Pas Ligës Profesioniste të Futbollit, edhe FSHF-ja i kërkon ndihmë qeverisë, konkretisht Këshillit të Ministrave, që të ndihmojë edhe futbollin në krizën aktuale. Në lajmin e bërë të ditur nga FSHF-ja thuhet se i është dërguar një letër Këshillit të Ministrave për të garantuar financat për komunitetin e futbollit me anë të paketës së kompensimit.
“Federata Shqiptare e Futbollit i ka dërguar një letër Këshillit të Ministrave dhe i ka kërkuar garantimin e anës financiare për komunitetin e futbollit përmes një pakete kompensimi. FSHF-ja iu përgjigj në mënyrë të menjëhershme urdhërit nr.132 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke pezulluar gjithë aktivitetet futbollistike në vend, si dhe u kërkoi klubeve të marrin masa për mbrojtjen e shëndetit të futbollistëve dhe stafeve teknike. Njëherazi vendimi i Këshillit të Ministrave ka ndaluar tërësisht punën e Federatës së Futbollit dhe të gjitha hallkave të këtij sektori në rang vendi.
Kjo situatë ka paralizuar punën e klubeve, shkollave dhe akademive të futbollit, duke i çuar ato drejt falimentit, duke lënë pa asnjë të ardhur mijëra të punësuar, duke nisur nga futbollistët dhe trajnerët. Klubet janë në pamundësi për të bërë pagesa, për shkak të ndërprerjes së të gjitha të ardhurave nga biletat, transmetimet televizive si dhe për shkak të tërheqjes së sponsorave. Nisur nga kjo situatë, FSHF kërkon që të gjithë punonjësit e përfshirë në sektorin e futbollit në vend të përfshihen patjetër në paketën e kompensimit, si një e drejtë themelore për të garantuar mbijetesën e familjeve të tyre në këtë kohë të vështirë.
FSHF i është bashkuar mesazhit të qeverisë në thirrjen ndaj qytetarëve për të qëndruar në shtëpi dhe duke ruajtur shëndetin e gjithësecilit. Këto mesazhe janë pjesë e një projekti kombëtar të FSHF për të kthyer vëmendjen ndaj fëmijëve tanë dhe për ta parë futbollin si një mjet argëtimi dhe përkujdesjeje për ta. Njëherazi, FSHF i është bashkuar fushatës së FIFA-s dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë në luftë kundër virusit COVID-19, duke e përcjellë këtë fushatë në të gjitha hallkat e botës futbollistike shqiptare”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të FSHF-së.
Tani pritet të mësohet se çfarë qëndrimi do të mbajë qeveria, pas kërkesave zyrtare të FSHF-së dhe Ligës Profesioniste të Futbollistëve për të mbajtur gjallë futbollin në këtë kohë krize.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.