve, si edhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që i drejtojnë në ndikimin e alkoolit  si edhe për parandalimin e qarkullimit tej normave të lejuara”.

Por, ndërsa Policia Rrugore shpjegon se qëllimi i vetëm është siguria e jetës së qytetarëve a duhet besuar plotësisht ky version?

Gazeta “Si” u interesua pranë burimeve në Policinë e Shtetit dhe mësoi se çdo vit Policia Rrugore dhe e Rendit (të dyja së bashku) vendosin mesatarisht 600 mijë gjoba ndaj shoferëve, që e përkthyer në lekë kap shifrën marramendëse rreth 4.5 milionë euro. Një burim tjetër tregoi se kryesisht gjobat vazhdojnë të vendosen në masën 60 për qind të rasteve për normat e sjelljes përfshi shpejtësinë, rripin e sigurisë, kaskën, parakalimi i gabuar dhe mosmbajtja e distancës. 40 për qind vendosen  për parkime të gabuara. Në këto të dhëna nuk përfshihen gjobat e vendosura nga një polici tjetër sikurse është Policia Bashkiake, e cila gjithashtu është mjaft produktive, në atë që quhet nga të gjitha policitë njëzëri, si masa ndëshkuese edukuese dhe parandaluese. Mes të gjitha qyteteve në vend, Tirana është qyteti që vazhdohet të vendosen më shumë gjoba,  jo vetëm për shkak të trafikut dhe përqendrimit më të madh të mjeteve, por edhe për shkak të kërkesës më të lartë të llogarisë. Megjithatë sipas burimeve pranë Gazetës “Si”, çdo ditë në kryeqytet qarkullojnë mesatarisht 150 mijë automjete. Policia Rrugore nga ana e saj, nën drejtimin e çdo shefi të ri, drejtori të vjetër apo edhe ministri të brendshëm përherë e ka shprehur angazhimin në aksione të ngjashme që gjithmonë janë pagëzuar me emra të çuditshëm sikurse edhe ky i fundit “Tispol”.

Çfarë është “Tispol”... siç edhe ka vendosur emrin aksioni i policisë

Është një reagim i njëkohshëm i Policisë Rrugore në të njëjtën kohë, me të njëjtin qëllim dhe është marrë si model nga policia europiane që reagon dhe kryen kontrolle në dogana dhe në kufi. Por, ndryshe nga policia europiane, Policia Rrugore e zhvillon këtë kontroll në rrugë. “Tispol” në Shqipëri veproi brenda 48 orëve dhe sipas njoftimit zyrtar të policisë “kontrollet u përqendruan në të gjitha rrugët me risk për ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve, të cilët drejtojnë mjetet nën efektet e alkoolit. Kontroll me shërbim të kombinuar është ushtruar edhe për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve që përdorin celularin gjatë drejtimit të automjeteve e atyre që nuk përdorin rripin e sigurisë apo kaskën mbrojtëse, si edhe atyre që bëjnë parakalime të gabuara”.

Edhe më parë, kur edhe hynë në fuqi ndryshimet më të fundit në kodin rrugor dhe ku gjobat u ashpërsuan ndjeshëm, u deklarua me bujë projekti kombëtar “polici këshillues”. Ideja që u aplikua veçse pak muaj, por që më pas nuk u tha asnjëherë se si humbi, ishte ta vendoste policin jo vetëm në rolin e “gjobëvënësit”, por edhe të edukuesit. Polici këshillues do të tregohej tolerant për shkelësit që kryenin “abuzim” për herë të parë dhe duhet të thoshin një shoferi të tillë vetëm këshilla. Ideja e gjobës zero për shkelje me përjashtim të semaforit të kuq dhe shkeljet e rënda, tashmë ka humbur dhe nuk aplikohet më. Nuk kihet më parasysh skeda e shoferit, edhe pse ai mund të rezultojë i rregullt dhe nuk është si një drejtues tjetër që mund të ketë rekorde për mjaft shkelje. Madje, më spektakolarja për të stimuluar shoferët e mirë dhe përdoruesit e ndërgjegjshëm të rrugës, ishte gjatë kësaj kohe edhe nisma “Lotaria e Radarit”, që parashikonte një shpërblim për shoferët model, që i jepnin mjetit brenda normave të lejuara.

Rasti

Dhe në kohën kur shoferët ngado gjenden në stres, nga njëra anë trafiku, rrugët jo fort të mira, parkimet e cunguara dhe policët që të dalin në çdo cep, edhe ata përveçse ndeshen me masat, marrin edhe “masat” e tyre. Ka nga ata shoferë që kur udhëtojnë në rrugë nacionale, të njoftojnë përmes dritave në formë sensibiliteti për të njoftuar shoferin në aksin tjetër se përpara ka postbllok policie. Të tjerë veç atyre që kapen të dehur dhe konstatohen me përqindje të alkoolit, përdorin justifikime nga më të ndryshmet. Siç tregon një polic rrugor për Gazetën “Si”, justifikimi më paradoksal gjatë punës së tij i kishte ndodhur me një drejtues mjeti, që pasi kishte kaluar me të kuqe, i kishte deklaruar policisë: “Jam daltonik, nuk i dalloj ngjyrat”. Një tjetër pohoi se kishte gruan në spital prandaj nxitonte, ndërsa një grua pranë “Rrugës së Elbasanit” sapo polici e ka ndaluar për mbishpejtësi është justifikuar: Më duket se kam harruar hekurin në prizë. Sigurisht që gjobat e policëve janë të hidhura, dhe në rastet e shkeljeve të rregullave të qarkullimit më së shumti të gjithë janë mohues. Por ndodh edhe si shembulli më poshtë për të cilin “arratisja” nuk të kushton vetëm kuletën, por edhe të fut në telashe hetimore. Kështu i ka ndodhur një të riu nga Tepelena në materialin që Gazeta “Si” disponon.

Dy policë i ngritën tabelën makinës së radhës që po udhëtonte në rrugën “Tre dëshmorët”. Efektivët thuhet në materialin e policisë ishin vendosur në këtë aks sipas një plani masash. Mjetit me targa AA5..  pasi i është dhënë shenja për të ndaluar, ka hapur krahun, por sapo policët i   janë afruar, shoferi i dha gaz automjetit tip “Kraisler” dhe u largua.

Policia thotë:

Patrulla i është vënë pas dhe mjeti është ndaluar pas lokal ‘Britanisë’. Kur patrulla është afruar drejtuesi i mjetit deklaroi “Kujtova se më thatë ik, ndaj ika”. Më pas patrulla ka kontrolluar dokumentet dhe shoqëroi në komisariat shoferin, i cili kishte edhe gjoba të papaguara.

Shoferi

Drejtuesi i mjetit i identifikuar si I. Begalla, 38 vjeç këmbëngul se largimi i tij nuk është aspak një shkelje e rregullave, por një keqkuptim që lindi mes tij dhe policisë nga lodhja e gjatë në punë.

“Mbylla punën pasi punoj si lavazhier dhe po kthehesha në shtëpi. Në afërsi të pallatit të minierës në Yzberisht  pashë dy punonjës policie që më bënë me shenjë me tabelë që të hapja krahun. Lëviza pak më sipër për të hapur krahun. Kur ndalova pashë nga pasqyra dhe m’u duk sikur punonjësi i policisë më bëri me shenjë që të vazhdoja rrugën. Nuk kisha asnjë qëllim përse të mos ndaloja, për shkak të lodhjes në punë nuk e kam kuptuar  shenjën, ishte thjesht moskuptimi im”, tha 38-vjeçari.

Por ndërkohë...

Nuk mjaftojnë patrullat, policët në kryqëzime për të cilët kreu i Ministrisë së Brendshme premtoi se do të largoheshin nga rruga e për këtë pati edhe një urdhër për largimin e tyre. Në njoftimet më të fundit, zyrtarisht përveç shifrave me shoferë të arrestuar, apo të gjobitur, policia e shtetit përmes zyrës së shtypit po reklamon edhe një formë tjetër që synon t’i kthejë edhe qytetarët në gjobitës. Policia u kërkon së fundmi qytetarëve të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe konkretisht në numrin 112 apo të dërgojnë fotografi për çdo shkelje të shoferëve në rrugë. Arsyetimi i kësaj ftese është “sepse vetëm duke bashkëpunuar ne mund të parandalojmë aksidentet rrugore dhe të garantojnë të gjithë bashkë një mjedis të sigurt”.

Ndaj kujdes, vërtet mund të mos shikoni policë me sy të lirë, por ndoshta dikush nxjerr telefonin nga xhepi dhe ju fotografon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë