Politike

‘E stato un albanese’, Rama kujton fillimet e emigrantëve shqiptarë: Italia në mendjen e tyre ishte parajsa e kësaj toke

Nga Gazeta 'Si'- Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij para emigrantëve shqiptarë kujtoi kohët e vështira kur shqiptarët shkuan në Itali në fillimet e demokracisë.

Sipas tij, askush nuk mund ta harrojë kohën kur vendi ynë kishte damkën “e stato albanese” që ishte në çdo shkrim të mediave italiane.

Ai tha se dikur shqiptarët kishin turp që të thonin se ishin shqiptarë, pasi u dukej vetja se ishin në kërkim. “E stato un albanese”, (ishte shqiptar) ishte fraza që na ulte kokën, tha Rama, ndërsa shtoi se sot komuniteti shqiptar është bërë urë bashkimi mes dy brigjeve të Adriatikut.

“Fatkeqësia e madhe ishte se në të njëjtën kohë Shqipëria në sytë e Italisë dukej si një ekran televizioni kur ikën dritat. Në sytë e italianëve të vitit 90 asgjë nuk lidhte Shqipërinë e paraluftës, kujtimi i së cilës ishte flakur në mbeturinat e historisë italiane të fashizmit me Shqipërinë komuniste që nga ajo e kaluar ishte mbarsur si pjella e imponuar e një shtatzënie të mbrapsht.

Kush nuk e kujton atë kohë me damkën “E stato un albanese” kur zienin debatet në televizionet italiane? Ishte koha e një farë Umberto Bossi, që bëri thirrje që shqiptarët të priteshin në det me pushkën e ushtrisë. Ishte një personazh që dukej sikur kishte dalë nga një filmë komik.

Shqiptari në vitet 1990 ndihej i diskriminuar. Ndodhte një grabitje, gazetat lokale thoshin se është një shqiptar. Ndodhte një vrasje dhe mediat thoshin se është një shqiptar. Edhe kur ikte në drejtim të paditur, vrasësi i panjohur ishte shqiptar. Shqiptarët ishin dashuruar me Italinë dhe Seria A e Kombëtarja Italiane ishte në zemrën e tyre. Shqiptarët edhe nën diktaturë e donin Italinë dhe thesaret e saj. Shqiptarët kthenin antenat nga Italia, si shteti komunist kundërajrorët", deklaroi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë