Politike

Edhe Berisha kundër rritjes së pagave të gjyqtarëve: Absurde! U është rritur oreksi

Nga Gazeta ‘Si’- Pas kryeministrit Edi Rama, edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha ka dalë kundër kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve për rritjen e pagave të tyre.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Berisha tha se pagat e gjyqtarëve sot janë më të lartat në Ballkan dhe sipas tij, kjo gjë u ka rritur oreksin.

“Prokurorët dhe gjykatësit në Shqipëri paguhen më shumë se kolegët e tyre në Ballkan dhe njësoj me ata në disa vende të Europës. Nuk ka gjë më absurde dhe kjo vetëm sa u ka rritur oreksin. Në qoftë se gjeni një qytetar që u thotë se po më ecën procesi gjyqësor pa ryshfet, urdhëroni. Sot ryshfeti ka marrë përmasat më gjigante në historinë e shtetit”, tha Berisha.

Nga ana tjetër, ai pretendoi se sipas tij në vend nuk ka asnjë proces gjyqësor ku të mos hyjë ryshfeti.

“Ka qenë një periudhë kur ky çakalli që del çdo nate që flet nga Shallvaret apo nga Berlini, bashkë me bosin e tij, Komisioni Europian në një raport investigativ i akuzon se këta merrnin 150 mijë euro për një transferim, 200-300 mijë euro për një emërim në Tiranë. Në qoftë se ka gjë në themel të shkatërrimit të atij sistemi qëndrojnë këta të dy.

Këtë praktikë nuk e ndoqi Rexhep Meidani. Kjo praktikë u instalua me këta dy persona. Erdhën më pyetën a ta publikojmë këtë raport dhe thashë ‘po’. Ata nuk e publikuan sepse çakalli i KLD-së kërkoi që raporti të mos bëhet publik. Sot shifrat krahasuar me atë kohë janë dy apo trefishuar”, tha ai.

Duke ndjekur praktikën e një precedenti të kaluar ku fituan gjyqin për njësimin e pagave sipas nivelit të Qeverisë, pas padisë në Kushtetuese, gjyqtarët kërkojnë për herë të dytë me të njëjtën rugë proceduriale rritjen e pagave.

Në një reagim në X, Rama e konsideroi konsideroi një ndërhyrje skandaloze të gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë