Menaxhim

Edhe 12 kulla të reja në Tiranë, Rama: Janë pak akoma

Nga Gazeta ‘Si’ – Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejet e ndërtimit për 12 objekte të reja në Tiranë.

Kryesisht janë qendra banimi, objekte shërbimi dhe hotelerie që do të ndërtohen në disa zona të kryeqytetit.

Dy prej kullave janë të pozicionuara njëra në rrugën “Ibrahim Rugova” nën emërtimin “Barcelona Tower” dhe tjetra, “Wind Tower”, në rrugën “Dritan Hoxha”.

Një pjesë e mirë e lejeve përfshijnë ndërtime në Bulevardin e Ri të tilla si godina multifunksionale.

Po në këtë zonë do të ndërtohet edhe projekti ‘Tirana New Boulevard’ nga kompanitë ‘Smart Construction Invest’ dhe ‘Progreen’ sh.p.k. Në këtë projekt parashikohen dy godina, 41 dhe 44 kate mbi tokë dhe 8 kate nën tokë.

Kulla prej 44 katesh bëhet e dyta në Tiranë pas projektit që ka nisur tashmë ndërtimin, ‘Mali i Tiranës’ në ish-lulishten që ndodhet pas Pallatit të Kulturës në qendër të kryeqytetit.

Mes përfituesve në këto leje është edhe kompania Usluga. Sipas vendimit të KKT, kjo kompani ka përfituar leje Zhvillimi për objektin: “Qendra e Kongreseve 5 kate mbitokë dhe 3 kate nëntokë, Godine Banimi 40 kate mbitokë dhe 5 kate nëntokë dhe Godinë Hotelerie 25 dhe 26 kate mbitokë dhe 5 kate nëntokë, në Rrugën “Bulevardi i Ri”.

Projekte të tjera janë miratuar në rrugët ‘Muhamet Gjollesha’, ‘Fortuzi’, ‘Vaso Pasha’, ‘Hoxha Tahsin’ e të tjera.

Kryeministri Edi Rama, i pyetur mbrëmjen e kaluar në emisionin “Opinion” nëse Tirana ka treg për kullat, u përgjigj se madje ka akoma pak të tilla dhe se ata i kanë dhënë tjetër energji kryeqytetit.

“Kulla nuk janë godinat 13-14-15 kate. Kulla janë godina mbi 20 kate dhe faktikisht janë pak. E para njëherë këto kulla i kanë dhënë një energji komplet tjetër qytetit. Tirana është bërë sot një qytet ku ndërtojnë arkitektët nga më të mirë të botës. Tirana nesër do të jetë destinacion turistik edhe për arkitekturën. Do vijnë njerëzit të shohin kullat në Tiranë.

Ka një pjesë të turizmit që është turizëm për arkitekturën dhe këtu janë disa nga arkitektët më të mëdhenj të botës që ndërtojnë, që projektojnë”, tha ai ndërsa hoqi një paralele me Tel-Aviv.

“Shikoni çfarë ka bërë Tel Avivi, që është një qytet që pak a shumë nga e kaluara ka një teksturë të ngjashme me Tiranën, dhe shikoni çfarë po ndodh në Tel Aviv me të gjitha zhvillimet e reja që po bëhen kullat e larta, etj. Tirana e ka këtë potencial për t’u zhvilluar lart në një pjesë të saj që është rreth e rrotull”, deklaroi ai.

Lista e plotë e lejeve të reja të ndërtimit të dhëna nga KKT:

1. Leje Zhvillimi për objektin: “Strukturë shërbimi, hoteleri dhe banimi 2-8 kate dhe 28 kate mbi tokë, me 5 kate nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën: “Kristo Luarasi”, Bashkia Tiranë, nga zhvilluesi “Vistas Enterprises” sh.a.
2. Leje Zhvillimi për objektin: “Strukturë shërbimi, hoteleri dhe banimi 2-6 kate dhe 40 kate mbi tokë, me 5 kate nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën: “Kristo Luarasi”, nga shoqëria “Green Living Company” sh.p.k.
3. Leje Zhvillimi për objektin: “Godinë multifunksionale “Barcelona Tower”, me vendndodhje në Rrugën: “Ibrahim Rugova” nga zhvilluesi “Bami Holding” sh.p.k.
4. Leje Zhvillimi për objektin: “Objekt shërbimi dhe banimi 16 kate mbitokë”, me vendndodhje në Rrugën: “Fortuzi”, nga shoqëria “TDT & Partners” sh.p.k.
5. Leje Zhvillimi për objektin: “Qendra e Kongreseve 5 kate mbitokë dhe 3 kate nëntokë, Godine Banimi 40 kate mbitokë dhe 5 kate nëntokë dhe Godinë Hotelerie 25, 26 kate mbitokë dhe 5 kate nëntokë, në Rrugën “Bulevardi i Ri”, nga zhvilluesi “Usluga” sh.p.k.
6. Leje Zhvillimi për objektin: “Tirana New Boulevard”, zhvillim kompleks për ndërtimin e ambjenteve të reja me funksion residencial dhe shërbimesh prej 41 dhe 44 katesh mbi tokë dhe 8 katesh nëntokë, me vendndodhje në Bulevardin e Ri, nga shoqëria “Smart Construction Invest” sh.p.k dhe shoqëria “Progeen” sh.p.k.
7. Leje Zhvillimi për objektin: “Wind Tower”, zhvillim kompleks për ndërtimin e ambjenteve të reja me funksion residencial dhe shërbimesh prej 22 kate mbi tokë dhe 7 kate nëntokë, me vendndodhje në Rrugën: “Dritan Hoxha nga zhvilluesi “Kastrati Construction” sh.p.k.
8. Leje Ndërtimi për objektin: “Strukturë shërbimi dhe banimi 16-19-35 dhe 39 kate mbitokë”, me vendndodhje në “Bulevardin e Ri”, nga shoqëria “Tirana 2-Konstruksion” sh.p.k.
9. Leje Ndërtimi për objektin: “Objekt banimi dhe shërbime 2 dhe 14 kate mbitokë, me 4 kate parkim nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën: “Vaso Pasha”, nga zhvilluesi “Domus Group” sh.p.k.
10. Leje Zhvillimi për objektin: “Godinë banimi, shërbimi dhe hotelerie 6, 13, 20, 27, 34 dhe 41 kat dhe 5 kate parkim nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën: “Muhamed Gjollesha”, nga shoqëria “Develalb Construction” sh.p.k dhe shoqërinë “Edonil Konstruksion” sh.p.k.
11. Leje Zhvillimi për objektin: “Tirana West Block”, Objekt shërbimi, banimi dhe hoteleri 1-15 kate mbitokë, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “A.G.E Co & Co” sh.p.k.
12. Leje Zhvillimi për objektin: “Godinë polifunksionale 2-21 kate me 2 kate parkim nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën: “Hoxha Tahsin”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Oni & Afa” sh.p.k.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë