Politike

Edi Rama: Ky popull s’ka për ta ndryshuar qeverinë, pa ndryshuar më parë opozitën që nuk do

Nga Gazeta Si- Kryeministri Edi Rama i vë notën 10 fitores së thellë të PS në zgjedhjet e 11 majit.

Gjatë fjalës së fitores para qytetarëve, Rama tha se shqiptarët në këto zgjedhje treguan se dinë të zgjedhin, duke shtuar se ky popull s’ka për ta ndryshuar qeverinë që ka, pa ndryshuar më parë opozitën që nuk do.

“Kjo fitore me notën 10 që e kisha parandjerë dhe paralajmëruar prej shumë kohësh mund të jetë e pabesueshme për ata që as e kanë kuptuar që Shqipëria sot është një Shqipëri krejt tjetër nga ajo dje dhe as për ata që nuk duan ta kuptojnë që ky popull nuk ka për të ndryshuar qeverinë që ka, pa ndryshuar më parë opozitën që nuk do”, tha Rama, duke shtuar se kjo fitore nuk është e papritur.

Nga sheshi “Skënderbej”, ku mbajti fjalimin, kreu i qeverisë shprehu falenderimet për të gjithë mbështetësit, emigrantët por edhe për të gjithë ata që këtë herë që i dhanë votën, edhe pse nuk janë tradicionalisht me të. 

“Ndjesë sepse realisht është e pamundur të arrij të them me gojë gjithçka që ndjej e mendoj prej orësh të gjata përballë një arritjeje të tillë , e cila është historike, jo thjesht për përmasën e PS por për momentin historik kur kjo fitore mori jetë për Shqipërinë. Faleminderit çdo mbështetës që dha votën e vet për këtë fitore dhe çdo zgjedhës që erdhi këtë herë me votën e tij drejt nesh edhe pse mund të mos jetë tradicionalisht me ne”, tha Rama, duke falenderuar më pas edhe shqiptarët e Greqisë, Italisë, SHBA e kudo tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë