Nga Gazeta Si- A duhet domosdoshmërish që arti pamor të jetë i çuditshëm, i parrokshëm nga syri i masës?
Pedagogu dhe artisti Edison Çeraj thotë në Podcastin ‘T’pa Thana’ në Gazetasi.al se e çuditshmja apo atipikja nuk janë domosdoshmërisht art, madje në shumicën e rasteve është abuzivitet.
“Nëse bën diçka që tërheq vëmendjen nuk je më në fushën e artit pasi tërheqja e vëmendjes është për formatet televizive apo spektaklet dhe jo për artin. Sa më shumë vëmendje të tërheqë një vepër sa autori është gjallë, aq më pak janë gjasat që vepra ti flasë një brezi më pas”, thotë Çeraj.
Ai tregon se universaliteti i veprës së artit në këtë rast bie dhe shumë artistë rendin sot të vjelin frytet e veprës qysh në gjallje.
“Të bësh për vete një publik shumë të madh nuk është shenjë e mirë nga ana artistike. Është mirë për karrierën, të ardhurat por jo për anën artistike”, thotë Çeraj.
I pyetur për përfshirjen e artistëve në politikë, Çeraj thotë se në parim, artisti nuk ka pse përfshihet me një pushtet të caktuar në formë të drejtpërdrejtë.
“Në momentin që e mbështet një pushtet vazhdimisht nuk është më artist, është aktivist. Pse duhet të ketë artist të angazhuar kur vetë arti është një angazhim më vete”, thotë Çeraj.
Ndër të tjera, ai foli edhe për frymëzimin që kanë studentët artistë në Shqipëri, duke treguar se frymëzimi është individual.
“Nga ana artistike nuk mund të përcaktohet një ambient si frymëzues apo jo sepse është shumë individuale. Nga ana artistike nuk mund të themi se cili ambient është frymëzues dhe cili jo. Sepse atëherë kur mund të themi se nuk është frymëzuese, mund të jetë frymëzuese më shumë se kurrë. Sepse nëse dikujt i krijojmë kushtet, në anën e krijimtarisë artistike aty mund të jetë momenti kur ai ose ajo është më bosh se kurrë”, thotë Çeraj, duke shtuar se gjithsesi, në Universitetin e Arteve ka nevoja për më shumë nivel teknik, për mjete si kamera apo aparat fotografik, mjete që të jenë konkurrues përtej mjedisit shqiptar, ku studentët të pajisen me shpikjet e fundit në fushën e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




