Kjo është bindja e kuqezinjve për transfertën londineze që starton eleminatoret drejt Kupës së Botës 2026. Në ditën e dytë të grumbullimit në Shtëpinë e futbollit, ishte rradha e Asllanit dhe Bajramit për të dalë përpara medias. Kandidat për kampion në Serie A i pari dhe në vendin e dytë në Skoci i dyti, njëzëri u përgjigjën se janë gati të japin maksimumin në çdo pozicion që do ti vendosë Sylvinho.
Mesfushori i Inter veçon mungesën e tij në ndeshjen e fundit në Angli por thotë se ai njeh mirë futbollin ishullor dhe lojtarët e “Tre Luanëve”. Një skuadër e shpejtë dhe e vështirë ndaj së cilës nëse merr barazimin duhet të jesh i kënaqur. Asllani konfirmon harmoninë në grup te kuqezinjtë dhe thotë se në “Wembly” do të japin shpirtin për një rezultat pozitiv pasi objektivi është kualifikimi në fazën Finale të botërorit amerikan.

Për një gjë tillë ai thotë se Kombëtarja ka nevojë edhe për tifozët, të cilët i ftoi të jenë të shumtë në numër në sfidën ndaj Andorra-s në “Arena Kombëtare”. Në të njëjtën linjë edhe Bajrami për atë çka e pret Shqipërinë në “Wembley”. Prej fillimit të sezonit në futbollin skocez, mesfushori i Rangers thotë se ndihet mirë në krah por nuk ka pretendime për pozicionin pasi është gati të japë gjithçka kudo në rrjeshtim.
Pjesë e skuadrës që luajti vite më parë në “Wembley”, Bajrami thotë se tani i njeh më mirë kundërshtarët, çka e ndihmon në përgatitjen e duhur për ti përballuar. Veçon rikthimin e Brojës i cili e forcon skuadrën maksimalisht dhe thotë se është e vështirë që ai të përsërisë golin e shpejtë (rekord evropian) ndaj Italisë në “Gjermani 2024”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.