Prej vitesh, Dokufesti në fillim të gushtit e shndërron Prizrenin në një institucion kulture.
Gjatë ditës, në salla të errësuara teatrosh ose kinemash ndërsa gjatë natës nën qiell të hapur, 230 filma do të shfaqen deri më 12 gusht në këtë edicion të 22-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, Dokufest.
Inteligjenca artificiale, e cila kohët e fundit është bërë pjesë e debatit në media dhe në opinionin publik është tema e edicionit të sivjetmë të Dokufest. Edicioni i 22-të ka moton: “Unë jam inteligjenca artificiale, a jam”.
Inteligjenca artificiale u përfshi edhe në ceremoninë hapëse.
Zëri kompjuterik prezantoi festivalin, e madje edhe shpalli të hapur atë, duke njoftuar të pranishmit për shfaqjen e filmit hapës "2001: A Space Odyssey”.
Ky film është i vitit 1968 i regjisorit të famshëm amerikan, Stanley Kubrick. Filmi konsiderohet si kryevepra e këtij regjisori dhe shfaq një histori epike për evolucionin e njerëzimit dhe ndoshta është filmi më “i vërtetë” fantashkencë i të gjitha kohërave.
Këtë vit nga 230 filma që do të shfaqen në tetë kinema dhe gjysma prej tyre në qiell të hapur, 104 prej tyre garojnë në tetë kategori.
Këtë vit, Dokufest në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës prezanton çmimin Talent Doc, për të mbështetur filmin më të mirë kombëtar dokumentar e së bashku me Ikonë Studio po ashtu do t’i ofrojë shërbime pajisjesh për realizimin e filmit të ardhshëm, po të njëjtit regjisor.
Në këtë edicion festivali tërhoqi një numër të madh filmash, mbi 3.500, që aplikuan nga 111 shtete. Janë përfshirë edhe filma cilësor nga Kroacia, Serbia dhe Shqipëria. Po ashtu, ka filma edhe nga Bosnje e Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Turqia.
Drejtori artistik i Dokufest-it, Veton Nukollari, tha se ky edicion është ndër më të mirët sa i përket filmave të realizuar në Kosovë apo nga kineastët kosovarë që jetojnë jashtë vendit.
“Në mesin e tyre janë edhe dy autorë të rinj që jetojnë në Zvicër”
Personazhe të njohur nga bota e filmit janë në mesin e panelistëve. Një ndër ta është edhe regjisori zviceran, Jan Baumgarten, që njihet për filmin e tij për Bosnje-Hercegovinën.
Këtë vit, krijimet filmike nga Kanadaja do të dominojnë repertorin e festivalit.
Çdo vit, Dokufest-i tërheq mijëra vizitorë nga e mbarë bota.
Hotelet janë pothuajse plot dhe e njëjta vlen edhe për bujtinat, ndërkohë që edhe një numër i madh i qytetarëve hapin dyert e shtëpive të tyre për të pritur mysafirë nga jashtë.
Këtë vit pritet që në Dokufest të marrin pjesë rreth 500 të ftuar.
Filmi mbyllës i Dokufest do të jetë “Blade Runner”, i cili është vlerësuar si një nga filmat më të mirë të zhanrit fantastiko-shkencor i të gjitha kohërave. Ky film paraqet një vizion të Los Anxhelosit në 2019 si një ferr përrallor rrokaqiejsh dhe fabrikave monolite të Fritz Lang.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.