Futboll

Edhe Kosova zgjedh më të mirët, Ilir Daja fiton çmimin e ‘Trajnerit të vitit’

Gazeta Si – Ashtu si Shqipëria disa ditë më parë, edhe Kosova ka zgjedhur më të mirët e vitit 2023 në një mbrëmje gala të organizuar nga federata. Ballkani, ekipi kampion, ka dominuar çmimet individuale, por edhe formacionin më të mirë të vitit.

Ilir Daja, trajneri i Ballkanit. Gazeta Si, 25 dhjetor 2023

Ilir Daja është vlerësuar me çmimin e ‘Trajnerit të vitit’. Trajneri nga Tirana jo vetëm e ka shpallur kampion Ballkanin, por dy herë radhazi e ka çuar atë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, ndaj dhe e ka merituar plotësisht çmimin.

“Dua ta ndaj këtë çmim me lojtarët, sepse ata janë aktorët kryesorë, me presidentin Kabashi dhe me të gjithë trajnerët e Kosovës, sepse unë jam njëri midis tyre dhe të gjithë kontribuojmë për zhvillimin e futbollit të Kosovës”, – tha Daja në momentin e marrjes së çmimit.

‘Lojtari më i mirë i vitit’ është shpallur Lumbardh Dellova, po i Ballkanit. Pjesë e formacionit më të mirë janë përzgjedhur edhe tre emra të njohur në Shqipëri, si portieri Enea Koliçi, mbrojtësi i majtë Lorenc Trashi dhe sulmuesi Nazmi Gripshi. Që të tre janë pjesë e Ballkanit, që kryeson kampionatin në Kosovë.

Gjatë mbrëmjes u dhanë edhe çmime të tjera. Amir Rrahmani ka marrë çmimin ‘Fadil Vokrri’, Samir Ujkani ka fituar çmimin e karrierës, kurse Albion Rrahmani atë të golashënuesit më të mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë