Mendim

Editorial nga Financial Times: Lufta që DUHEJ shmangur!

Pas shumë vitesh kërcënime dhe presione, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu mbajti fjalën e tij dhe nisi një sulm masiv ndaj Iranit. Goditjet ajrore nga Izraeli kanë prekur qendrat nukleare të Iranit, përfshirë Natanz, fabrika kryesore e uraniumit dhe ato të prodhimit të armëve, si dhe vranë dy komandatët kryesore të republikës Islamike.

Lideri izraelit thotë se qëllimi i tij është të ndalojë Iranin të përdorë  armët bërthamorë, që Izraeli i ka quajtur gjithmonë kërcënime ekzistenciale. Por sulmi i tij ka nisur luftën që e gjithë bota i frikësohej që prej tetorit 2023.

Ai po bën kumar me fatin e Lindjes së Mesme ndërkohë që SHBA tenton të bindë Iranin që të shmangë ndonjë aktivitet nuklear. Por Netanyahu gjithmonë ka preferuar sulmet ushtarake dhe jo diplomacinë. Është e vështirë të dëshmosh bisedimet pothuajse të vdekura midis Uashingtonit dhe  Tehranit.

Nga ana tjetër, Tehrani, ka më shumë gjasa ta përshkallëzojë sulmin se sa të negocojë. Kjo rrit rrezikun e përfshirjes së trupave amerikanë në konflikt dhe përhapjen përtej kufijve.

Bota, me të drejtë, është e frikësuar. Nafta u shtrenjtua shpejt përballë frikës se Irani mund të bllokojë kanalin e Hormuzit ku kalojnë ngarkesat e naftës apo të sulmojë infrastrukturat energjetike në shtetet e Gjirit. Kjo do të shtonte akoma më shumë dhimbje në një ekonomi globale që ishte në vuajtje. Më e rëndësishmja është se rajoni që po vuan konflikte prej 20 muajsh, mund të arrijë në një pikë përfundimtare shkatërrimi dhe dëshpërimi.  

Aleatët europianë të Izraelit dhe liderët e Gjirit duhet të përdorin të gjithë ndikimin e tyre për të ndaluar Netanyahun dhe të ulin në tavolinë Iranin. Aktori kryesor është presidenti amerikan, lideri i vetëm që mund të ndalojë Izraelin. Kur Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë premtoi se do ta ndalte konfliktin në Gaza dhe do të sillte paqe në Lindjen e Mesme. Por ndërkohë që ai bën sehir, Netanyahu, pa asnjë kokëçarjeka përshkallëzuar ofensivën në Gaza dhe ka hapur një front të ri lufte.

Në publik, Trump thotë se preferon një marrëveshje mbi krizën bërthamore dhe këmbëngul se nuk kishte dorë në sulmet e ditës së parë. Por ai nuk e ka kundërshtuar sulmin e Netanyahut. Të premten, Trump e paralajmëroi Iranin për sulme “edhe më brutale”, ndërsa i kërkoi Teheranit të “bëjë një marrëveshje”. Ai vuri në dukje se një afat prej 60 ditësh që i dha republikës për të arritur një marrëveshje kishte kaluar, ndërsa tha “tani ata kanë, ndoshta, një shans të dytë!”

Trump mund të ketë llogaritur se mund ta përdorë Izraelin për të ushtruar presion mbi Teheranin që të heqë dorë nga programi i tij bërthamor. Ai mund të zbulojë se Netanyahu e ka përdorur atë për të futur SHBA-në në një luftë me Iranin.

Regjimi islamik, i përballur me kërcënimin e tij më të rëndë në dekada, duhet të kapë çdo litar diplomatik që ekziston ende. Për një kohë shumë të gjatë, ai ka injoruar me dashje urgjencën e shqetësimit të botës për programin e tij bërthamor, duke zgjeruar në mënyrë provokuese rezervat e tij të uraniumit të pasuruar afër niveleve të armëve për t’u bërë një shtet në prag bërthamor. Një ndikim i keq në të gjithë rajonin, ai duhet të kuptojë se rruga e tij është e paqëndrueshme dhe të jetë i gatshëm të bëjë kompromis për të arritur një marrëveshje bërthamore.

Por edhe Trump ka një shans për të treguar një lidership të përgjegjshëm. Rrënjët e krizës mund të gjurmohen në vendimin e tij të gabuar në vitin 2018 për të tërhequr SHBA-në në mënyrë të njëanshme nga një marrëveshje që kufizonte rëndë aktivitetet bërthamore të Iranit dhe me të cilën ai po zbatonte. Ai duhet të kuptojë se është në interesin e tij dhe të Amerikës që ky konflikt të përfundojë shpejt. Kjo do të thotë ta mbajë Netanyahun prapa me kërcënime të vërteta për pasoja. Të jesh mik me Izraelin nuk duhet të nënkuptojë t’i japësh Netanyahut një “carte blanche” për të zhvilluar luftëra të pafundme që e mbajnë Lindjen e Mesme, përfshirë vetë Izraelin, në trazira.

Editorial nga bordi editorial i Financial Times


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë