Dosje

‘E vranë me bukë në gojë… ia hoqa’! Rrëfimi i të afërmve të rivalit të bandës: Aldo Bare më tha kur më vranë vëllain, nuk pyes për njeri!

Për autoritetet, emri i Elton Mermalit, padyshim është në vazhdën e të vrarëve që ndër vite po numërohen të ekzekutuar në Lushnjë dhe që kanë vetëm një të përbashkët, njohjet apo angazhimin e dikurshëm në bandën e Lushjës.

Emra të tillë, si vrasja e Gerti Lalës, i njohur si “Iriqi”, Zamir Latifit, Jurgen Hoxhës, këta të fundit të ekzekutuar gjatë përpjekjeve për të vrarë nipin e Aldo Bares, treguan se së paku për 15 vitet e fundit, rivalët janë përplasur me armë duke asgjësuar jo vetëm anëtarë e ish-anëtarë, por edhe të afërm. 

Por në qendër të të gjithë kësaj përplasjeje, ka vetëm një emër, që është ai i Afred Shkurtit , i dënuar përjetësisht dhe që pavarësisht se mbahet në një burg të sigurisë së lartë, ai vijon të presë një vendim nga Gjykata e Lartë, ku pas xhiros midis gjykatave, çështja mbetet varur në këtë gjykatë.

“Sapo filluam të luanim me letra”, - kujton njëri nga dëshmitarët që ishte ulur me shikim nga lokali i Artur Dajës dhe përballë një nga miqtë e tij të quajtu Cen Lufta.

Është pikërisht viti i mbrapshtë kur u ndez lufta, që vijon ende, pavarësisht disa anëtarëve në burg, të tjerëve që kanë ndërruar jetë dhe njërit prej tyre të konsideruar si “i penduari”, Petrit Licit, që pasi mbylli vuajtjen e dënimit, ndryshoi identitetin sipas marrëvshjes me shtetin shqiptar.

Gazetasi.al, po risjell dëshmitë e  personave okularë që rrëfejnë se çfarë ndodhi atë ditë. “Pa kaluar as dy minuta, unë pashë një makinë “Audi” ngjyrë gri me xhamat anësorë të errët, ndërsa xhami para ishte i zakonshem. ....Nuk e kam të fiksuar nëse kishte targa apo jo. Nuk kaloi as gjysëm minuti nga koha që po shikoja këtë makinë dhe pikërisht kur kjo pothuajse ishte drejt verandës, ku ishte ulur Arturi, dëgjova breshëri automatiku në krahun tjetër. E kam të fiksuar se kanë gjuajtur drejt tavolinës së Turit (Artur Daja) me 3 deri në katër breshëri armësh. U ngrita në këmbë dhe i thashë Cenit: ‘na vranë’ dhe i kërkova automatikun e tij, se e dija që e mbante atë në kioskë. Ceni më tha se nuk e kishte atë ditë armën aty, por më tha: ‘Largohu dhe ti se do të vrasin’”.

Dëshmitari shton se si vrapoi drejt një pallati, ku dhe duke u mbrotjur herë pas here nxori kokën për të parë se çfarë po ndodhte.

“Në atë moment, shoh që xhami i pasmë i pasagjerit në krahun që isha unë, ishte gjysëm i ulur, aty fiksova Ramadan Shkurtin, ai nxori grykën e automatikut dhe e drejtoi për nga mua. Në këtë moment kur e pashë ika me vrap dhe hyra në shtëpinë e Trifon Hilës që ishte në katin e tretë. Sa hyra, më doli përpara Ferdi dhe i thashë se kanë qëlluar Turin (Dajën) dhe kur ai doli në ballkon, u dëgjua një krismë e fortë. Ai nuk më tha fshihu se po na qëllojnë. Ferdi nuk më tha se kë kishte pare, por më tha vetëm të mos dilja jashtë se do na vrasin”.

Kur dëshmitari doli më vonë, ai pa automjetin “Audi” të ndaluar dhe brenda një trup gjysëm të varur që ishte i pajetë, ndërsa kuptoi më pas se aty gjendej i vrarë Ramadan Shkurti.

“Pas kësaj, shkova tek shtëpia e xhaxhait të Hilës dhe aty takova Fred Dajën, i cili më tha: ‘Merre një kovë ujë se do lajmë gjakun në verandën e lokalit se kanë vrarë Genc Kasharin’. Kur shkova tek lokali, pashë Turin, i cili më tha se ishte plagosur dhe kur shkuam në shtëpi kemi diskutuar se përse Fred Shkurti donte t’na vriste. Më pas, 30 minuta më vonë ka ardhur Enver Boriçi dhe është ulur“.

Mbi ditët e vështira në Lushnjë, tregon edhe dëshmitari tjetër, Rifan M., i cili tregon jo vetëm se si e vranë Genci Kasharin, të cilin ai i kishte thënë të largohej në shtëpi. Kjo bisedë ndodhi në momentet kur ata po hanin. “Të tjerët kishin vënë një tepsi përpara dhe  Artur Daja u hodh e tha: ‘Ne po hamë, nuk po bëjmë asgjë”.

15 minuta më vonë, pasi u largua për në shtëpi, dëshmitari dëgjoi krismat e automatikut. Edhe ai pa skena lufte, dhe të vrarët, që siç e shpjegon dëshmitari tjetër, Ramadan Z., ai pa të vrarë me bukë në gojë Genci Kasharin.

Skenë që përsëritet e përsëritet edhe tek dëshmitarë të tjerë. “I hoqëm bukën nga goja, tek sheshi ishte vetëm makina me ngjyrë gri e vogël, njerëzit brenda ishin të plagosur, ishin dy persona dhe shoferi me pantallona dhe kanatiere, vëllai i Fredit ishte me rroba policie, të dy ishin gjallë dhe rënkonin. Vajtëm drejt klubit, ku kishte njerëz, aty ishin Turi, Gramoz Selmani, Xhevit Daja, ishin të armatosur me automatik në dorë“.

Por që konfliktet kishin nisur më herët, i konfirmon dëshmitari A.D., që sipas dosjes që Gazetasi.al po e rikthen, tregon se gjatë kësaj maskare, gjendej në Itali dhe kur mori në telefon të vëllain për ta pyetur çfarë kishte ndodhur, i kishte thënë se, “Artur Daja përpara dy-tre muajve kishte qenë në Itali dhe kishte biseduar me Aldo Baren dhe të dy kishin debatuar në  telefon me njëri tjetrin. Turi i ka thënë Fredit (Aldo Bares) në telefon: “Ti nuk e vrave për mua Besnik Tahirin, por e vrave për interesat e tua”.                     

Në dosjen që Gazetasi.al disponon, tregohet se realisht, përplasjet midis Bares dhe Artur Dajës kishin nisur prej vitit 1996, derisa u acaruan duke sjellë eliminimin e këtij të fundit.

Këto konflikte bënë që Aldo Bare, i armatosur së bashku me të vëllain Ramadan Shkurti dhe Enver e Bardhyl Rabinë, të organizonin vrasjen e Artur Dajës, i cili ishte ulur për të ngrënë drekë me shokët. Më pas banda, rezulton nga dosja hetimore, u vu në gjueti të kujtdo që mbështeste apo që ishte parë në shoqërinë e Artur Dajës dhe siç rezulton nga gjykimi dhe procesverbalët gjyqësore, anëtarët e grupit të Aldo Bares nuk u denoncuan nga të afërmit e viktimave, që siç tha gruaja e njërit prej tyre, “nga frika e eliminimit pas vrasjes së tij, nuk i denoncoja dot në atë kohë”.

Si ngjarje, është e rregjistruar edhe shkatërrimi me zjarr i banesës së Shkëlqim Haxhiut, që është i afërm i Laert Haxhiut, i cili tanimë rezulton si kundërshtari më i fortë i atyre që shkaktuan terror në qytet. Duket se këtë rol tanime dyshohet se e ka marrë i riu.

Dosja tregon se si gushtin e vitit 1998, Ilir Stërgu, Arben Boriçi, Erion Cici, Jorgo Muzaka, Enver Boriçi , Rexheo Gina, Aldo Bare, Enver Dondollaku dhe Leonard Prifti,  shkuan në shtëpinë e Haxhiut dhe pasi mbërritën në oborr, e thërritën me zë të lartë që të hapte derën.

Ata iu prezantuan si punonjës policie. Në këto momente, duke ndjerë rrezikun për jetën e tij dhe të djalit të tij, Klodian Haxhiu, që më vonë u vra,  ai u largua nga pjesa e pasme e shtëpisë, duke lënë në shtëpi vetëm bashkëshorten.

Dosja që Gazetasi.al po zbardh ekskluzivisht, thotë se banda e Bares, hyri me dhunë, kryen kërkime në katin e dytrë të shtëpisë dhe më pas i vunë flakën që sipas akt ekspertizave, nuk u përcaktua nëse i ishte vënë flaka me qiri apo me pishtar.

Familja Haxhiu nuk e zotëroi e qetë shtëpinë për pesë vitet e ardhshme. Ndërkohë që gruaja e të afërmit të Laert Haxhiut, rrëfeu në gjykatë. Gruaja u nxor me forcë nga shtëpia dhe në një furgon së bashku me kunatin, kunatën, nipin dhe pasi kanë udhëtuar disa minuta, i kanë dërguar aty ku gjendej Aldo Bare.

“Më pyetën për burrin dhe djalin, Klodianin, dhe iu përgjigja se nuk e dija ku ishin, personi që më pyeti është djali i Ikbale Shkurtit dhe quhet Alfred Shkurti, ai ishte në gjendje të tensionuar dhe njërën dorë e kishte të fashuar, kur i thashë që ta lënë të qetë burrin tim, ai m’u hakërrye: ‘Kur më vranë vëllain tim, unë nuk pyes për njeri tjetër“.

Kur gruaja u kthye nga vendi që në atë kohë quhej komisariati numër dy, pa shtëpunë që digjej nga zjarri. Njerëzit që u terrorizuan ishin pikërisht të afërmit e Laert Haxhiut, që në atë kohë ishte fëmijë dhe tanimë është në kërkim. Ai është një nga të dyshuarit për vrasjen më të fundit të Mermalit, që u mor me një makinë në Lushnjë dhe u gjet i vrarë pranë tregut të kafshëve i ekzektuar me tre plumba, dy në gjoks dhe një në kokë.

Vijon….


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë