Një studim nga Universiteti i Virxhinias në Amerikë ka treguar se edhe një kopsht i vogël me lule përballë shtëpisë mund të ulë nivelin e stresit dhe tju bëjë më të lumtur.
Studiuesit mbollën bimë zbukuruese në kopshtet e disa banorëve dhe më pas matën nivelet e stresit të banorëve që morën pjesë në studim dhe i pyetën se si ndiheshin.
Rreth 42 banorë me 38 kopshte u përfshinë në studimin që zgjati një vit.
Banorët u ftuan të kujdeseshin për bimët ku pjesa më e madhe kishin kopsht të përbashkët.

Ekipi mati kortizolin e banorëve, hormonin kryesor të përgjigjes ndaj stresit, para dhe pasi bimët u shtuan dhe zbuloi që banorët kishin një gjendje shëndetësore më të mirë mbasi u mbollën bimët.
Studimi zbuloi se vetëm 24% e banorëve kishin nivele të kënaqshme të kortizolit para se të mbillnin bimët dhe gjatë vitit pas gjelbërimit të kopshteve, kjo shifër u rrit me 53%.
Më shumë se gjysma e banorëve thanë se kopshti i ndihmoi ata të ndiheshin më të lumtur, ndërsa dy të pestat raportuan se kopshti i ndihmonte të relaksoheshin dhe pak më shumë se një e katërta thanë se i ndihmoi ata të afroheshin më shumë me natyrën.
Intervistat më të hollësishme treguan se kopshti i motivonte njerëzit të bënin më shumë kopshtari dhe të rinovonin zona të tjera të shtëpisë dhe kopshtit të tyre. Ata gjithashtu e gjetën kopshtin relaksues dhe kjo u dha atyre një ndjenjë krenarie në shtëpinë e tyre dhe të gjithë ata raportuan se bimët i bënin të ndiheshin më të gëzuar.
“Tani mund të dëshmojmë më tej nevojën jetike për të përfshirë bimët në kopshtet tona dhe në hapësirat e brendshme”, tha Lauriane Suyin Chalmin-Pui, doktoresha dhe pedagogia e cila kreu studimin.
Ajo shtoi se është e rëndësishme që çdo hapësirë që kemi duhet të pasurohet me bimë pasi për aq kohë sa një studim i vogël tregoi aq shumë, kjo është një shenjë se duhet të veprojmë.
Burimi: Science Focus. Përktheu: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



