Për vrapues nga të gjitha anët e botës, për sportistët, gazetarët dhe për ata që rrotullohen rreth industrisë sportive nëntori nënkupton Maratonën e Nju Jorkut (The New York City Marathon), që këtë vit supozohej të festonte 50-vjetorin e saj. U planifikuan festime të mëdha, por për shkak të pandemisë nuk do të mbahet. Dhe para kësaj, maratonat e tjera të mëdha botërore u anuluan. Përveç kufizimeve aktuale për shkak të përhapjes së koronavirusit, vendimi për anulimin e Maratonës së Nju Jorkut ishte për shkak të frikës nga shtrëngimi i masave në të ardhmen dhe pasigurisë për ardhjen e konkurrentëve të huaj.

Maratona e qytetit të Nju Jorkut zhvillohet të dielën e parë të nëntorit. Eventi është ngjarja më e madhe sportive masive në botë; 55 mijë pjesëmarrës, plus dyqind mijë aplikime. Mbi dhjetë mijë të huaj që marrin pjesë me Italinë dhe Francën për të garuar për vendin e parë midis kombeve që sjellin më shumë vrapues në Nju Jork. Mbi tre mijë. Ky 1 nëntor është një ditë e trishtuar pasi qyteti do të humbasë turmat e ‘’oqeanit’’ që pushtojnë rrugët. Nuk do të ketë të ardhura ekonomike nga vrapuesit e maratonës dhe nga njerëzit që i shoqërojnë. Vetëm në fundjavën e maratonës, llogaritet se të ardhurat kapin shifrën e treqind milionë dollarë. Një kontribut jo i vogël në ekonominë e qytetit.

Ashtu si shumica e bizneseve gjatë kësaj periudhe, edhe maratona ka vendosur të zhvillohet online. Zhvillimi i garës online është një përpjekje për t’i dhënë jetë maratonës, ndërsa bota po përballet me pandeminë. Çdokush mund ta përfundojë garën këtë vit nga çdo cep i botës, për sa kohë që ata regjistrojnë një vrapim prej 26,2 miljesh midis 17 tetorit dhe 1 nëntorit. Ata që kanë paguar tarifën e regjistrimit kanë mundësinë e një rimbursimi ose regjistrimi automatik për Maratonën e 2021.

Për herë të parë, maratona e Nju Jorkut nisi të mbahej në vitet 1970. Është një garë tradicionale, mbahet çdo vit dhe atletët kalojnë nëpër pesë pjesët e qytetit: Staten Island, Brooklyn, Queens, Bronx dhe Manhattan. “New York City Marathon” është një nga maratonat më të mëdha në botë, më pas pasojnë ato në Berlin, Boston, Chicago, Londër dhe Tokio.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




