Gazeta Si –Në mes të ekipit mbikëqyrës ndërkombëtar bërthamor të OKB-së në centralin bërthamor të Zaporizhias në Ukrainë, do të jetë edhe Shqipëria.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat e huaja, të cilat raportojnë se në misionin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, do të marrin pjesë 13 ekspertë nga vende të ndryshme të botës.
Misioni i IAEA-s, përfshin ekspertë nga Polonia dhe Lituania, vende të konsideruara si miqësore nga Ukraina, por edhe të tjerë nga Serbia dhe Kina, të cilat Ukraina i sheh me dyshim të thellë për shkak të marrëdhënieve të tyre komode me Moskën.
Anëtarët e mbetur, janë nga vende që kryesisht kanë qëndruar në periferi të luftës ose që kanë mbajtur kanale të hapura me Kremlinin.
“Ato përfshijnë Shqipërinë, Francën, Italinë, Jordaninë, Meksikën dhe Maqedoninë e Veriut”, – shkruan gazeta amerikane “New York Times”.
Ekipi do të kryesohet nga drejtori i IAEA-së, Rafael Mariano Grossi, nga Argjentina.
The day has come, @IAEAorg‘s Support and Assistance Mission to #Zaporizhzhya (ISAMZ) is now on its way. We must protect the safety and security of #Ukraine’s and Europe’s biggest nuclear facility. Proud to lead this mission which will be in #ZNPP later this week. pic.twitter.com/tyVY7l4SrM
— Rafael MarianoGrossi (@rafaelmgrossi) August 29, 2022
Një diplomat i lartë i njohur me negociatat, tha se Rusia i kishte dhënë miratimin e saj ekipit të inspektimit dhe tregoi se kishte pranuar kërkesën e Ukrainës që misioni të kishte origjinën në territorin që ajo kontrollon.
Frika nga një katastrofë e mundshme bërthamore ka nxitur reagimin e ndërkombëtarëve.
Ukraina akuzon forcat ruse se me sulmet e saj po rrezikon centralin bërthamor të Zaporizhias. Nga ana tjetër, Moska i mohon këto pretendime.
“Duhet të mbrojmë sigurinë e objektit më të madh bërthamor të Europës dhe Ukrainës”, tha drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
Ekipi mbikëqyrës i OKB do të verifikojë nëse ka dëmtime nga luftime në centralin bërthamor dhe do të vlerësojë kushtet në të cilat punon stafi ukrainas.

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara pritet të bëjnë vlerësimin e dëmeve në central, të përcaktojnë funksionalitetin e sistemeve të sigurisë, të vlerësojnë kushtet e stafit dhe të kryejnë aktivitete urgjente të sigurisë, tha agjencia.
As Grossi dhe as agjencia që ai udhëheq nuk kanë treguar se kur do të arrijë ekipi i ekspertëve në Zaporizhja.
OKB dhe Ukraina kanë bërë thirrje për tërheqjen nga centrali i Zaporizhias të pajisjeve ushtarake.
Ndërkaq, G7 ka mirëpritur udhëtimin drejt Zaporizhias dhe përsëriti shqetësimet lidhur me siguri në central.
“Ne riafirmojnë se centrali i Zaporizhias dhe elektriciteti që prodhohet aty i takojnë Ukrainës dhe theksojmë se përpjekjet e Rusisë që të shkëpusë centralin nga rrjeti elektrik ukrainas janë të papranueshme”, u tha në deklaratën e Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara.
Javën e kaluar, autoritetet nisën të shpërndanin ilaçe jodi për banorët që jetojnë afër centralit të Zaporizhias, që do të duhej t’i përdornin në rast të ekspozimit ndaj rrezatimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




